Ahmet Qeriqi: Stafi i Radios dhe i Agjencisë nga Krojmiri dyndet për në Berishë (E hënë 28 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Stafi i Radios dhe i Agjencisë nga Krojmiri dyndet për në Berishë (E hënë 28 dhjetor, 1998)

Sot në mëngjes kemi filluar përgatitjet për bartjen e mjeteve dhe të pajisjeve në drejtim të Berishës. Meqë Luani e ka në defekt Nivën, kemi vendosur që pajisjet t`i ngarkojmë në traktorin e Sejdi Elezit. Ai së bashku me Elez Durmishin do të na ndihmojnë deri në vendin e caktuar.

Elezi dhe Sejdiu janë nisur me traktor, ndërsa unë dhe Berati jemi nisur me veturën e Ali Mullinit, i cili na çon deri në Grykë të Thatë të Nekovcit  dhe prej andej duhet të rrugëtojmë këmbë deri në Rrafshnaltë.

Në hyrje të Grykës është formësuar një shtresë e madhe e akullnajes, nëpër të cilin traktori nuk arrin depërtojë. Unë dhe Berati jemi nisur këmbë, ndërsa Elezi dhe Sejdiu kanë pritur mos po kalon ndonjë traktor tjetër ose ndonjë xhip i eprorëve në mënyrë që të ngarkohen pajisjet.

Pasi kemi arritur në Shtab, iu kemi bërë me dije se traktori ka mbetur në  hyrje te akullnaja dhe nuk ka gjasa de mund të depërtojë.

Pas një kohe na lajmëruan se një ushtar me xhipin e Shefit të Shtabit Bislim Zyrapi, ka arritur të tërheqë të gjitha mjetet që i kemi ngarkuar me traktor përveç gjeneratorit, për të cilin duhet të shkojë edhe një herë, apo do ta marrim një ditë tjetër.

Më vonë kemi takuar edhe Martin Çunin dhe pajisjet fillimisht i kemi vendosur në shtabin e Fshatit  të Ri. Rruga për në Berishë është e padepërtueshme, meqë bora nga të dyja anët e malit e ka  zënë rrugën.

Duke kaluar nëpër ecejake të ngushta nga ku kanë depërtuar ushtarët së bashku me Martin Çunin arrijmë te shtëpia e Asllan Berishës. Dy djemtë e tij Rizahu dhe Milaimi na presin miqësisht. Oda është dydhomëshe, e madhe dhe i plotëson të gjitha nevojat për punën tonë.

Sonte kemi vendosur ta bëjmë një natë në selinë tonë të ardhshme. Deri natën vonë kemi biseduar me Rizahun dhe Milaimin, të cilët na kanë shtruar darkë dhe gjatë tërë kohës nuk e kanë lënë zjarrin te shuhet.

Berisha dhe Fshati i Ri janë granatuar gjatë ofensivave por këmbësoria armike nuk ka kaluar nëpër këto anë.

Nga Rizahu, mësojmë se në një shtëpi afër te Osman Berisha është edhe shtabi lokal, ku qëndrojnë ushtarët tanë, të cilët ruajnë pozicionet në këtë anë të Rrafshnaltës.

Problem i vetëm dhe mjaft i shprehur në këto anë është bora na tregon Rizah Berisha. Rruga e cila kalon nëpër pikat më të larta të Rrafshnaltës, vazhdimisht mbulohet me shtresa të dendura të borës që shkojnë deri në dy metra. Për këtë jemi bindur edhe gjatë depërtimit të sotshëm deri këtu.

Kontrolloni gjithashtu

RKL nga Arkivi i pasluftës: Bastardët jugo-mercenarë, në shtyllën morbide të turpit kombëtar I

Tre katër muaj para arrestimit të kreut të luftës së Ushtrisë Çlirimtaret të Kosovës në …