leoni

Ahmet Qeriqi: Nga baza serbe te Gurëthyesi në Carralevë disa predha godasin në Krojmir dhe në Pjetërshticë (E shtunë 14 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga baza serbe te Gurëthyesi në Carralevë disa predha godasin në Krojmir dhe në Pjetërshticë (E shtunë 14 nëntor, 1998)

Qetësinë vjeshtore të mesditës e prishën disa shpërthime predhash të armikut të cilat papritur  kanë goditur në afërsi të vendqëndrimit tonë. Një predhë ka goditur te Lajthishta një tjetër te Firajat. Po ashtu më vonë u bë e ditur edhe për një shpërthim tjetër në mes të fshatit. Si duket predhat kanë qenë të pragave  sepse kanë shpërthyer nga dy herë…

Më vonë mësojmë se granatimi është bërë me mitralez të rëndë kundërajror nga vendqëndrimi i armikut  mbi Gurëthyes të Carralevës. Shkas i këtij granatimi mësohet të ketë qenë një shkëmbim zjarri në mes të ushtarëve tanë në një shtëpi të Zborcit ku serbët kanë qenë duke plaçkitur. Ushtarët tanë kanë qenë duke patrulluar dhe në moment janë gjetur përballë policisë serbe. Nuk ka të dhëna për të vrarë apo të plagosur dhe si duket tërë kjo mbaroi me kaq.

Në mbrëmje ka ardhur Naim Imeri me disa shokë të tij. Në mesin e tyre, nga Prishtina ai ka përcjellë për në Krojmir një ushtar të rrethit të Klinës, të cilin e quajnë, Isë Krasniqi, ka qenë i plagosur muaj më parë dhe pasi ka depërtuar në Prishtinë, atje është shëruar në një shtëpi të një veprimtari të njohur, përkrahës i UÇK-së. Për në vendqëndrimin tonë e ka drejtuar Hilmi Ramadani, i cili po ashtu pritet të vijë së shpejti.

Naim Imeri, tezaku im rrëfen se gjatë rrugës deri në Magurë, dikush e ka përcjellë veturën e tyre. Ai ka rrezikuar për shkak të Isë Krasniqit i cili ende nuk është shëruar si duhet dhe nuk kanë pasur mundësi të depërtojnë këmbë nëpër Blinajë. Isa duket i lodhur. Ai na rrëfen për disa nga betejat që janë zhvilluar në fshatrat e Klinës ku ka qenë i kyçur qysh në ditët e para. Isa po ashtu ka qenë i burgosur politik në vitet e tetëdhjeta. Si duket në luftë janë inkuadruar po thuajse të gjithë ish të burgosurit, e sidomos ata të vitit 1981.

Më vonë nga Zona Operative e Neredimës ka ardhur edhe Ruzhdi Jashari me një ushtare të fshatit Davidovc. Është e vetmja ushtare e Davidovcit, deri tani edhe e vetmja pjesëtare e UÇK-së nga ky fshat, në afërsi të Shtimes. Ajo quhet Nerxhivane Azizi.

 Ruzhdiu na rrëfen për ofensivën e fund-shtatorit, për humbjet por edhe për rikonsolidimin e radhëve. Ai është luftëtar i përkushtuar i çështjes kombëtare. Prore në lëvizje, asnjëherë nuk ndalet. Me vete ka marrë  edhe një kamerë dhe është angazhuar  të bëjë incizimin dhe evidentimin e fshatrave dhe të shtëpive të djegura. Përveç shumë punëve të tjera ai po raporton edhe për TVSH-në dhe për disa qendra të tjera informative.

Në mbrëmje vjen edhe Elez Durmishi. Ai na rrëfen gjerësisht për  incidentin pa pasoja që ka ndodhur në Zborc. Po ashtu tregon se profesor Arsim Bajrami e ka dërguar projekt-dokumentin në Krojmir, ndërsa Luani pa vonuar e ka përcjellë për në Shtab.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Heset Sahiti me gjithë vështirësitë i ka konsoliduar radhët në Shalë. (E diel 29 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Heset Sahiti me gjithë vështirësitë i ka konsoliduar radhët në Shalë. (E diel 29 nëntor, 1998)

Në mëngjes kam biseduar me Myrvete Hotin, motrën e magjistër Ukshin Hotit i cili po …