Ahmet Qeriqi: Përpjekjet për demonizimin e shqiptarëve islamë janë të yshtura nga Athina dhe Beogradi

 


Opinioni ynë mbase edhe nuk ka sa duhet informacione dhe nuk e di se në luftën barbare, antiqytetëruese të qarqeve serbe kundër fesë dhe kulturës fizike islame, prej vitit 1878 e deri në vitin 2004, Serbia ka djegur dhe ka rrënuar hiq më pak se 3400 xhami, mesxhide, medrese dhe monumente të kulturës islame, në tërë territorin e sotëm të këtij shteti dhe në viset që i kishte okupuar në vitin 1912. Gjatë viteve 1876-1912, Serbia ka djegur dhe ka rrënuar në tërësi më shumë se 1000 vendbanime shqiptare prej Prokupjes, Vranjes, deri në Nish dhe më tutje, duke aplikuar metodën barbare “të spastrimit etnik dhe tokës së djegur”.

Po me këtë mënyrë mizore ka vepruar kundër kulturës islame edhe Qeveria greke, sidomos gjatë shekullit të fundit, kur përfundimisht ka rrënuar, djegur dhe shkatërruar të gjitha monumentet e kulturës fizike islame dhe ka masakruar e dëbuar nga Greqia qindra mijëra myslimanë, shumica syresh shqiptarë të besimit islam, por edhe të krishterë, që nuk e mohonin përkatësinë kombëtare shqiptare. Pavarësisht kësaj barbarie sodomiste të sllavëve dhe grekëve, shtetet islame të Lindjes së afërme kanë ruajtur dhe ruajnë edhe sot qindra kisha dhe manastire të krishtera. Këto fakte zbulojnë vetvetiu dy qendrat më fanatike të botës kundër qytetërimit islam në përgjithësi e në veçanti kundër shqiptarëve, madje edhe kundër shqiptarëve të krishterë.

Kjo luftë konstante antiislame dhe antishqiptare e qarqeve serbe dhe greke doli sheshit edhe me krimet monstruoze, që u kryen në Bosnje kundër myslimanëve, ku krahas bandave kriminale serbe në luftë kundër boshnjakëve morën pjesë edhe ushtarë të forcave paqeruajtëse greke, ndërsa 4500 ushtarët paqeruajtës evropianë edhe pse panë me sy tmerrin njerëzor, mbyllën sytë dhe nuk ndihmuan madje as një fëmijë mysliman për ta nxjerrë nga ferri sodomist serb në Srebernicë. Fushata antiislame dhe antishqiptare e Beogradit dhe Athinës, mjerisht, jo vetëm njëherë ka gjetur përkrahës edhe në mesin e shqiptarëve të krishterë por edhe të te disa, të cilët nuk kanë hequr dorë botërisht nga feja islame, por kanë bashkëpunuar dhe po bashkëpunojnë në drejtim të demonizimit të shqiptarëve me përkatësi fetare islame.

Periudha e pas luftës në Kosovë, prej qershorit të vitit 1999, fitorja historike e shqiptarëve kundër kolonializmit dhe despotizmit serb, reflektuan me thellimin e propagandës së qarqeve antishqiptare, sidomos në Beograd dhe në Athinë, por edhe në botën sllave e ortodokse në përgjithësi. Pati herë-herë edhe disa pretendime të demonizimit të shqiptarëve me përkatësi islame edhe nga disa qarqe katolike, në Shqipëri dhe në Kosovë, por ato nuk reflektuan shumë ndasi, me faktin se luftën tonë të drejtë e kishte përkrahur dhe ndihmuar bota e krishterë perëndimore.
Vazhdimit të kësaj propagande, ndoshta edhe pa ndonjë qëllim të keq, i priu me mendjelehtësi, shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare, i cili hiç pa të keq kërkoi nga bashkëkombësit të kthehen në fenë e vjetër, pa llogaritur se kush ka qëndruar dhe po qëndron prapa kësaj fushate të rrezikshme për kombin në përgjithësi, komb i cili të paktën me 70 për qind të pjesëtarëve identifikohet me përkatësi islame, ndërsa në Kosovë dhe në Maqedoni, madje edhe 99 për qind.

