Brickos

BREXIT

Ahmet Qeriqi: Si mund të rrinte Anglia në një Union me shtetet parazite dhe të falimentuara të Evropës

Pa hyrë në historikun dhe nevojën, apo pa nevojën e  themelimit të Unionit ekonomik tregtar evropian, të para 60 viteve, Anglia, njëra  ndër shtetet më të fuqishme dhe më me  ndikim në ndërtimin e revolucionit teknologjik në historinë e rruzullit, nuk është thjesht vetëm  një shtet anëtar me ndikim i një unioni, sikur është edhe për pak kohë BE-ja. Ka qenë “non sens” për Anglinë, kampionen e zhvillimit teknologjik, ekonomik dhe shoqëror të botës, të qëndrojë për 30 vjet në një Union as mish as peshk, të qëndrojë në një bashkësi ekonomike, tregtare, e pse jo edhe politike me Qipron, Greqinë, Sllovakinë, Rumaninë e shtete parazite si këto, për t‘ mbajtur mbi kurriz, për t’ i pasuruar oligarkët, mafiozë e kriminelë të këtyre dhe shteteve të tjera evropiane si këto.

Po ashtu pozita e Anglisë në Union karshi Gjermanisë, Francës, Italisë, ka bërë që fuqia ekonomike botërore e këtij shteti të mbetet në kuadër të BE-së, duke qenë deri diku e barabartë me shtetet më të dobëta të Unionit përveç Gjermanisë.

Tekefundit ishin vetë anglezët ata,  të cilët të lodhur nga Unioni i thanë jo qëndrimit të mëtejmë në BE dhe kjo  është primarja për të ardhmen  e Anglisë, por edhe të Evropës së bashkuar mbi principe të barazisë e reciprocitetet të njohur ekonomik tregtar e politik,  dhe jo në kuadër të një Unioni sikur është ky i tanishmi, i cili tashmë ka hyrë në kapitullin e fundit të shpërbërjes.

Politikanët dhe populli anglez ka bërë zgjedhjen e vet mbi parime të njohura të demokracisë duke llogaritur mirë se çka humb dhe çka fiton shteti në raste se del nga Unioni. Daljen nga unioni e kanë paralajmëruar edhe disa shtete, të cilat do ta ndjekin shembullin e Anglisë, sepse nuk kanë leverdi të ndihmojnë shtetet parazite të integrohen në një union, ku një shtet i vetëm mund të stopojë politikat e përgjithshme zhvillimore  për qëllime të veta.

Atëherë shtrohet pyetja, si mund të qëndrojnë një Union i tillë.

Ja disa shembuj konkretë.

Greqia e vetme, nga 27 vendet anëtare ka të drejtën e vetos ndaj ish-RJ të Maqedonisë për të mos e pranuar në BE, derisa ta detyrojë që ajo ta ndërrojë emrin e shtetit. Këtë të drejtë ia njeh dhe e mbështet fuqishëm BE-ja. Në rastin tonë, nëse Serbia hyn në BE para se ta njohë Shtetin e Kosovës, atëherë kushtet që ajo do t’ i vë ajo vendit tonë do të bëjnë që kurrë të mos bëhemi anëtar i saj.  Por edhe lidhur me anëtarësimin në BE, Serbia ka bërë të ditur qindra herë se nuk do të heq dorë nga Kosova, dhe kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e saj. Ja cila është BE-ja rreth së cilës sillemi sikur rreth  “Dardhës së Ahmatit”.

Politikanët tanë aktualë janë të mendimit se shqiptarët nuk kanë nevojë të bashkohen në një shtet të vetëm, sepse bashkimi i vërtetë dhe i madh do t’u bëka në BE, atje ku është parajsa e tyre e paragjykuar, mashtruese dhe hipokrite, vetëm me qëllim për të mbetur në krye pushtetit. Sipas këtij rezoni të mbrapshtë duhet që “njëherë të bashkohemi me të huajt, grekët, rumunët, sllovakët, holandezët e të tjerë pastaj me njëri tjetrin”. Ja kjo është logjika më e mbrapshtë e mundshme e politikanëve  servilë, trashëgimtarë të mendësisë lindore bizantine.

Dhe tani kur shteti më përkrahës dhe më mik i shqiptarëve në Evropë, Britania e Madhe del nga Unioni, ne nuk qajmë hallet dhe fatkeqësitë  tona, por na dhimbset Anglia, sepse sipas neve “të gjithë-diturve”, ajo paska gabuar shumë. Kjo nuk është më pak se marrëzi dhe çmenduri bashkë. Ja deri ku ka arritur mendja fodulle e politikanit, apo zyrtarit shqiptar, i dashuruar marrëzisht në një iluzion, në një utopi profane, për të cilën e di se nuk ka të ardhme, por mjafton  që ajo i siguron pushtet, para, përfitime, sipas motos së shqiptarit lindor: “Haja qenit, pija e qenit, tash i bimë karadyzenit…”

Çfarë të mira patëm nga BE-ja deri tani?

Be-ja me një vonesë prej rreth 15 vitesh nuk pranoi liberalizimin e vizave për Shqipërinë, nuk pranon liberalizimin e vizave për Kosovën derisa ta degradojë edhe më thellë pavarësinë dhe territorin e vendit tonë. Nuk e pranon Kosovën në radhët e veta, derisa këtë nuk e bëjnë pesë shtetet anëtare, të cilat përkrahin Serbinë dhe janë zotuar se kurrë nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Kanë kaluar tetë vite dhe asnjëra nga këto pesë shtete nuk ka bërë as edhe një hap të vetëm në drejtim të pranimit të pavarësisë, apo lidhjeve të marrëdhënieve me vendin tonë. Ne kemi kohë për të pritur, mendojnë këta, sepse kanë uzurpuat pushtetin dhe nuk e lëshojnë dot.

Politikanët tanë në Prishtinë, me qëllim për fshehur problemet e vërteta sociale ekzistenciale, korrupsionin, trafiqet, klanet mafioze të qeverisjes dhe përfitimeve kolosale, e mbajnë gjallë “parajsën” imagjinare të BE-së ku, sipas tyre së shpejti do të futemi dhe do t’ i themi lamtumirë varfërisë, problemeve me fqinjët, sepse Evropa, është ajo e cila  na do aq fortë, sa  do të mbajë mbi supe.

Ajo, sipas tyre,  qe 17 vjet po na pret duar hapur dhe ja tani në fund, na paska prishur punë Anglia.  Derisa ditë më parë  çallakët e politikave integruese ishin shprehur me pikëllim e dhembje për daljen e Anglisë nga Unioni, tani dërdëllisin se integrimi i Kosovës në BE nuk ka të bëjë fare me Anglinë. Ja cili është rezoni i skllavit, i robit, denbabaden. Dukur moti me Stambollin, më vonë më Beogradin tani me Brukselin,  gjithnjë skllav debil që përjashton vetveten.

 Ja “të mirat” që deri tani na i ka sjellë BE-ja

Në radhë të parë BE-ja ka sjellë në Kosovë, dobiçin ( kopilin) e Serbisë, EULEX-in, një mision që kryen punët e Prokurorisë dhe gjykatave  të Beogradit në vendin tonë  dhe dënon vetëm çlirimtarët e Kosovës, por jo masakruesit serbë, me ndonjë rast krejt të veçantë, një në njëqind.

Brukseli ka manipuluar dhe po e manipulon oligarkinë sunduese të klaneve politike të vendit, duke i shantazhuar me burg, për krime që paragjykohen se ata i kanë kryer gjatë dhe pas luftës, nëse nuk i pranojnë kërkesat e Beogradit zyrtar për t’ u kthyer në Kosovë.

Brukseli ka arritur ta ndajë veriun e Kosovës, ku do të formohet një entitet autonom vetëm me  serbë dhe që do të jetë  i lidhur me Beogradin.

EULEX-i nuk lejon kthimin e shqiptarëve të dëbuar në veri të Kosovës, ndalon madje edhe ndërtimin e ndonjë shtëpie të vetme, por lejon dhe bekon ndërtimin e kibucëve serbe, kolonizimin e Kosovës.

Brukseli i ka bindur politikanët servilë që ta pranojnë demarkacionin me Malin e Zi, në dëm të territorit të Kosovës. Madje ka kushtëzuar edhe liberalizimin e vizave, kusht që nuk ia ka bërë asnjë shteti deri tani.

BE-ja ka realizuar dhe pretendon ta realizojë kthimin gradual të Serbisë në Kosovë, si kusht për pranimin e saj në Be.

BE-ja sanksionin çdo mundësi që Kosova të bashkohet me Shqipërinë, ndërsa le hapur mundësinë  e bashkimit me Serbinë, duke aluduar në bashkim e dy gjermanive.

BE-ja nuk parashikon asnjë perspektivë të Kosovës jashtë Serbisë dhe jashtë interesave afatgjate serbe e sllave, në Ballkan, kundër shqiptarëve me besim islam, por edhe përgjithësisht kundër myslimanëve në Ballkan. Ata që mendojnë dhe pretendojnë se BE-ja i do shqiptarët, të cilët në bazë të emrave janë  me shumicë pjesëtarë  të besimit islamë, ose janë të verbër ose luajnë rolin e budallait. Këtë version të panatyrshëm racor të BE-së e ka bërë të ditur  publikisht edhe kryetari i Turqisë, Rexhep Tajip Ergogan, i cili përmendi me emër e mbiemër ministrin e BE-së, që i kishte thënë se Turqia me shumicë myslimane kurrë nuk mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, këtij bashkimi i cili tani ka filluar tatëpjetën jo nga ISIS e nga myslimanët por nga brenda nga vetvetja, si dikur në kohën e kryqëzatave, në kohën e inkuizicionit, në kohën e Hitlerit, të Frankos e Musolinit, që të gjitha të ligat kishin buruar nga brenda saj.

BE-ja tash e tutje do të ketë shumë halle të veta, pavarësisht iluzioneve të politikanëve tanë mashtrues e matrapazë me prejardhje nga njëmendësia uloke, lindore, bizantine, racë kjo me ADN politike  shumë të pranishme ndër shqiptarët e ndarë në pesë shtete, ashtu sikur dikur në Principatat e mesjetës së hershme të Bizantit.

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …