leoni

Ahmet Qeriqi: Si i pasqyruam dhe i përjetuam ditët e fundit të luftës në Radion-Kosova e Lirë

Ahmet Qeriqi: Si i pasqyruam dhe i përjetuam ditët e fundit të luftës në Radion-Kosova e Lirë, – shkëputur  nga vepra dokumentare në dorëshkrim: “Kronikë lufte: 9 maj 1998- 24 qershor 1999”

E shtunë,  12 qershor, 1999. Ndihma humanitare nga ajri edhe në Malet e Berishës. Edhe tre dëshmorë varrosen në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë. Trupat angleze dhe amerikane depërtojnë në Kosovë

Rreth orës 5.30 minuta, në mëngjes, është dëgjuar ushtima e një aeroplani. Më vonë kemi konstatuar se lart nga qielli,  në Malet e Berishës, janë hedhur artikuj ushqimorë.

Nusret Pllana është zgjuar nga gjumi dhe  ka dalë nga tenda për të parë se ç’ po ngjet. Pas pak kohe është kthyer me dy pako të zbrazëta të ushqimit,  të cilat mendon se i ka hedhur aeroplani i ndihmave. Ushqimet ku di ku kanë tretur në këto humbëtira malore. Fshatarët, që janë zhvendosur në Grykën e Kizharekës, apo në dy grykat e Nekocit, megjithatë do t`i gjejnë. Ditëve të fundit është folur dhe është spekuluar shumë lidhur me hedhjen nga ajri të ushqimeve, por ky është aeroplani i parë të cilin e kemi regjistruar në malet  e Berishës. Edhe pse në kushte e rrethana të jashtëzakonshme, ne, asnjë ditë nuk kemi mbetur pa bukë. Për bukën dhe ushqimin tonë përkujdeset  Riza Berisha, në shtëpinë e të cilit keni qëndruar deri në fillimin e bombardimeve nga NATO-ja dhe deri  kur tri ditë më vonë selinë e Radios e bombarduan dy aeroplanë të ushtrisë pushtuese jugosllave. Riza është edhe anëtar i stafit. Ai përkujdeset për teknikën e transmetimit, sidomos për mirëmbajtjen e gjeneratorit, pa të cilin nuk japim dot program. Në ekipin e transmetimit ka qenë i angazhuar edhe vëllai i tij Milaimi, i cili tash kujdeset për familjen me shumë anëtarë,  në tendë, në mesin e popullatës së zhvendosur, në grykën e Kizharekës dhe atë të Berishës…

Sot po bën vapë e padurueshme. Moti nëpër këto male asnjëherë nuk është stabil. Re të dendura të tymit të zi nga djegia e shtëpive të fshatrave edhe sot po e mbulojnë Drenicën. Përgjithësisht ajri është i ndotur por këtu ku jemi vendosur në Rrafshnaltë, vazhdimisht fryjnë erërat dhe sakaq shpërndahen gazrat.

Rreth orës 10.00 në tendë kanë ardhur, Hilmi Ramadani, Vehbi Zeqiri nga Varigovci dhe Ali Mullini i Pjetërshticës. Hilmiu na tregon se sot do të varrosen tre të rënët, në pritë të forcave serbe, në Vreshtat e Senikut, më 3 qershor 1999. Në fillim mendova se është gjetur edhe trupi i luftëtarët, Milaim Beha nga Caraleva, i fejuari i bijës sime, Rrezartës, por doli se informata kishte qenë e gabuar.

Ndërkohë, Martin Çuni i solli të tre emrat e ushtarëve të rënë dëshmorë.  Në mesin e tyre figuronte edhe emri i Milaim Behës. Edhe pse i sëmurë dhe i lodhur, së bashku me Nezir Myrtajn jemi nisur në drejtim të Kleçkës, me qëllim  për të marrë pjesë në varrim. Gjatë rrugës një ushtar i UÇK-së, te Shtabi, në Divjakë, na njofton se, përveç Kujtim Krasniqit dhe Ejup Kryeziut, dëshmori i  tretë që është varrosur  është Shaqir Hoxha i fshatit Shalë, i rënë më 24 prill, në Grykë të Nekocit. E kuptoj se trupi i Milaim Behës,  ende nuk është gjetur.

Ushtari po ashtu na ka njoftuar se varrimi është kryer para një ore.

Më vjen keq që ne duke u mbështetur në informatën e Shtabit, përmes Radios e kemi transmetuar gabimisht informatën lidhur me gjetjen e trupit të  Milaim Behës.

Për të mos u krijuar huti, e kam porositur Fatmir Dugollin, teknikun e Radios, që të shkojë  në Pjetërshticë, ku aktualisht është vendosur familja e Mehdi Behës, për t’i bërë me dije se lajmi për gjetjen  e Milaimit ka qenë i gabuar. Pas transmetimit të programit Fatmiri është nisur në rrugën e tij, katër orë këmbë,  prej Berishës në Pjetërshticë.

Vapa e sotme e padurueshme  solli më në fund një shi të rrëmbyeshëm që ra si me rrëshek. Vazhdimisht kur varrosim dëshmorë bie shi. Është ky një paragjykim, që është krijuar në popull. Mirëpo rëniet e dëshmorëve ditëve të fundit janë  shumëfishuar.

Lufta na i mori bijtë më të mirë, luftëtarët më të përkushtuar, emblemat e luftës dhe dinjitarët e lirisë. Ende nuk dihet për fatin e Milaim Behës. Është e pamundur të jetë ndër të gjallët. Elez Durmishi më ka treguar një të dhënë që qëllimisht nuk e kam përhapur, përderisa nuk është gjetur trupi. Atij i ka thënë ushtari që ka shpëtuar se ka dëgjuar zërin e Milaimit kur ka thënë: -Më prishi bre, dhe duke e mbajtur gjoksin është lëshuar në tokë.

Vëllai i Milamit, Milazim Beha dhe bashkëluftëtari i tij, Adnan Muharremi nga Zborci kanë depërtuar në vend-rënien e dëshmorit, aty ku janë gjetur trupat e Ejup Kryeziut dhe Kujtim Krasniqit, por ende nuk e kanë gjetur kufomën. Si duket, Milaimi  me tërë forcën, duke qenë i plagosur rëndë është munduar të tërhiqet në drejtim të pacaktuar, por nuk ka gjasa që mund të ketë bërë tutje, apo të ketë shpëtuar.

Bëhet e ditur se sot trupat angleze dhe ato amerikane kanë hyrë në Kosovë. Përnjëherë pas tyre kanë filluar të kthehen edhe të dëbuarit, edhe pse autoritetet ndërkombëtare kanë paraparë kthimin e organizuar gradual të tyre.

Sipas burimeve tona nga terreni, sot forcat e këmbësorisë së NATO-s kanë filluar zbarkimin në Kosovë. Thuhet se të parët me tanke dhe artileri të rënë kanë hyrë në Hanin e Elezit dhe janë drejtuar për në Kaçanik, trupat angleze dhe amerikane….

Lajmet i kemi përgatitur dhe i kemi transmetuar me kohë. Ekipi i transmetimit në krye me Martin Çunin, Valdet Hotin, Gazmend Elshanin e Fatmir Dugollin, gjysmë ore para kohe janë vendosur në bunkerin e majës së Pallanikut dhe kanë transmetuar programin ditor, të sajuar  me lajmet të cilat kemi arritur t i marrim nga burimet tona në terren dhe nga informatat e tjera që i kemi shkëputur nga “Zëri i Amerikës”, “Dojçe Vele”, “Evropa e Lirë”, etj.