Kësaj fushate i dhanë zjarre edhe disa ekstremistë myslimanë sidomos në Kosovë e në Maqedoni, të cilët kundërvënien e bënë, jo për ta mbrojtur dhe ruajtur shqiptarinë islame, të tillë sikur është dhe sikur është konstituuar gjatë disa shekujve, por për t’ iu përgjigjur sulmit me kundërsulm, duke hedhur benzol në flakë. I vetmi nga intelektualët që paraqiti qindra argumente në këtë drejtim, akademik Rexhep Qosja, u sulmua padrejtësisht, nga kreu fetar i Kosovës, por edhe nga përkrahësit e idesë për rikthimin e shqiptarëve në fenë e moçme. (!)

Përpjekjet antishqiptare të kishës ortodokse greke dhe serbe, përkrahen nga shërbëtorët e tyre shqipfolës

Edhe pse polemika: Kadare-Qosja nuk degjeneroi me ndonjë përplasje, qarqet antishqiptare, mbeten të pakënaqura, meqë fitili i ndezur nga këto qarqe nuk solli efektet e dëshiruara për ta. Ndërkohë, Kisha Ortodokse greke në Shqipëri, në krye me antishqiptarin, Janullatos nuk e futi dot në këllef, thikën e gjatë me dy tehe të andartëve grekë, por lojën e zezë të shtrigave e vazhdoi me zhvarrosjen e eshtrave të fëmijëve dhe grave shqiptare, në disa vendbanime të trevave jugore të Shqipërisë, me qëllim për të rritur numrin e ushtarëve barbarë grekë, të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore në përpjekje për të masakruar shqiptarët. Edhe politika antishqiptare e Beogradit nuk mbeti anash. Ajo në vijimësi i paraqet shqiptarët si terroristë islamikë, si muxhahedinë dhe si racë që duhet të zhduket me qëllim që të “ruhet” krishterimi në Evropë.
Se, kush e ka lejuar, e ka mbështetur dhe po e mbështet Janullatosin për ta varrosur Kishën ortodokse shqiptare, kjo dihet mirëfilli. Ashtu sikur dihet se në viset e Shqipërisë së mesme dhe të jugut, nga vitit 1992 janë ndërtuar qindra kisha ortodokse të tipit grek, duke shpërfillur në tërësi traditën autoktone të krishterëve shqiptarë, të realizuar me aq mund, por me sukses nga Peshkopi, Fan Noli dhe përkrahësit e ithtarët e tij. Zëri, mjerisht gati i vetmuar i At Markut kundër kësaj dukurie antishqiptare nuk po përkrahet, as nga qarqet shtetërore të Shqipërisë, por as edhe nga shumica e pjesëtarëve të besimit të krishterë, të cilët për përfitime materiale, po tregohet sheshit se janë në gjendje madje edhe të asimilohen, sikur po ndodh në disa vise të Himarës, të Delvinës e të Sarandës.

Të gjitha këto përpjekje kanë dhënë dhe po japin rezultate, me faktin se ka individë, por edhe qarqe të caktuara anti islame në Shqipëri, dhe jo vetëm atje, të cilat në mënyrë perfide dhe hipokrite po bëjnë përpjekje të nxisin një përplasje brendakombëtare në këtë drejtim, për qëllime që kuptohen lehtë.
Një yshtje hipokrite në drejtim të demonizimit të shqiptarëve myslimanë kohëve të fundit e ka bërë edhe Ben Blushi me romanin e tij: “Të jetosh në ishull”, i cili u përurua dhe u lavdërua sidomos nga qarqet pro greke e pro serbe. Askujt nuk mund t’ i merret e drejta për t’ u shprehur lirshëm, por kur kjo shprehje atakon moralin dhe fenë e shumicës së kombit, atëherë nuk kemi të bëjmë më, me liri të fjalës dhe të shprehjes, por me një fushatë të pandershme, të turpshme dhe krejt të panjerëzishme, jo vetëm të atij që ka marrë guximin për të përdhosur moralin fetar të 70 përqindëshit të kombit, por edhe të atyre hipokritëve të tjerë, të cilët i mbajnë ison dhe jo vetëm aprovojnë, por lavdërojnë sharjet, fyerjet, përçmimet dhe përdhunimet e tilla.

