Ahmet Qeriqi: Të papritura të tjera pas arrestimit të Farukut (E mërkurë 24 qershor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Të papritura të tjera pas arrestimit të Farukut (E mërkurë 24 qershor, 1998)

Në mesditë, derisa ndodhesha në shtëpi, më lajmëruan se nga Shtabi, kanë ardhur disa ushtarakë me të cilët duhet të bisedoj. Ata e kanë marrë xhipin, që kohë më parë e kishin sjellë  dy të njohurit e Farukut dhe të Besim Gashit. Njëri prej tyre, luftëtari, Isak Musliu

nga Reçaku, që njihet me emrin e luftës si Komandant Çerçizi, ka  shfaqë rezervë, lidhur me pranimin nga ana jonë të  xhipit, të të hollave dhe të telefonit mobil. Ai sugjeron me të drejtë se, për të gjitha pranimet duhet jo vetëm të njoftohet Shtabi, që është i vendosur

në Kleçkë, por atje duhet adresuar të gjitha donatoritë. Meqë unë nuk e kam pranuar as xhipin as të hollat, nuk e zgjas, ndërsa sa i përket telefonit mobil, të cilin për informim e shfrytëzon Selatin Qeriqi dhe unë, vendos që përnjëherë t’ ua dorëzoj, edhe pse do të mbetemi keq.

Është e vërtetë se mungon organizimi i duhur dhe i qëndrueshëm për të kanalizuar donatoritë, por dhuruesit ofrojnë ndihmat e tyre, aty ku arrijnë më parë.

Duket sikur burgosja e Farukut, i ka vënë nën dyshim shumë nga ata që e njohin. Mbase krejt kjo do parë në atë kënd, meqë keqkuptimet rreth  rastit të Farukut janë të një natyre të veçantë dhe është tepër vështirë t i bindësh të tjerët, në pafajësinë e tij. Ka rrezik që dyshimet të marrin përmasa, apo rasti i Farukut të merret si shkas, për të vënë jashtë radhëve të organizimit disa nga të njohurit e tij. Dyshimi e lind dyshimin, ndërsa sa më përket mua, unë asnjëherë nuk kam biseduar me Azem Sylën, lidhur me Farukun. Krejt kjo deri tani edhe ashtu është e  mbuluar me një vello, jo të hollë të dyshimit. Unë nga ana ime mbështetem te Elezi, te Syla dhe te Jetë Hasani, që janë kuadro të hershme të luftës dhe që mbajnë kontakte të pandërprera me Ilaz Dërgutin, Sami Lushtakun, Ilaz Kocin e shumë të tjerë, në zonën e Drenicës qendrore.

Frikësohem me të drejtë se rasti i Farukut do të keqpërdoret për qëllime të liga. Pavarësisht nga të gjitha më mbanë besimi se në luftë nuk jemi futur për hir të një apo emri tjetër, por për hir të çlirimit të Kosovës, dhe secili duhet të pastrojë punët me vetveten nëse nuk ndihet mirë.

Në orët e mbrëmjes kanë ardhur në Krojmir: Fehmi Mujota, Ruzhdi Jashari dhe Hyzer Gashi. Me ta njihem qysh moti dhe kemi bashkëvepruar në Forumin e Intelektualëve në Shtime, ku edhe kemi nxjerrë pesë numra të gazetës “Dita”.

Pranimi i Fehmiut dhe i Ruzhdiut për t’ u kyçur në radhët e UÇK-së është po ashtu një fitore tjetër, meqë që të dy kanë autoritete të pakontestueshëm në mesin e liridashësve. Ata kanë shfaqur gatishmëri për të vepruar sidomos në Zonën e Neredimës, ku po bëhen përpjekje intensive, për të konsoliduar pikat e UÇK-së.

Ruzhdiut, Fehmiut, Hyzerit dhe të tjerëve u tregoj se  deri tani  merrem kryesisht në shërbim të organizimit civil, edhe pse ende nuk kam marrë ndonjë detyrë të posaçme për të vepruar konkretisht.

Natën vonë ka ardhur edhe Fatmir Xhelili, mjek neuropsikiatër. Me Fatmirin, kemi biseduar edhe paraprakisht. Ai, mendon se unë kam detyra me rëndësi në hierarkinë organizative dhe gjithnjë shfaq gatishmëri për të ndihmuar.

Fatmiri, edhe më parë ka kërkuar që të bisedojë me personalitete të caktuara në Shtab, në mënyrë që të kryhet vaksinimi i ushtarëve, meqë sipas tij, në këtë kohë me vapë dhe me popullatë të dendur, ka rrezik të përhapet ndonjë epidemi.

Nuk kam ndonjë dyshim në përkushtimin e Fatmir Xhelilit, por propozimin e  tij e kam pritur jo vetëm me rezervë, aq sa edhe me habi. Është kohë e vështirë. Kemi një organizim shumë të padefinuar dhe aq të brishtë sa, shpeshherë kur jam vetëm dhe kur bëj analiza të hollësishme, tmerrohem. Mbase qëllimi i Fatmirit është tejet i arsyeshëm… (Pesë fjali të koduara). Në kohën kur po i shkruaj këta rreshta, mendoj se është më mirë që të mos e shënoj dyshimin e tillë. Megjithatë, edhe me këtë rast dyshoj dhe jam tejet i brengosur, me faktin se organizimi ynë është i dobët dhe mund të deformohet shumë keq. Ndoshta është edhe një paragjykim imi, në kushte dhe rrethana të luftës kur jo të gjitha zhvillimet mund të mbahen nën kontroll.  (Tri fjali të koduara)

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizimi i punkteve të reja shëndetësore (E shtunë, 20 qershor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Organizimi i punkteve të reja shëndetësore (E shtunë, 20 qershor, 1998)

Të shumta janë punët dhe vështirësitë me të cilat ndeshim për çdo çast. Rendi ekzistues …