 

E diel, 13 qershor, 1999. Trupat ruse kanë hyrë në Prishtinë. Trupat franceze në Mitrovicë. Rusët  janë vendosur në Fushë Kosovë dhe në Aeroportin e Sllatinës. Gjendet trupi i dëshmorit, Milaim Beha, i rënë më 3 qershor në Vreshtat e Senikut

 

Mbrëmë, ashtu sikur të gjithë edhe unë kam ushtruar roje, deri në orën 23.00, ashtu sikur çdo natë, me ndërrime nga dy orë.  Në kohën e caktuar  erdhi Mentor Hoti dhe më ndërroi. Mentori është djali  i vëllait të Valdetit, Safet Hotit. Pastaj kam fjetur mirë dhe më duket se edhe kësaj radhe e mora vetën, më shpejt se zakonisht.

Sot është një ditë relativisht e qetë. Trupat serbe po tërhiqen duke lënë prapa prenë e shkatërrimet e barbarisë së tyre të shëmtuar. Ata djegin, thyejnë, shkatërrojnë çdo gjë që u del përpara.

Sapo jemi njoftuar se trupat ruse nga kontingjenti i SFOR-it, në Bosnje e Hercegovinë që ditë më parë kanë arritur në Kosovë. Ata kanë marrë nën kontroll Aeroportin e Prishtinës. Me rastin e hyrjes së tyre në Prishtinë, ditë më parë  serbët i kanë pritur  si çlirimtarë, duke shprehur një  shfreni dhe dalldi të pazakonshme me ushtarët rusë, edhe pse Kremlini nuk hyri në luftë me NATO-n për hatër të serbëve.

Bëhet e ditur se edhe sot në rrugën Shkup-Prishtinë kanë hyrë në territorin e Kosovës  trupat italiane dhe gjermane. Po ashtu trupat franceze kanë marrë Mitrovicën. Si duket ndarja e zonave është bërë me qëllime të caktuara strategjike. Rusët dhe francezët nuk mirëpriten nga popullata jonë.

Serbët po ikin, shqiptarët  e dëbuar nga vatrat e tyre në Shqipëri dhe Maqedoni,  po kthehen. Ne ende kemi mbetur nëpër gryka të maleve tona të dashura, ku kemi shpëtuar kokat dhe tani kemi filluar një frymëmarrje lirie, edhe pse ende ndodhemi në pozicione. Tërheqja e forcave serbe nga pikë-qëndrimet e tyre në Drenicë është paraparë në bëhet me 19 qershor. Deri atëherë do të ketë luftë…

Sot u vërtetua lajmi për gjetjen e trupit të dëshmorit Milaim Beha. Vëllai i tij, Milazim Beha po ashtu luftëtar i lirisë, pastaj bashkëluftëtari, Adnan Muharremi dhe disa luftëtarë të tjerë pas kontrollimit të terrenit te Vreshtat e Senikut, kanë gjetur trupin e  Milaimit.

Varrimi pritet të bëhet nesër, më 14 qershor 1999 në Varrezat e Dëshmorëve, në Kleçkë, pikërisht në një-vjetorin e zënies së Grykës së Caralevës, ku ai kishte marrë pjesë në radhët e para në luftimet për zënien me sukses të grykës.

Edhe sot e kemi përgatitur me kohë programin tonë ditor. Informacionet tanimë kanë të bëjnë me fillimin e tërheqjes së forcave serbe dhe me shkatërrimet që po lënë pas.

Në kuadër të programit kemi emetuar edhe një apel drejtuar banorëve që po kthehen nëpër shtëpi, me qëllim që të ruhen nga minimet e mundshme të shtëpive nga forcat serbe. Apelin e  ka hartuar eprori i armatës shqiptare, anëtari i SHP të UÇK-së,  Bardhyl Tahiri, i cili së bashku me Martin Çunin  ka ardhur në vendqëndrimin tonë, te Rrezja e Baliqit,  në Berishë dhe para diktafonit ka shpjeguar mënyrën se si duhet të ruhen të kthyerit nëpër shtëpi, duke pasur  kujdes dhe vëmendje të posaçme  në gjërat përreth, meqë serbët gjatë tërheqjes kanë minuar çdo vend ku kanë arritur. Ai ka shpjeguar në hollësi mënyrën e identifikimit të objekteve të dyshimta, duke i porositur të kthyerit që për çdo objekt të dyshuar të paralajmërojnë komandën më të afërt të UÇK-së, për të bërë deminimin.

Kolonel Bardhyl Tahiri, me origjinë nga Shkodra, edhe pse relativisht i ri në moshë duket i lodhur dhe i dërrmuar, sidomos në tre muajt e fundit të luftës, ku ka qenë i sistemuar në Shtabin e Zonës, së Drenicë dhe ku është ballafaquar me luftime të pandërprera, në kushte dhe rrethana të rrethimit të hekurt nga forcat serbe. Ai së bashku me Adem Shehun, i sistemuar  në Zonën e Llapit, Tahir Sinanin në Zonën e Pashtrikut dhe Dilaver Goxhajn në Shtabin e Përgjithshëm janë katër kolonelët e Ushtrisë shqiptare, të cilët iu bashkuan radhëve të çlirimtarëve të Kosovës dhe arritën ta mbijetojnë fitoren e UÇK-së. Nga mesi i luftëtarëve dhe eprorëve nga Shqipëria kanë rënë dëshmorë, Indrit Cara, Astrit Suli, Halit Coka, Arjan Brahimi e shumë të tjerë, për të cilët ende nuk kemi të dhëna. Shumë liridashës nga viset e kufirit kanë rënë në pritë të serbëve duke bartur armatim. Një ndihmesë të veçantë luftës së UÇK-së i ka dhënë Qeveria e Shqipërisë në përgjithësi, sikur Divizioni i Kukësit, në krye me komandantin, gjeneralin, Kudusi Lama, pastaj Ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj, në arenën diplomatike kryeministri,  Pandeli Majko, Fatos Nano e shumë të tjerë. Vetëm zëri i Sali Berishës nuk është dëgjuar gjatë kohës së  luftës. Ai i ka mbajtur anën Ibrahim Rugovës dhe ka mbështetur lëvizjen pacifiste në kohë lufte.

Edhe faktori ynë politik tani ka filluar të sensibilizohet. Janë krijuar ministritë e Qeverisë së Përkohshme dhe disa organe këshill-dhënëse, janë ndarë postet ministrore, etj. Ibrahim Rugova ka mbetur në Itali, ku ndërkohë po i kalon edhe pushimet verore.

E hënë, 14 qershor, 1999. Në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë, me nderime ushtarake varroset trupi i dëshmorit, Milaim Mehdi Beha. Në varrim marrin pjesë edhe gjeneral Agim  Çeku, major Salih Veseli dhe eprorë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së

Para dite së bashku ne Nezirin e  kemi përgatitur një informatë të cilën e ka kërkuar Ministria e Informimit, lidhur me Radion. Ishte një projekt-propozim për zgjerimin e stafit dhe për pajisje të reja teknike. Ne kemi paraqitur kërkesat që të na sigurohen kushte për emetim më cilësor.

Në orët e para ditës, Nezir Myrtaj ka përgatitur disa nga lajmet që do të emetohen në orën 16.00. Sot nuk i kam ndihmuar, meqë nuk ndihem mirë. Neziri, gjatë tërë kohës ka qenë dhe po mbetet  shtylla më e fuqishme e informimit në Radio, duke  mbajtur një qëndrim realist, militant. Komentet e tij realiste dhe largpamëse do të mbesin perla të ndritshme të qëndrimit të drejtë të luftës sonë për liri dhe pavarësi.

Në orën 13.00 së bashku me Nezirin jemi nisur në drejtim të Kleçkës. Atje do të varroset dëshmori, Milaim Beha.

Edhe sot bën vapë e padurueshme.

Në zabelin te shkolla, tanimë e shkatërruar dhe e djegur të fshatit Kleçkë, kemi arritur pas një orë rrugëtimi këmbë, në diell, pluhur dhe në vapë të padurueshme.

E kemi ngushëlluar Mehdiun, babanë e dëshmorit dhe anëtarët e tjerë të familjes Beha, nënën, motrat dhe vëllezërit e dëshmorit. Për të marrë pjesë në varrim kanë ardhur edhe Rrezarta, bija ime, e fejuara e Milaimit, pastaj Arbana, Labëria, Epiri dhe shumë të tjerë. Takoj edhe disa ushtarë të Caralevës, në mesin e tyre edhe eprorin, Naim Ismajli, të cilit i mbushën sytë me lot. Edhe vetë nuk i kam arritur të përmbahem nga lotët.

Në planimetrinë e varrezave ishte hapur varri për dëshmorin. Pranë qëndronte trupi i tij, në arkivol. Më pas rreshtohet garda e nderit. Tutje në ballë gjeneral, Agim Çeku, pastaj Salih Veseli dhe shumë eprorë dhe ushtarë. Ishte një pikëllim i veçantë.  Vetëm për disa ditë,  Milaimi nuk e priti lirinë, aq shumë të dëshiruar dhe për të cilin kishte derdhur mundin djersën e më në fund edhe gjakun. Sot kemi varrosur ushtarin më fjalë pak  të UÇK-së, luftëtarin që kurrë nuk foli për vetveten, por që la pas vete shumë vepra trimërie, që kurrë nuk do të harrohen.

Për jetën dhe veprën e dëshmorit një fjalë rasti e mbajti, majori, Salih Veseli, i cili veçoi kontributin e dëshmorit në realizimin e detyrave të Njësive Speciale të SHP të UÇK-së. Miliami me luftëtarët e tij ishte kurdoherë në mbrojtje të pjesëtarëve të Shtabit dhe të eprorëve, që depërtonin nga një zonë në tjetrën. Ai kishte marrë pjesë në aksionet më të fuqishme dhe më të shënuara në Njësive speciale së bashku me komandantin Tahir Sinani, Ajvaz Berishën e të tjerë.

Pastaj në emër të familjes pranon dhe shpreh ngushëllimet drejtuar gjeneralit dhe bashkëluftëtarëve të tij, babai i dëshmorit, Mehdi Beha. I ngurtësuar nga dhembja por shumë i përmbajtur, ai mundohet të tregohet i pathyeshëm, ashtu sikurse edhe mijëra baballarë të tjerë, bijtë e bijat e të cilëve u flijuan për lirinë e Kosovës.

Pas ceremonisë së varrimit qëndrojmë edhe pak me bashkëluftëtarë dhe me anëtarët e familjes së dëshmorit. Në sytë e secilit  vërej lot, dhembje..

Rreth orës 15. 00 së bashku  me Nezirin  nisemi drejt Berishës.

Sërish do të kthehemi në tendë, këmbë, në vapë e pluhur. Askush nuk e ndalon veturën për të na marrë, edhe pse shumica na njohin.

Duket sikur tani e tutje secili do të interesohet vetëm për vetveten.

Lufta, duket se po  mbaron edhe pse zbrazja  e armëve dhe shpërthimet e fuqishme nuk kanë të ndalur.

Te Pallati i Qeverisë, në fshatin e Ri, shohim plot njerëz. Ushtarë, eprorë, civilë, anëtarë të delegacioneve të huaja…

Pasi kemi arritur në tendë nga lodhja, sëmundja dhe dhembja kam rënë për të pushuar në krevatin tim të metaltë, në tendë. Mbaroi edhe një ditë me pikëllim të thellë…

E martë, 15 qershor 1999. Më në fund sërish në Krojmir. Shkojmë për të ngushëlluar familjen e dëshmorit Milaim Beha, e cila tani për tani  ndodhet në Pjetërshticë

Ngjarjet po zhvillohen me shpejtësi marramendëse. Trupat serbe po largohen nga Kosova, së bashku me ta edhe kriminelë të tjerë, që kanë kryer vepra të shëmtuara kundër popullatës civile. Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po depërtojnë nëpër fshatra dhe qytete. Ata po pozicionohen në pika strategjike por sa kohë do të zgjasë  e tërë kjo rrëmujë, ende nuk dihet.

Ne, ekipi i Radios-Kosova e Lirë kemi ngelur këtu, në Berishë.

Bajram Kosumi, ministër i Informimit Publik në Qeverinë e Përkohshme ka nënshkruar një dekret në të cilin ka emëruar Berat Luzhën drejtor të Agjencisë Kosovapress. Ne të tjerëve, me disa gazetarë, që gjatë kohës së luftës kanë qëndruar në Tiranë, na ka caktuar në njëfarë Këshilli Drejtues për Radiotelevizion. Martin Çuni dhe Nezir Myrtaj nuk përmenden fare. Krejt kjo ka ngjallur një reagim të papërmbajtur  të tërë stafit. Vendime të tilla kanë marrë ikanakët, ata që gjatë tërë kohës së luftës kanë qëndruar në Tiranë, madje na në mesin e tyre edhe të atillë që kanë ikur nga frontet e luftës.

Në orët e pas ditës, komandanti i Batalionit, “Ruzhdi Saliu”, Elez Durmishi dhe shoferi i Radios, luftëtari i UÇK-së,  Ali Mullini kanë ardhur në Berishë. Pasi e kemi përgatitur emisionin, unë dhe Nezir Myrtaj së bashku me Aliun dhe Elezin, me veturë nisemi në drejtim të Kleçkës, e prej andej nëpër Grykë të Shalës. Gryka e Shalës tanimë është braktisur. Të gjithë të zhvendosurit që e kanë mbijetuar luftën janë kthyer nëpër shtëpi. Shihen vetëm konturat e kasolleve dhe tek tuk ndonjë tendë e braktisur.

Jemi kthyer sërish në Krojmir, në shtëpinë e Arian Qeriqit ku kemi qendruar  një kohë të gjatë.

Atje tanimë janë kthyer të gjithë.

Në shtëpi i gjeta të gjithë anëtarët e familjes sime, bashkëshorten,  Zymryten, Epirin, Arbanën, Labërien, Rrezen dhe Zamirin, i cili nuk e përmban dot gëzimin e kthimit në shtëpi, edhe pse luftën e ka përjetuar në një mënyrë të veçantë, me bashkëmoshatarët e tyre. Ata kanë improvizuar një njësit ushtarak me pushkë druri. Kanë rregulluar edhe bunkerë. Kanë improvizuar ndalimin e të panjohurve. Lufta për Zamirin dhe gjeneratën e tij të dhjetëvjeçarëve ka pasur anën e vet të shprehjes autentike. Në familje mungon vetëm bija ime Antigona. Ajo së bashku me bashkëshortin,  Mehdiun, djalin, Getartin jeton në Gjermani. Me te jemi dëgjuar kohë pas kohe dhe tanimë e kemi lajmëruar se të gjithë kemi shpëtuar gjallë nga lufta.

Ngazëllimin e fitores edhe në familjen tonë e frenon rënia dëshmor e Milaim Behës. Pasi kemi pushuar së bashku me Nezir Myrtajn, Ali Mullinin, Sylë Qeriqin dhe Elez Durmishin nisemi për në fshatin Pjetërshticë, ku po mbahet e pamja për dëshmorin, Milaim Beha.

Mehdiu, babai i dëshmorit po mbahet i fortë. Edhe vëllai, Milazimi luftëtar i lirisë, po ashtu po tregohet i përmbajtur.  Në mbrëmje, ka ardhur Reshat Gashi dhe Musa. Ai tregon se ka qenë në Shtimje, në Lipjan dhe në Magurë, prej nga ka ardhur sot. Reshati na tregon se serbët kanë ikur së bashku me ushtrinë e tyre vrastare, ndërsa shtëpitë tona në Shtime janë demoluar e plaçkitur, por nuk janë djegur.

Në mbrëmje papritmas u dëgjuan të shtëna nga armët automatike. Edhe pse këto të shtëna bëhen në shenj fitoreje. Jemi frustruar e lodhur tejmase nga krismat. Ndiej nevojë jetësore për sa më shumë qetësi.

Epiri dhe Arbana kanë vendosur që nesër të shkojnë në Shtime.  I porosis që të kenë kujdes meqë serbët, apo bashkëpunëtorët e tyre mund të kenë vendosur ndonjë mjet  eksplodues.

Krojmirasit  janë kthyer nëpër shtëpitë e tyre. Shumica i kanë rregulluar tendat nëpër oborre. Kanë shpëtuar pa u djegur edhe shumë shtëpi, kështu që vendosja tani për tani është më e mirë se në Grykën e Shpëtimit, e cila e mbijetoi katrahurën e luftës. E kishim emërtuar Gryka e Shpëtimit dhe ashtu ndodhi. Në atë grykë kanë mbijetuar luftën rreth 27 mijë të zhvendosur nga Drenica, Llapusha dhe lokalitete të ndryshme të Kosovës. Gryka e Shpëtimit në Krojmir ka qenë vendqëndrimi më i madh dhe më i sigurt gjatë tërë kohës së luftës në Kosovës.

Jeta, tani ka më shumë kuptim. Nga Kosova po largohen definitivisht kolonizatorët barbarë serbë, së bashku me shumicën e kriminelëve.

Pasojat e luftës janë të mëdha dhe të pallogaritshme. Janë qindra varreza masive dhe nuk kemi informata të sakta sa mijëra veta do të kenë pësuar nga barbaria pushtuese…

E mërkurë, 16 qershor 1999. Ngushëllojmë familjen e dëshmorit Azem Kastrati dhe familjen e  Adil Cenës në Nekovc. Ende transmetojmë program në zonat e luftës, meqë tash për tash nuk kemi vend tjetër

Jemi zgjuar herët. Edhe sot na presin shumë punë.

Në orën 8.00 ka ardhur Ali Mullini me veturë dhe së bashku me Nezir Myrtajn,  Sylejman Qeriqin dhe Elez Durmishin jemi nisur në drejtim të Nekocit. Fillimisht kemi shkuar te familja e dëshmorit, Azem Kastrati, për të ngushëlluar. Azemi ka rënë më 3 qershor në Zborc, Po atë ditë ka rënë edhe dëshmori, Besim Sopa nga fshati Gjurkoc. Në shtëpitë e shkatërruara nga barbaria kemi takuar djalin e Azemit dhe nënën e tij, një grua  burrëneshë që mbahej e fortë dhe e pathyeshme.

-Djali e ka lënë shtëpinë plot, thotë ajo dhe shton, rrofshin ata që e çliruan Kosovën dhe gjaku i të rënëve kurrë mos u harroftë. Nëna të tilla  kanë lindur dhe kanë rritur trima si Azem Kastrati, Gani Kastrati, Islam Kastrati dhe shumë të tjerë. Azemi, me të cilin jemi njohur qysh në fillim të luftës ka lënë pas gjashtë bija dhe dy bij, si dhe nënën e vëllezërit. Ai ishte bashkëluftëtar i pandashëm me kushëririn tim Sylejman Qeriqi, luftëtar i radhëve të para të UÇK-së, së bashku me Ezel Durmishin, Ilaz Dërgutin e Rezallës, Ramiz Qeriqin e Krojmirit e shumë të tjerë.

Pastaj nisemi në drejtim të “Mahallës së Lugut” në Nekoc. Ditë më parë ka vdekur rapsodi i mirënjohur, Adil Cena, babai i Enver Dugollit,  cili ende ndodhet i ngujuar në burgjet serbe.

Në shtëpinë e djegur e të shkatërruar në një odë takojmë, bijë e Adilit,  Naserin, Ilirin dhe Gafurrin. Luftëtarë të UÇK-së.

I ngushëllojmë të pranishmit.

-Edhe pse i sëmurë dhe i lodhur, babai pak para vdekjes e mori lajmin për çlirimin e Kosovës. Të paktën nuk shkoi me sy hapur në atë botë, thotë Iliri, luftëtar I lirisë, i plagosur në betejen e Rahovecit.

Pasi dalim nga shtëpia e Naser Dugollit, ndahemi. Syla, Elezi dhe Aliu nisen në drejtim të Krojmirit, ndërsa unë dhe Nezir  Myrtaj rrugëtojmë sërish nëpër Grykën e Gashit,  tutje drejt maleve të Berishës.

Gjatë rrugës takojmë edhe të zhvendosurit e fundit të cilët me traktorë po niseshin drejt shtëpive të tyre. Edhe pse të lodhur e të dërrmuar në sytë e secilit vërehet shpresa. Liria kishte aguar…

Edhe banorët e kësaj gryke e kanë mbijetuar luftën. Vuajtjet harrohen, ashtu sikurse kanë filluar të zhduken gjurmët e tendave.

Më në fund arrijmë në vendqëndrimin tonë në Berishë. Vetëm ne kemi mbetur në tendë. Pa vonuar me Nezirin fillojmë të sajojmë informacionet.

Disa informacione nga Agjencia Kosovapress i ka sjellë  Martin Çuni.

Pasi e kemi transmetuar emisionin, Nusret Pllana dhe Nezir Myrtaj kanë marrë xhipin e Radios dhe janë nisur për në Prishtinë, meqë dihet se rruga prej Duhles në Prishtinë tanimë është e qarkullueshme dhe e sigurt. Nusretit nuk i rrihet më në Berishë. Ai është shumë i zhdërvjellët dhe nuk i zihet vendi vend. Edhe pse shumë i  përkushtuar në punë  ai ka hallin e prindërve, të bashkëshortes dhe bijës së vetme të vogël, Teutës.

 Në vend-qëndrimin tonë në tendën e vendosur te Zabeli i Baliqit,  sot ka ardhur edhe Habib Zogaj, anëtari i stafit dhe reporteri i luftës në zonën e Rahavecit e të Pashtrikut. Habibi, gjatë tre muajve të fundit ka qëndruar në malet e Zatriqit, së bashku me familjen dhe me luftëtarët e asaj zone. Ai  na bën me dije në familje i ka të gjithë shëndosh, por vetë nuk ndihet mirë, meqë ka të lënduar unazat e kurrizit. Habibi përveç se gazetar i radios ka qenë edhe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në luftë. Ai ka bërë edhe shumë fotografi me vlerë nga lufta dhe nga masakrat serbe.

Ndihemi më të disponuar shpirtërisht. Kosova po çlirohet, barbarët po dëbohen, të dëbuarit shqiptarë po kthehen me shpejtësi, kush me traktorë e vetura e kush këmbë. Të gjithë kanë janë nisur  drejt shtëpive të tyre të shkatërruara e të djegura…

E enjte,  17 qershor 1999. Nuk dimë se si do të definohet statusi i ardhshëm i Radios-Kosova e Lirë

Qysh në mëngjes iu kam rrekur punëve në sajimin e informatave. Fillimisht i kam sajuar lajmet ndërkombëtare e pastaj Martin Çuni solli disa informata edhe nga Agjencia Kosovapres.

Meqë Neza dhe Nusreti nuk janë kthyer dhe unë nuk kam fare kondicion, as zë për t`i lexuar lajmet, jemi marrë vesh që lajmet t`i lexojnë Martin Çuni dhe Habib Zogaj. Valdet Hoti dhe Fatmir Dugolli i kanë incizuar ato, si preventivë të mos ndodhin gabime gjatë leximit. Ata kanë montuar edhe pjesë të tjera të programit ditor.

Martin Çuni na njofton se në Shtab është mbajtur një mbledhje me komandantët e zonave. Ai tregon se në mbledhje nuk ka marrë pjesë Sami Lushtaku, nuk e di arsyen.

Martini po ashtu na njofton se krejt në fund kemi siguruar një kartelë për telefonin satelitor. Tani kur nuk kemi shumë nevojë për informata nga zonat dhe kur po bëhemi gati të shkojmë në Prishtinë, në mbarim të luftës, pas gjashtë muaj transmetimi, siguruam një kartelë për telefon. Edhe kjo duhet shënuar në këtë kronikë. Në raste të tilla, neglizhenca dhe mospërfillja, paragjykimet e mendjekrisurve dhe injorantëve  duhet të paktën të shënohen diku, sepse nuk duhet harruar sa e sa vështirësi keni hasur  deri tani, në mungesë të një kartele të telefonit satelitor…

Sot, në tendën tonë te Rezja  e Baliqit  na ka vizituar edhe Bajram Kosumi, ministri i Informimit Publik, në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës. Bajrami, gjatë kohës së luftës nga Zona Operative e Llapit me disa veprimtarë të tjerë, kanë depërtuar fillimisht në ish RJ të Maqedonisë e prej andej në Shqipëri. Tash është kthyer në Kosovë dhe Qeveria e Përkohshme e ka caktuar ministër të informimit. Ne të tjerët kemi kryer misionin tonë të shenjtë historik dhe tani e tutje mund të kthehemi atje ku kemi qenë. Kjo duket se do të jetë logjika e gjërave me mbarimin e luftës.

Bajrami ka shfaqur interesim të shkojmë për ta parë bunkerin nga ku kemi transmetuar gjatë kohës së luftës dhe ku ende  transmetojmë programin ditor. Ndërkohë nga Prishtina janë kthyer Nusret Pllana dhe Nezir Myrtaj. Së bashku me ta kanë ardhur edhe do kalimtarë rasti nga Gjakova, të cilët me veturën e tyre e kanë sjellë Nusretin e Nezirin deri në Berishë, meqë xhipi i Radios ka pësuar defekt dhe atë e kanë lënë te ushtarët tanë, në Caralevë.

Me Bajram Kosumin kemi biseduar lidhur me punën e mëtutjeshme në Radio. Ai, edhe pse është caktuar ministër, nuk ka ndonjë ide se si do të definohet çështja e statusit të Radios, meqë ende nuk dihet as statusi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas një bisede të gjatë mbeti që për radion dhe angazhimin tonë të mëtejmë t` i drejtohemi Shtabit… Nezir Myrtaj shprehet tejet skeptik lidhur me perspektivën e Radios, meqë shokët tanë të luftës, me rastin strukturimit të dikastereve të Qeverisë, na kanë lënë tërësisht anash, për arsye të paragjykimeve, që vetëm ata i dinë…

 

E premte, 18 qershor, 1999. Vajtje ardhje të pandërprera në  vendqëndrimin tonë, në Krojmir

Në mëngjes nga Berisha  me Bajram Kosumin e të tjerë  jemi nisur në drejtim të Nekocit. Bajrami për në Prishtinë unë për në Krojmir.

Në Mahallën e Lugut, në Nekoc e kemi takuar Ali Mullinin dhe  Sylë Qeriqin. Nisemi në drejtim të Krojmirit. Në dalje të fshatit takojmë Ilaz Dërgutin, shefin e operativës në Zonë e Drenicës me disa luftëtarë, Përshëndetemi vëllazërisht, duke pyetur për shokët për familjet e tyre. Ilazi na njofton se forcat kriminale janë dëbuar nga Drenica dhe nesër organizohet hyrja triumfale, në Skënderaj.

Unë dhe Syla mbetemi në Krojmir, ndërsa Ali Mullini dhe Vehbi Zeqiri e përcjellin Bajram Kosumin për në Prishtinë.

Në Krojmir takova bijën, Arbanën, e kyçur në luftë qysh prej fillimit dhe djalin tim,  Epirin, pjesëtar i UÇK, së. Ai së  bashku me Elhami Qeriqin dhe Agron Durmishin, edhe pse pa i mbushur 18 vjet janë pranuar në radhët e luftës. Arbana dhe Epiri më tregojnë se shtëpia në shtime nuk është djegur, por duhet pastruar e rregulluar. Kanë shpëtuar pa u djegur edhe shtëpia e Osmanit, e Hasanit dhe e Shpendit.

Më gëzon fakti se janë ruajtur librat, sidomos biblioteka e gjyshit në gjuhën arabe, turke e persiane. Të gjitha librat babai im, Aliu i ka vendosur në podrum dhe sipëri iu ka vënë një pllakë betoni. Edhe sikur të ishte djegur shtëpia librat do të ruheshin. Baba e ka bërë punën më të mençur gjatë qëndrimit të tij ilegal në Shtime.

Përgjithësisht kemi shpëtuar edhe pse me vuajtje djersë e mund. Të gjitha këto harrohen.

Ndërkohë në vendqëndrimin tonë të përkohshëm në fshat kanë ardhur: Ramadan Rizani, Vehbi Qeriqi, Bajram Rizani, Salih dhe Naim Rizani, Ajvaz Karpuzi, Isë Qeriqi, Idriz Qeriqi, Naser Bytyqi, Tahir Krasniqi e shumë të  tjerë. Ata na ngushëllojnë për dëshmorin, Milaim Beha.

Më vonë për të na parë ka ardhur edhe Shaban Mustafa, i lagjes Metaj nga Krojmiri, së bashku me një ushtar tjetër, bashkëluftëtar i Milaim Behës.

Në mbrëmje ka ardhur Mehdi Beha me bashkëshorten e tij. Mehdiu edhe pse i  ngurtësuar nga dhembje, nuk jepet. Ai ka ardhur që sipas zakonit ta lirojë nga fejesa, bijën time Rrezartën. Dëshiron të mbesim miq dhe të shkojmë te njëri tjetri, por Rrezja nga ana e tyre është e lirë për të vendosur fatin e saj në të ardhmen. Më dhimbset në shpirt, Mehdiu dhe i premtoj se sa të jem gjallë do ta konsideroj mik e shkuar mikut. Milami ka rënë për lirinë e Kosovës. Kujtimi për veprën e tij heroike do të mbetet përjetë i paharrueshëm.

Sot kemi marrë një lajm të gëzueshëm në familje. Nuk dinim gjë për Shpendin, djalin e madh të vëllait tim të ndjerë, Isufit. Fillimisht kishim informatë se është nisur për në Maqedoni, por më vonë mësuam se nuk ndodhej atje. Shpendi gjatë luftës ka qëndruar në Prizren dhe sot nga Bellanica ka arritur në Shalë e prej andej në Krojmir. Të gjithë jemi gëzuar e veçmas babai im, Aliu i cili gjatë muajve të fundit të luftës ka qëndruar në Zonën Operative të Neredimes, së bashku me nënën time Xhevahiren, me Gazmendin dhe Shpresën, bijtë e vëllait tim,  Isufit,  dhe me nënën  e tyre, Meleqen, bija e Rexhep Rifatit nga Bellanica. Nipi i Rexhepit, Rifat Faik Kafexholli ka qenë i dënuar 20 vjet burg nga regjimi titist në Kosovë në vitin 1984.  Tani jemi të gjithë tok. Edhe vëllai im, Hasani tok me bijtë e bijat është kthyer në Shtime. Vëllai i vogël Salimi ndodhet në Gjermani. Bashkëshortja e tij, Sofija, me bijat, Albanën e Gresën dhe djalin Albanin, kanë mbijetuar ashtu si kanë mundur. Një kohë gjatë luftës kanë qëndruar në Shqipëri, te dajallarët e nënës sime, në Qerret të Durrësit…Në Shtime është kthyer edhe Arbeni, djali i vëllait tim Osmanit, së bashku e bashkëshorten bijtë dhe nënën e tij. Ndërkohë pritet të kthehet edhe Avniu, luftëtar në Frontin e Koshares. Vëllai im Osmani, gjatë luftës është maltretuar nga policët serbë, ndërkohë me gruan e tij të dytë, në muajt  e fundit të luftës ka qëndruar në Shkup.

