Ahmet Qeriqi: Në pritje të epilogut të Konferencës së Rambujesë (19 shkurt, 1999)

Ahmet Qeriqi: Në pritje të epilogut të Konferencës së Rambujesë (19 shkurt, 1999)

Pritet që nesër në Kështjellën e Rambujesë në Francë të përfundojë e ashtuquajtura konferencë ndërkombëtare për Kosovën. Jam tejet skeptik në ndonjë rezultat të mundshëm pozitiv për çështjen tonë. Kam prirje të besoj se krej kjo bëhet për ta frikësuar Serbinë që ajo nën presion të pranojë një zgjidhje politike me karakter autonomist për Kosovën.

Gjendja në terren sa vjen e po bëhet edhe më e acaruar. Serbët po dislokojnë forca të panumërta ushtarake dhe policore në Kosovë. Ata tanimë na i kanë zënë të gjitha shtigjet dhe në të gjitha postblloqet e kanë dyfishuar dhe trefishuar praninë e forcave.

Dimri dhe dëbora e madhe e ka pamundësuar tejmase vajtjen e ushtarëve tanë për armë dhe municion në Shqipëri. Në të gjitha zonat ndihet mungesë e municionit. Është rënduar tejmase edhe gjendja e popullatës në zonat e luftës. Nëse ndodh ndonjë ofensivë të gjithë këta do të detyrohen të futen nëpër gryka malesh dhe është shumë vështirë të mendosh se mund të mbijetojnë në kushte dhe rrethana të këtij dimri siberik.

Sot nga Prishtina ka ardhur Blerim Peja me të birin Vijonin dhe me të tjerë. Vijoni ka sjellë disa pajisje të reja për kompjuter dhe sapo ka ardhur ka filluar të bëjë instalimin e pajisjeve apo të ndonjë programi.

Edhe sot kemi përgatitur një emision njëorësh por shumë skematik. Pretendimet për mbushtjen e programit me këngë nuk më duken serioze por kam fituar bindjen se kjo nuk iu bën përshtyje anëtarëve të tjerë të stafit.

Në mbërëmje nga Kleçka kanë ardhur Elez Durmishi dhe Sylë Qeriqi. Ata e dinë kohën kur unë nisem dhe kanë ardhur me kohë. Pa vonuar lëshohemi teposhtë në vendin e caktuar.

Në hyrje të Krojmirit ndalemi në Spitalin e luftës, meqë duhet të bisedoj me Reshat Gashin lidhur me një aktivitet të veçantë të Nusret Gashit për armatim. Duke qenë se Elezi dhe Syla janë përgjegjës për Batalionin, I them Reshatit që të merret vesh me këta për të gjitha punët rreth armatimit….

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Masakra, krime dhe marrje peng e popullatës civile nga forcat okupatore. (E martë 27 prill, 1999)

Sot sikur ka filluar të përmirësohet moti. Qysh në mëngjes janë ngritur aeroplanët e NATO-s …