Si do ta përjetonte popullata shqiptare e krishtere po të shkruheshin vepra, të cilat mungojnë, lidhur me vrasjet, përdhunimet, dëbimet, djegiet e shfarosjet e qindra mijëra shqiptarëve myslimanë, jo vetëm në Çamëri por edhe në shumë vise të Shqipërisë së jugut. Mjerisht pati shqiptarë të krishterë të implikuar në krime të tilla kundër vëllezërve të gjakut e të gjuhës, ashtu sikur pati edhe ndonjë rast nga shqiptarët myslimanë. Shembujt e shfarosjes së shqiptarëve, grekët i këndojnë pa pikë turpi edhe në këngë. Ata krenohen se të parët e tyre kanë mbaruar opinga dhe rripa me lëkurën e shqiptarëve e të turqve. Çfarë qytetërimi është ky, përveç nëse barbaria, nga dikush mund të quhet, qytetërim!!! Peshkopët dhe popat serbë në Kosovë i detyruan shqiptarët myslimanë t i hapin vetë varret dhe ata nuk pranuan të bëjnë kryq. Ata u vranë së bashku me fëmijët, gratë, nënat e nuset e tyre dhe u varrosen në varreza kolektive, jo vetëm në Lugun e Baranit, por gjithandej nëpër tokat shqiptare të pushtuar nga sllavët, në Vranjë, në Kumanovë, në Shkup, Tetovë, Manastir dhe në tërë Kosovën.

Pretendimet për nxitjen e konfliktit fetar në mesin e shqiptarëve nuk janë të reja as të kohës sonë. Janë bërë sa e sa përpjekje në këtë drejtim, por për fat të mirë, asnjëherë nuk kanë dhënë rezultate të dëshiruara për armiqtë e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar, i cili në mos për tjetër, në botë njihet dhe shquhet për tolerancën e vërtetë fetare, pa djallëzi dhe hipokrizi. Këtë digë të fuqishme të kombit nuk mund ta rrënojnë romanet, as shkrimet e servilëve të të huajve, as matrapazët e politikave koniukturale, meqë është bazament i ndërtuar mbi shpirtin e shqiptarit fisnik, i cili është i vetëdijshëm për fenë e të parëve, por nuk pretendon të rikthehet në ato rrënjë, sepse po të ndodhte kjo, atëherë dikush do të kërkonte të ktheheshim edhe më tutje, deri te paganizmi apo periudha e barbarisë. Kjo nuk ka kuptim, dhe këtë porosi të mjerë të individëve, qofshin këta, bena, luba, kada, bala, gjena, spaha qofshin këta edhe artema e janullata, nuk do ta pranojë shumica shqiptare, e cila e ka ruajtur me sukses ekuilibrin kombëtar e fetar si dhe identitetin e vetë autentik, në këtë pjesë të Ballkanit dhe të Evropës.

Barrën kryesore të luftës kundër Turqisë dhe jo vetëm kundër saj e bartën shqiptarët e besimit islam

Vëllezërve tanë të gjuhës dhe të gjakut, të cilët krenohen se kanë mbetur të krishterë, duhet t’ iu përkujtomë me këtë rast se barrën kryesore të luftës kundër Turqisë, qysh nga koha e Skënderbeut e kanë mbajtur mbi supe pikërisht shqiptarët e besimit islam. Skënderbeu, aq sa ishte Gjergj Kastriot, po aq ishte edhe Skënderbe. Ai nuk luftoi vetëm për ta ruajtur krishterimin, sikur është propaganduar dhe po propagandohet, por në radhë të parë për ta çliruar atdheun nga robëria turke. Ai nuk kërkoi, madje as nga nipi i tij, Hamzai ta ndërronte emrin, edhe pse ky e tradhtoi. Nuk kemi as edhe një dokument të kohës që flet se Skënderbeu i vriste shqiptarët, sepse kishin pranuar islamin. Ai vriste kundërshtarët dhe pushtuesit e trojeve shqiptare, prijësit e të cilave u bashkuan me Skënderbeun me qëllim për ta mbrojtur Arbërinë dhe jo krishterimin. Feudalët u bashkuan me Prijësin me qëllim për të mbrojtur pronat e tyre dhe jo ikonat e Shën Mërisë apo të Krishtit. Dihet mirëfilli se Gjergj Kastrioti luftoi me shpatë kundër pretendimeve pushtuese të Republikës së Venedikut në Shqipëri, edhe pse këta ishin të krishterë. Ishte shumë e vogël Shqipëria për t ia ndalur hovin Perandorisë Osmane dhe për ta ruajtur krishterimin në Evropë nga Turqia, e cila do të pushtonte vendet deri në mesin e Evropës. Por, Shqipëria në kohën e Skënderbeut bëri aq sa mund të bënte, dhe aq sa nuk bënë dot ballkanasit e tjerë, aq më pak serbët e grekët, të cilët pranuan statusin e robit, të rajasë dhe të skllavit.

Kryengritësi më i madh i kohës së Perandorisë turke, Halil Patrona, ( 1670-1730) ishte shqiptar nga Hurpishti, i cili edhe pse mysliman u ngrit për të ruajtur të drejtat e popullatës nga shfrytëzimi turk, pa dallim përkatësie e feje. Për këtë qëllim njerëzor dhe kundër shfrytëzimit, vetëm në Stamboll në nëntor të vitit 1730 u vranë rreth 7000 jeniçerë shqiptarë, në krye me Halil Patronën dhe po aq të tjerë u ndoqën, u vranë e shfarosën nëpër viset e Shqipërisë, dhe që të gjithë, pa dallim ishin shqiptarë të besimit islam.

Të gjitha figurat më të rëndësishme të kombit, që luftuan për shkëputje nga Turqia kanë qenë shqiptarë islamë. Këtë nuk e mohon askush në botë, sepse faktet janë shumë kokëforta. Të tillë kanë qenë: Ali Pashë Tepelena, Mehmed Ali Pasha i Misirit, pashallarët e Shkodrës, Dibrës dhe të Kosovës. Kreu i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pastaj të gjithë kryengritësit prej Skënderbeut e deri te Ismail Qemali e Adem Jashari, në përqindjen më të madhe kanë qenë shqiptarë islamë, dhe asnjërit prej tyre nuk i pengoi islami, as e ndërruan fenë. Ata ishin shumë humanistë dhe shumë të fortë në aspektin fetar dhe kombëtar. Ishte At Gjergj Fishta ai, i cili demaskoi dhe diskreditoi politikën antishqiptare të shteteve të krishtera të Evropës kundër copëtimit të Shqipërisë. Ishte Luigj Gurakuqi, krahu i djathtë i Ismail Qemalit me rastin e shpalljes së Pavarësisë. Të gjithë burrështetasit e suksesshëm të Shqipërisë, me ndonjë përjashtim të rrallë kanë qenë dhe janë shqiptarë me besim islam, por secili prej tyre ka pasur konsideratë të veçantë për vëllezërit e gjakut dhe të gjuhës. Shqiptarët e besimit islamë asnjëherë nuk e kanë mohuar as e mohojnë kontributin e vëllezërve të gjuhës dhe të gjakut në rizgjimin kombëtar, në bërjen e Shqipërisë e më fund edhe në çlirimin e viseve shqiptare nga barbaria ortodokse serbe.

Ky unitet, kjo lidhje e fortë emancipuese, kjo tolerancë fenomenale fetare në mesin e shqiptarëve, është bazament, i cili nuk mund të rrënohet. Të kota kanë qenë dhe do të mbesin përpjekjet e qarqeve antishqiptare të Athinës dhe të Beogradit, po aq sa janë të kota edhe përpjekjet e shërbëtorëve të tyre, të cilët në periudha të ndryshme edhe na kanë dëmtuar, por nuk kanë arritur ta vënë në pikëpyetje njësinë e kombit, fesë, gjuhës dhe traditës shqiptare. Lufta e qarqeve të tilla kundër islamit, nga radhët e shqiptarëve, qofshin këta myslimanë, katolikë apo ortodoksë, ka për qëllim edhe irritimin e shteteve islame për ta pranuar pavarësinë e Kosovës. Një masë e shprehur e këtij irritimi mbase edhe ekziston, meqë edhe klasa politike shqiptare e Kosovës nuk është treguar e aftë dhe as sa duhet e përgjegjshme në drejtim të propagandimit të pavarësisë në vendet islame.

Kontrolloni gjithashtu

Besnik Bislimi

Besnik Bislimi nuk pajtohet me qëndrimin e Serbisë në dialogun për çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë

Pas takimit në Bruksel, për çështjen e dinarit, zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi, ka shprehur …