Në fshat ende ka mbetur, xhaxhai im, Mehdi Qeriqi, pjesëtar i UÇK-së, bashkëshortja e tij, Ajshe Kadri Beba, tezja ime si dhe bija e tyre, Melikija, luftëtare e UÇK-së. Bijtë e xhaxhait,  Mexhidi dhe Emini së bashku me familjet e tyre ndodhen në Gjermani.

 

E shtunë,  19 qershor 1999. Ende nga Maja e  Pallanikut, jehon zëri i Radios Kosova e Lirë

Në mëngjes me Ali Mullinin jam nisur për në Berishë. Me ne ka ardhur edhe Arbana me Zamirin me qëllim që përmes telefonit satelitor të flasin me me bijën time, Antigonen e cila ndodhet në Gjermani. Në rrugë kemi ndaluar dhe  e kemi marrë edhe Dalip Rizanin, luftëtarin e radhëve të hershme të UÇK-së, i cili në vitin 1993 me një grup nga Krojmiri, Rezalla, e Llausha na kryer stërvitjet ushtarake në Shqipëri. Ai ka punë në Shtab.

Rrugën për në Berishë e kemi bërë nëpër Komaran, Llapushnik, Arllat, Lagja e Bytyçve, Fshat i Ri, Berishë. Për herë të parë kemi rrugëtuar në këto anë. Rrugës kemi vërejtur shtëpi të shkatërruara dhe barbari të tjera që kanë lënë pas barbaroidët serbë.

Rreth mesditës së bashku me Martin Çunin kemi shkuar te Pallati i Qeverisë me qëllim për të biseduar me Jakup Krasniqin lidhur me vazhdimin apo ndërprerjen e transmetimit të programit të Radios.

Edhe pse kemi biseduar me te, nuk kemi vendosur definitivisht se çfarë do të bëjmë. Jakupi ka punë të tjera dhe nuk i intereson aq shumë Radioja, edhe pse ajo po e përmbyll me sukses misionin e vet, madje më me sukses se çdo institucion tjetër i luftës.

Arbana dhe Zamiri janë kthyer në Krojmir me Reshat Gashin, i cili gjatë luftës ishte i angazhuar në ambulancën e Krojmirit së basku me mjekët: Jakup Ismajli, nga Caraleva, Fitim Selimi nga Banulla, Naser Bytyqi nga Qylaga, dhe teknikët Musa nga Zborci, Tahiri nga Varigoci e të tjerë.

Unë e Martin Çuni kemi shkuar në Berishë.

Pas transmetimit të programit janë nisur për në Prishtinë: Martin Çuni, Nezir Myrtaj, Nusret Pllana, Valdet Hoti dhe Rizah Berisha.

Sonte në Berishë kemi mbetur vetëm unë, Fatmir Dugolli dhe Milaim Berisha, vëllai i Rizahut.

Më vonë e kam marrë në telefon Azem Sylën dhe kam kërkuar mendimin e tij lidhur me Radion dhe anëtarët e stafit. As Azemi nuk ka ndonjë ide konkrete dhe më porosit që mundësisht, tani për tani  të mos e ndërpresim transmetimin, meqë Kosova ende ndodhet në një terr informativ. Ai premton se do të bëjë çmos për të na ndihmuar në kompletimin e pajisjeve dhe fillimin e transmetimit në Prishtinë.

E ardhmja e Radios-Kosova e Lirë duket shumë e zymtë. Nuk kam ide se do të veprojmë në kushte dhe rrethana të reja me këto pajisje të dobëta teknike që janë në përfundim e sipër. Nuk kemi siguruar vend ku do të mund të vendosemi, në Prishtinë. Të qëndrojmë edhe më tutje në Berishë është e pamundshme. Tani secili po kërkon të kthehet në shtëpi të vet. Në njëfarë mënyre kemi mbetur varur dhe nuk di si do t`ia bëjmë.

Pavarësisht nga të gjitha gëzon fakti se kemi shpëtuar të gjithë dhe kemi kryer një mision informativ të pazëvendësueshëm, edhe pse në kushte tejet të rënda dhe në mungesë të shprehur mbështetjeje e mirëkuptimi. Mirëpo puna, djersa, gjaku po shpaguhen me lirinë e vendit. Për herë të parë në historinë tonë më të re po marrin frymë lirshëm.

 

E diel, 20 qershor 1999. Transmetimit të programit në maje të Pallanikut po i vjen fundi

Duke qenë se tani për tani kam mbetur vetëm, gjatë orëve të para ditës i kam përcjellë me vëmendje lajmet, në përpjekje për të sajuar sa më shumë informata për zhvillimet aktuale. Kam hartuar edhe një shënim tematik për luftën dhe heroizmin e luftëtarëve tanë në mbrojtje të pozicioneve të UÇK-së në Rrafshnaltë.

Rreth mesditës nga Prishtina kanë ardhur Nezir Myrtaj, Nusret Pllana, Valdet Hoti dhe Rizah Berisha. Martini ka mbetur në Prishtinë. Programin ditor e kemi përgatitur dhe e kemi transmetuar me kohë. Rrugën prej shtëpisë së Rizah Berishës e deri afër Pallanikut e bëjmë me veturë dhe pa droje nga raketat armike, skeletet e të cilave ende shihen kudo të ngulura në tokë.

Pas transmetimit jemi tubuar në odën e Rizës dhe kemi biseduar për të ardhmen e radios.

Edhe Nezir Myrtaj ka biseduar përmes telefonit me Azem Sylën, i cili ka premtuar ndihmë, por ende nuk është vendosur diçka konkrete.

E kemi vështirë të vendosim vetë për statusin dhe të ardhmen e Radios meqë mjetet dhe teknika janë të Shtabit të Përgjithshëm dhe nuk mund të tjetërsohen as të privatizohen, edhe pse këto mjete teknike janë në mbarim e sipër dhe nuk mund e shtyjmë gjatë me to.

Duke qenë se nesër, më 21 qershor edhe zyrtarisht po përmbyllet kapitulli i luftës dhe i tërheqjes definitive të ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova, konsiderojmë se edhe misioni ynë si radio e luftës ka përfunduar. Kemi vendosur që nesër ta njoftojmë opinionin për ndërprerjen e programit  në Berishë, me shpresë se nuk do të vonojmë dhe në kushte e rrethana  të reja të fillojmë punën në Prishtinë.

 

E hënë, 21 qershor 1999. Dita e fundit e transmetimit të programit të Radios Kosova e Lirë në majën e Pallanikut. Forcat serbe janë dëbuar definitivisht nga vendi ynë, por pasojat e barbarisë i kanë lënë prapa. Sot kanë rënë në mina tre luftëtarë të UÇK-së dhe dy oficerë anglezë të KFOR-it.  

Është bërë i njohur lajmi për largimin definitiv të ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova. Së bashku me ushtrinë kriminale po largohen edhe shumë kriminelë serbë, sidomos ata që kanë përlyer duart me gjakun e shqiptarëve.

Kësaj radhe serbët e kanë realizuar çdo pikë të Marrëveshjes për tërheqje e cila është realizuar dy ditë më parë, por sot është zyrtarizuar. Forcat franceze kanë zënë Mitrovicën, ndërsa një pjesë e madhe e serbëve është ndalur në pjesën veriore të qytetit tashmë të ndarë mbi lumin Ibër ku kontrollojë patrullat franceze të KFOR-it. Edhe forcat ruse janë stacionuar në Fushë Kosovë dhe në Aeroportin e Prishtinës. Po flitet se forcat ruse do të inkuadrohen në radhët e KFOR-it. Në Kosovë tanimë kanë depërtuar forcat amerikane, gjermane, austriake e të tjerë.

