Ahmet Qeriqi: Përforcime të reja të forcave serbe në relacion Llapushnik-Gjergjicë-Malishevë. Në Reçak me nderime i varrosin 42 të masakruarit. Në varrim merr pjesë edhe ambasadori, Viliem Voker (11 shkurt 1999)

Ahmet Qeriqi: Përforcime të reja të forcave serbe në relacion Llapushnik-Gjergjicë-Malishevë. Në Reçak me nderime i varrosin 42 të masakruarit. Në varrim merr pjesë edhe ambasadori, Viliem Voker (11 shkurt 1999)

Herët në mëngjes një korrier ushtarak ka ardhur në seli dhe na ka njoftuar që të jemi të përgatitur për ndonjë sulm të mundshëm meqë forca të mëdha të ushtrisë dhe të policisë serbe kanë filluar lëvizjen drejt pikave tona. Ai na bën me dije se 15 tanke kanë ndaluar në Grykën e Llapushnikut, disa të tjera në Gjergjicë dhe disa janë nisur për të Malishevë. Duket se serbëve aq iu bën përshtypje Konferenca e Ramujesë. Ata fare lehtë mund të marrin një ofensivë tjetër, ndoshta edhe me qëllim të dështimit të konferencës, nëse shohin se ajo nuk do të jetë në favorin e tyre. Të gjithë jemi zgjuar dhe kohë pas kohe kemi dalë në kodër për të parë lëvizjet e forcave të motorizuara serbe. Ushtarët tanë qëndrojnë të patundur në të gjitha pikë-pozicionimet dhe presin urdhra nga komanda e Brigadës. Gjendja është e tensionuar dhe nuk dihet çka mund të sjellë çdo moment.

Nga Zona Operative e Neredimës na bëjnë me dije se sot në Kodrën përballë Xhamisë në fshatin Reçak është bërë varrimi i 42 të masakruarve më 15 janar të këtij viti nga forcat ushtarake e policore serbe. Më këtë rast një fjalim tejet domethënës e ka mbajtur ambasadori Voker i cili është diplomati i parë ndërkombëtar, që tragjedinë në Reçak e ka kualifikuar me cilësimin e vërtetë, “Masakër, krim kundër njerëzimit”. Fjalimin e tij të përkthyer e kemi incizuar. Në këtë ceremoni varrimi një fjalë rasti e ka mbajtur edhe Fehmi Mujota, kryesues i Drejtorisë për Administrim Civil në Zonën e Neredimës. Ka folur edhe mjeku i luftës, bashkëfshatari i të masakruarve doktor Vezir Bajrami, i cili prej fillimit iu ka bashkuar radhëve të UÇK-së.  Vezirin e kam pasur nxënës në shkollë të mesme. Ka qenë ndër më të zgjuarit në shkollë.

Emisionin si zakonisht e kemi përgatitur dhe e kemi transmetuar me kohë.

Në mbrëmje me Isë Krasniqin dhe Shqipen e Berat Luzhës, e cila sot paradite së bashku me Beratin ka qëndruar  për vizitë këtu në seli, nisemi në drejtim të Grykës së kizharekës ku na pret Ali Mullini. Bora ka filluar të shkrihet dhe rruga është mbushur përplot me ujë dhe baltë.

Kam arritur në shtëpi, ku zakonisht janë prezentë gruaja ime dhe Zamiri. Epiri bën punë të ndryshme dhe ushtron roje me Elhamiun e Sylës. Arbana gjithnjë, në punë në Spital, së bashku me tërë ekipin. Te ne ka ardhur për strehim edhe bashkëshortja e Jakup Krasniqit, Sevdia me djalin Altinin dhe vajzat Gresa, Qëndresa dhe Çlirimtarja e vogël dy muajshe.

Pasi kam pushuar pak, kanë ardhur edhe Reshat Gashi dhe Naim Ismajli. Reshati mendon se duhet të mos shtyhet  shpallja e fejesës së bijës sime Rrezartës me ushtarakun nga Carraleva, Milaim Beha. Reshatin e informoj se kjo punë nga ana ime konsiderohet e kryer dhe për formalitete të rastit këtu është mixha im, Mehdiu, me të cilin do të jenë në kontakt…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një ditë e zakonshme me shi dhe mjegull te Rrezja e Baliqit në Berishë. (E diel 25 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Një ditë e zakonshme me shi dhe mjegull te Rrezja e Baliqit në Berishë. (E diel 25 prill, 1999)

Edhe pse dje u duk se do të përmirësohet moti, gjatë natës ndodhi një shtrëngatë …