leoni

Në rrethana të pa sqaruara vritet luftëtari më i përkushtuar i kësaj ane, Jetë Aziz Hasani (E premte 16 tetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Në rrethana të pa sqaruara vritet luftëtari më i përkushtuar i kësaj ane, Jetë Aziz Hasani (E premte 16 tetor, 1998)

Dita e sotme ka kaluar me shqetësime të rënda. Kam fjetur pak dhe me një dozë të shprehur të bezdisë dhe të tensionit.

Mbrëmë gjatë natës nuk është kthyer Jakup Krasniqi.

Në kohën ku me Berat Luzhën po përgatiteshim për të shkuar në ambulancë, rreth orës 10.30 minuta vjen Ramadan Rizani. Derisa po bisedonin në rrugë para shtëpisë kemi dëgjuar të shtëna armësh automatike në drejtim të rrugës Shalë, Fushticë, Mirenë.

Pas një kohe vjen Elez Durmishi. Në vështrimin e tij të pazakonshëm vërej një shqetësim të thellë.

-Çka ka Elez? E pyes ende pa u afruar te dera.

-Kam një lajm të rëndë më thotë dhe shton, tani merre pak ujë dhe pije.

-Trego sa më parë, i drejtohem Elezit.

-Jeta ka marrë plagë të rënda.

-Si? Ku? e pyes.

-Eja të nisemi me veturë dhe të shkojmë sa më parë në Shalë. Të tregoj gjatë rrugës, thotë Elezi dhe nisemi në moment.

Elezi tregon se disa veta në Shalë e kanë vërejtur një polic me veturën e tij të tipit Zastava të ketë depërtuar në Shalë. Ata i kanë treguar Jetës dhe Ajvazit të cilët përnjëherë janë nisur në ndjekje të policit, i cili si duket ka hyrë gabimisht ose me qëllim të caktuar. Ndërkohë në ndjekje të policit, Jeta nga vetura e tij arrin ta godasë veturën në ikje. Pasi hyjnë në zonën e kontrollimit të forcave serbe, ata tërhiqen në drejtim të vendrojës në udhëkryqin Shalë-Risinovc.

Jeta kërkon nga ushtarët që kanë qenë në roje shpjegim përse nuk është ndaluar polici në hyrje. Ushtari Shemsi Olluri, në rrethana ende të pasqaruara shtie në drejtim të Jetës dhe e godet më një plumb në gjoks dhe një tjetër në kokë, Plumbi në kokë nuk ka qenë me rrezik. Ajvaz Kapruzi me një ushtar tjetër Jetën e plagosur e nisin në drejtim të ambulancës. por Jeta ndodhet në agoni meqë ka humbur shumë gjak, dhe plumbi i ka përshkuar mushkëritë.

Pa vonuar arrijmë te shtëpia në krye të Shalës, në grykë. Mjekët Fitim Selimi, Jakup Ismajli dhe Avdullah Fazliu kanë bërë çmos. Ata nuk kanë mjete transfuzioni për t`i dhënë gjak. Jeta ndodhej i shtrirë në tavolinë, ndërsa mjekët po i jepnin infuzion. Fitim Selimi për mes një telefoni mobil mundohet të kontaktojë me ndonjë mjek në ambulancën e Isë Haxhiut në Ferizaj,  por nuk e merr dot lidhjen, edhe pse është i vetëdijshëm se koha nuk pret dhe të gjitha përpjekjet janë të kota.

Derisa kthehemi sërish me Fitimin në ambulancë ku Jetë Hasani po përpëlitej në çastet e fundit, në sy të Jakup Ismajlit dhe të Reshat Gashit vërej se shpresat për ta shpëtuar luftëtarin e lirisë Jetë Hasani, janë të kota. Nuk mund të qëndroj në atë gjendje dhe dal te Guri aty afër. Ushtarët qëndrojnë të heshtur. Pas pak vjen Luani. Ai i mllefosur kërkon të depërtojë në katin e epërm ku e kanë izoluar ushtarin i cili ka goditur.

Nga një shpërthim vaji i motrave medicinale në ambulancë e kuptojmë se Jetë Hasani për të fundit herë e thithi ajrin e Drenicës të bërë shkrumb nga forcat vrastare serbe.

E ngushëllojmë njëri tjetrin.

Ndonjëri nga ushtarët qan.

Syla mundohej ta mbante veten.

Elezit sytë iu kanë skuqur, ndërsa unë jam ngurtësuar duke u munduar që t iu jap forcë të tjerëve. Një ushtar nga Banja shpërthen në vaj të papërmbajtur. Ndërkohë  vijnë edhe ushtarë të tjerë pasi që kanë dëgjuar për ngjarjen fatale.

Pas një kohe trupin e Jetës e sjellim në odë të Faik Qeriqit, në Krojmir.

Duhet lajmëruar djalin e Jetës Avniun dhe bijën Myrvete të cilët ndodhen në Krojmir. Duheshin bërë edhe përgatitje të tjera, për ta lajmëruar edhe familjen e tij të gjerë, në Godanc. Reshat Gashi dhe Shyqri Iballi kanë marrë përsipër për ta lajmëruar familjen. Ata fillimisht duhet të takohen me Nusret Gashin.

Duke qenë se ndodhemi të rrethuar dhe mund të pritet ndonjë sulm i serbëve, kemi vendosur që trupin e dëshmorit ta varrosim në Varrezat e Lagjes Qeriqi, që janë këtu afër.

Tubohemi për t`u marrë vesh për kohën dhe mënyrën e varrimit.

Syla, Elezi, Luani, Naim Ismajli dhe disa të tjerë mendojmë se për shkaqe sigurie ta varrosim në mbrëmje. Megjithatë, mendimi i shumicës është që ta varrosim në mëngjes të ditës vijuese, pasi të kenë ardhur edhe vëllezërit dhe familja e tij e gjerë nga Godanci.

I kemi marrë të gjitha masat që në rast të ndonjë sulmi nga forcat serbe varrimi të bëhet në shpejtësi gjatë natës.

Natën vonë kanë arritur babai i Jetës, xha Azizi, vëllai Idrizi dhe disa të afërm të tjerë. Pikëllimi ndihet kudo, si te ushtarët ashtu edhe te familjet tona, meqë përshtypjet që kemi për Jetë Hasanin janë të veçanta.

Shtatë rreshta të koduar

 

Elezin e porosis që të jetë syçelë dhe të mos merret asnjë veprim i pamatur, derisa rasti të mos shqyrtohet, Vrasësi po mbahet në arrest. Ai përjashton çdo mundësi të vrasjes me paramendim, ndësa pranon se duke dashur të tregojë se si ka qëlluar në drejtim të veturës së milicit serb, kallashin e ka shkrehur me  pa hir.

Humbja e papritur dhe në këto rrethana e Jetë Hasanit përveç dhembjes së madhe shqetësimit dhe pasigurisë sjellë edhe një dozë të shprehur të dyshimit në radhët tona… Katër rreshta të koduar

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë, rivarrosen pesë dëshmorët e kombit, në mesin e tyre edhe trupi i Ismet Jasharit, komandant Kumanova (E mërkurë 2 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë, rivarrosen pesë dëshmorët e kombit, në mesin e tyre edhe trupi i Ismet Jasharit, komandant Kumanova (E mërkurë 2 dhjetor, 1998)

Isa, Elezi, Luani e të tjerë që në mëngjes janë nisur drejt maleve të Berishës. …