Sot morëm një lajm të hidhur. Në përpjekje për të deminuar vendin në oborrin e Shkollës, në Lagjen Bytyçi, në Arllat kanë rënë dy luftëtarë të lirisë, dy ushtarë anglezë dhe një rojtar i shkollës. Me rastin e largimit të minave, njërit nga ushtarët e huaj i ka shpëtuar bomba kasetë nga dora dhe nga shpërthimi kanë gjetur vdekjen të gjithë. Barbarët janë larguar por prapa kanë lënë gjurmët e sodomisë së tyre kriminale. Në mesin e ushtarëve të rënë në mina janë,  Sami Gashi Osman Krasniqi, Milazim Gashi dhe dy ushtarë  anglezë të KFOR-it.

Sot kemi paralajmëruar ditën e fundit të transmetimit të emisionit në majën e Pallanikut. Përmes një shënimi që e kam hartuar i kam bërë të ditur emrat dhe mbiemrat e anëtarëve të stafit dhe punën që kanë kryer gjatë kësaj periudhe  afër gjashtëmujore.

Ndërprerja e programit pikërisht në ditën e largimit zyrtar dhe definitiv të serbëve nga Kosova ka  simbolikën e vet domethënëse. Paralajmërimi i fitores qysh më 4 janar ishte një hap tejet i guximshëm i stafit të Radios-Kosova e Lirë, por tani i bërë realitet.

Radio-Kosova e Lirë ka kryer misionin që i ka caktuar vetvetes dhe sot po e përmbyll kapitullin më të rëndë, por edhe më të lavdishëm të ekzistencës së vet. Ishte radioja e vetme e luftës në Kosovë që së bashku me agjencinë Kosovapress, u bënë jehonë e vërtetë e luftës çlirimtare. Me radion tonë kanë bashkëpunuar qindra liridashës nga mbarë trevat e përfshira në luftime. Në fushën e nderit ka rënë Xhavit Bajraktari , luftëtar i Zonës së pashtrakut, anëtar i stafit në terren. Në mbrojtje të Rrafshnaltës dhe të pozicioneve tona nga ku kemi transmetuar prej 1 prillit deri më 2 maj 1999 kanë rënë  11 dëshmorë të lirisë.

Në Brigadën 121, të Zonës Operative të Pashtrikut, ku e ka shtrirë aktivitetin transmetues Radioja Kosova e Lirë dhe Agjencia Kosovapress kanë rënë 65 dëshmorë, në mesin e tyre edhe Ismet Jashari -Komandant Kumanova.

Në mbrëmje nga Pjetërshtica ka ardhur Ali Mullini dhe Fatmir Dugolli. Mjetet dhe pajisjet teknike i kemi tërhequr nga Pallaniku dhe i kemi vendosur në strehimoren tonë të paharrueshme, te Rrezja e Baliqit.

Nezir Myrtaj dhe Nusret Pllana janë nisur për në Prishtinë. Valdet Hoti ka shkuar në Carrallukë. Pasi përshëndetemi me familjen e Rizah Berishës, me xha Asllanin, me nënë Belen dhe me të tjerët, me shpresë se do të takohemi, në Prishtinë te Nezir Myrtaj apo Martin Çuni. Me Ali Mullinin dhe Fatmir Dugollin nisem për në Krojmir…

E martë, 22 qershor 1999. Me tërë familjen  vendosemi në shtëpinë tonë në Shtime, pas 13 muajve të qëndrimit në frontet e luftës çlirimtare

Herët në mëngjes, luftëtari i lirisë she vozitësi i stafit të Radios, Ali Mullini, me veturën e tij i përcolli për në Shtime, bijën time Arbanën, e cila ka qenë e angazhuar në luftë qysh prej fillimit, pastaj  bashkëshorten time Zymrytin, Zamirin dhe Rrezartën. Unë me Epirin dhe Laben  kemi qëndruar  në Krojmir, deri në mbrëmje.

Jam takuar me Sylë Qeriqin  dhe Elez Durmishin. Ata më tregojnë se ushtarët e Batalionit tonë janë vendosur te shkolla e fshatit Caralevë. Ushtarakët e KFOR-it kanë kërkuar të mësojnë vendqëndrimin dhe po ashtu kanë kërkuar nga ushtarët tanë të mos shëtisin me armë përveç në ambientin e caktuar.

Pas dite erdhi në Krojmir edhe Shaip  Musë Qeriqi, vëllai i Salihut dhe i Halilit, një kushëri, në shtëpinë e të cilëve kemi qëndruar gjatë luftës. Shaipi me familjen e tij jeton,  në Matiçan dhe ditë më parë është kthyer nga Maqedonia. Në mbrëmje erdhi sërish Ali Gashi, të cilin pa dallim të gjithë e quajnë Ali Mullini. Pa vonuar nisemi për në Shtime.

Shtëpia ka shpëtuar. Edhe në këtë drejtim kam pasur fat. Dhe mbi të gjitha kam pasur fat që babai im Aliu,  i ka shpëtuar edhe librat. Tjetër pasuri nuk kam dhe asnjë pasuri tjetër veç librave, nuk do të më dhimbsej.

Sërish në Shtime. Nga këtu jam larguar definitivisht në fillim të qershorit të vitit të kaluar.

Arbana dhe Rrezja e kanë pastruar shtëpinë. Vetëm pak gjëra mungojnë dhe as që duhen përmendur. Dyert e thyera i ka rregulluar Epiri. Ulem në këndin ku jam ulur zakonisht dhe më shpalosen kujtime të ndryshme.

Sa mirë është të jesh në shtëpinë tendë, në tokën tendë, qoftë edhe në varfërinë tënde.

Nëpër shtëpi janë kthyer edhe vëllezërit e mi me familjet e tyre. Vetëm Osmani me familje ka qenë në Shkup, të tjerët kemi qenë në zonat e luftës.

Jeta, dalëngadalë po nis edhe njëherë nga e para.

Dinamizmi i kohës së luftës, lëvizjet e shpejta, zërat e zhurmshëm dhe përgjithësisht të lartë, janë pjesë e shpërthimit të një jete të re, shpërthimi nga ngulfatja shekullore që iu ka bërë shqiptarëve  pushuesi serb.

Ka filluar jeta në liri.

Nga Kosova u largua antihistoria.

Tani po fillon një kapitull i ri i jetës dhe varet shumë si do të gjendemi në këto rrethana, që përditë do të na  sfidojnë.

Ka filluar koha e re në botën time, në moshën tanimë 52 vjeçare. Nga viti 1981 po mbushen  tetëmbëdhjetë vjet rrugëtim, arrati, burg, izolim, keqtrajtime, dhunë, skamje e nëpërkëmbje. Kaloi edhe kapitulli më i rëndë i jetës, lufta çlirimtare me faqen e saj  tragjike por edhe heroike…

Tani çdo ditë tjetër e jetuar, duket qelepir.

Lirinë e fituam falë gjakut të derdhur dhe luftës që bëmë kundër pushtimit. Luftën tonë e ka përkrahur tërë bota demokratike e përparimtare. Luftën e UÇK-së e ka mbështetur nga ajri forca më e madhe ushtarake e botës. NATO-ja ka demonizuar për jetë, jo vetëm regjimin e Milosheviqit por edhe kombin serb, sepse Serbia është i vetmi shtet në botë, të cilin pas luftës së Dytë botërore e ka bombarduar NATO-ja. Ky akt do të jetë një ankth dhe një tmerr i përjetshëm në historinë e këtij kombi endacak, një makth i një shteti xhandar në Ballkan, të cilin e kishte krijuar Rusia dhe disa shtete të Evropës.  Serbia dhe Sodoma. Këta dy emra megjithatë tingëllojnë njëjtë,  jo vetëm me shkronjat nistore…

E mërkurë, 23 qershor 1999. Drejt Prishtinës me shpresa të reja

Ashtu sikurse jemi marrë vesh paraprakisht me  Nusret Pllanën dhe Martin Çunin, sot kam shkuar në Prishtinë. Fillimisht kemi shkuar te Nezir Myrtaj, në shtëpinë e tij, njëdhomëshe,  të cilën e kanë demoluar por ka shpëtuar pa u djegur. Takojmë Nezirin, bashkëshorten e tij, Kadrie Gashi dhe Endritin e vogël. Të gjithë janë mirë me shëndet. Pak më vonë me Nezirin kemi shkuar te Martin Çuni. Atje kemi pritur pak kohë derisa Martini ka ardhur me disa ish gazetarë e punëtorë të Radiotelevizionit të Prishtinës. Është ky një këshill i ish të zënëve me punë në RTP, të cilët sikur kanë vendosur të hyjnë në lokalet e Radio-Prishtinës, edhe pse atje janë vendosur forcat e KFOR-it, të cilët i ruajnë gazetarët serbë. Martini si duket ka interesim t`i bashkohet stafit të kolegëve me të cilët ka punuar qysh në vitet e shtatëdhjeta dhe krejt kjo arsyetohet, por ende nuk ka asnjë lëvizje pozitive në atë drejtim. Duket se Bajram Kosumi e ka bindur Martinin që fillimisht të aktivizohet Radio-Prishtina e më pas në të njëjtin objekt të instalohet edhe teknike e Radios-Kosova e Lirë. Mirëpo shtrohet çështja sa kohë duhet të presim…

Më vonë kemi shkuar në lagjen Velania në Hotelin DEA, ku janë vendosur zyrtarët e Qeverisë së Përkohshme. Duhet të presim te dera meqë janë vendosur rojet. Pas një kohe ushtarët e UÇK-së, që ushtrojnë roje në objekt na lejojnë të futemi në ambientet e hotelit.

Kemi biseduar me Jakup Krasniqin dhe me Bajram Kosumin lidhur me statusin dhe punën e Radios. Jakup Krasniqi këmbëngul, që sa më parë të fillojmë transmetimin, edhe pse nuk na ofron asnjë ndihmë momentale për të filluar punën. Megjithatë na premton se së shpejti nga fondi i Qeverisë do të ndahen disa mjete dhe  shton se nuk do të lihemi anash. Kemi biseduar edhe me Bajram Kosumin. Ai nuk na premton asgjë, por  mendon se fillimisht duhet të angazhohemi në hapjen e RTP-së.

E kuptoj se tani zyrtarët tanë kanë punë të tjera dhe duket se nuk iu duhemi më.

Edhe Nezir Myrtaj është mjaft skeptik, por shprehet këmbëngulës se pavarësisht rrethanave duhet të fillojmë sa më parë transmetimin.

Martini shpreson se punëtorët dhe gazetarët e RTP-së do të kthehen në punë. Pastaj ai mendon se, në një vend të caktuar, në të njëjtin objekt do të mund të vendoset edhe teknika dhe stafi i Radios-Kosova e Lirë.

A do të mund të realizohet kjo, mbetet për t`u parë, por më duket asnjë punë ende nuk është vënë në rrjedhë të mbarë.

Ka filluar një garë marramendëse e lëvizjeve të njerëzve.

Secili sikur ngutet për diku. Secili ka hallet dhe problemet e veta.

Më duket se ne kemi mbetur jashtë “lojës”, mbase edhe për faktin se nuk jemi në gjendje të bëjmë sikur bëjnë të tjerët…

Më vonë kemi shkuar serish  te Martin Çuni

Nga Shkupi, ku kanë qëndruar gjatë luftës, kanë ardhur nëna e Martinit, bija e tij Teuta dhe djali Agroni…

Periudha kohore prej 24 deri më 28 qershor 1999

Gjatë këtyre ditëve kam bërë vizita te të afërmit e mi, miqtë dhe të njohurit.

Kam kontaktuar me ta dhe kam vërejtur se lufta, mjerisht  ka lënë pasoja të pariparueshme. Lufta, ka thelluar edhe më tej hendeqet e ndasisë. Ata që nuk e kanë përkrahur UÇK-në, janë bërë kundërshtarë të saj  edhe më të papërmbajtur, në mesin e tyre edhe shumë të afërm të mi, të cilët mezi më flasin. Na konsiderojnë fajtorë, meqë lufta ua ka prishur rehatinë dhe gjumin shekullor të robërisë.

Kam vërejtur se ata, të cilët ishin frikësuar deri në palcë nga forcat serbe, ndërsa për ta shpëtuar kokën ishin bërë mashë e ligë e hipokrizisë dhe e përuljes së neveritshme, tani janë lëshuar në garë për ta diskredituar luftën çlirimtare, si shkaktare të vuajtjeve të tyre individuale e familjarëve. Këta nuk duan të dinë për gjakun e derdhur…

Kam vërejtur se ikanakët dhe të gjithë atyre që iu kishte rrëshqitur nën këmbë  toka e atdheut, tani janë bërë trima të çartur dhe fajtorin kryesor për të gjitha që kanë ndodhur ia lënë “UÇKES”, sikur e quajnë me përbuzje, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Po vërej  se shumë nga ata që kanë ikur me  familjet në Maqedoni, apo në Shqipëri, gjatë kthimit kanë blerë uniforma dhe sapo janë kthyer në vend kanë filluar të plaçkitin e të zaptojnë lokale  e shtëpi të huaja në emër të UÇK-së…

Mjerisht po vërej  se edhe disa luftëtarë të UÇK-së janë lëshuar në garën e ligë të pasurimit me çdo kusht.

Ka filluar në mënyrë rapide të rritet kaosi, brutaliteti, mospërfillja dhe anarkia e përgjithshme, e gjithanshme.

Ushtarët e KFOR-it  vetëm shikojnë dhe nuk ndërmarrin asnjë hap. Ndoshta krejt kjo po bëhet me qëllim të caktuar, ndoshta kështu ndodh në çdo vend pas luftës!

Megjithatë, në Kosovë është hapur një faqe e re e historisë.

A thua çfarë gjurmësh do të lëmë ne, që patëm fat ta hapim këtë faqe?

Çfarë gjurmësh do të lënë ata, të cilët nuk kanë sy as faqe, dhe të cilët kanë filluar ta mohojnë gjakun e pastër të derdhur për liri, gjakun ende të patharë të çlirimtarëve të Kosovës.

Gjatë këtyre ditëve kryesisht kam qëndruar në shtëpi. Librat i kam vendosur nëpër rafte. Fletorët, në të cilat e kam shënuar faqet e “Kronikës”,  së bashku me shënimet që kanë mbajtur para luftës,  Sylë Qeriqi dhe Elez Durmishi, i kam vendosur  në një vend të veçantë.

Tash nuk është koha e botimit të tyre.

Sido qoftë, mendoj se kam kryer një punë të dobishme me shënimin e 400 rrëfimeve të luftës, edhe pse këto shënime janë individuale, herë-herë të sajuara në formë të ditarit të luftës.

Kam shënuar rreth 400 ndodhi dokumentare të  ngjarjeve autentike të luftës, në kohë dhe hapësirë të caktuar. Jam përpjekur të jem krejtësisht i paanshëm edhe pse disa zhvillime i kam komentuar nga këndi im i vështrimit.

Koha do të gjykojë.

Të rënëve lavdi!

Të gjallëve fat dhe ardhmëri në paqe!

28 qershor, 1999

Nga “Kronikë lufte” -fundi i pjesë së dytë

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …