Ahmet Qeriqi: Ushtarët tanë sulmojnë njësitin serb në Karaçicë. Ata kanë vrarë 5 trupa, në çastin kur po e mbushnin një rimorkio traktori me plaçka të vjedhura. (E hënë 12 tetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ushtarët tanë sulmojnë njësitin serb në Karaçicë. Ata kanë vrarë disa trupa, në çastin kur po e mbushnin një rimorkio traktori me plaçka të vjedhura. (E hënë 12 tetor, 1998)

Gjatë para ditës kemi qëndruar mbyllur në shtëpi së bashku me Jakup Krasniqin dhe Berat Luzhën. Kemi biseduar për probleme të përgjithshme, ndërsa Berati më vonë ka shkuar për të marrë terapinë.

Elezi,  cili erdhi në orët e pas ditës na bëri me dije se ushtarët tanë në Dukë e Karaçicë kanë sulmuar njësitin serb në kohën kur ata po mbartinin me traktor plaçkën e tubuar në një shtëpi në Karaçicë. Sulmin e kanë kryer luftëtarët Xhavit Kelmendi dhe ushtarë të tjerë që kanë ndodhur në vëzhgim. Forcat serbe iu kanë kundëpërgjigjur sulmit nga pika e tyre te Godenët. Thuhet  se janë vrarë apo plagosur të paktën pesë ushtarë dhe paramilitarë serbë. Në pikat tona të vëzhgimit kanë shkuar përforcime.

Pak më vonë të shtëna armësh janë dëgjuar edhe në drejtim të Caralevës, ndërsa forcat serbe kanë filluar të granatojnë në drejtim të Pjetërshticës.

Sa herë që serbët kanë humbje në njerëz ata godasin me minahedhës në drejtim të popullatës civile. Pak kohë më vonë na bëjnë me dije se banorët që sapo ishin kthyer në Pjetërshticë kanë filluar të zhvendosen në drejtim të Krojmirit. Drejt Grykës janë nisur edhe disa familje të fshatit tonë, edhe pse ka gjasa që mund të granatohet Gryka.

Gjendja është tensionuar tejmase. Disa predha të minahedhësve kanë goditur  afër vendqëndrimit tonë. Zymrytja dhe tezja janë shqetësuar, mirëpo nuk kam lejuar të shkojmë në Grykë derisa nuk kemi lajme të tjera për lëvizjet e forcave serbe.

Syla, Jeta, Luani, Aliu dhe shumë ushtarë të tjerë janë nisur në drejtim të Caralevës. Atje ndodhen të pozicionuar edhe ushtarët e njësiteve të Milaim Behës dhe të Naim Ismajlit.

Në orët e vona të natës, Elezi më ka lajmëruar se në Caralevë ka ardhur rastësisht deri te konfrontimit me forcat serbe, meqë një njësit  ushtarëve tanë gabimisht kanë depërtuar krejt afër paramilitarëve dhe ushtarëve  serbë. Ndërkohë kanë filluar luftimet e ashpra. Thuhet se në mesin e forcave paramilitare apo mercenare ka  të vrarë dhe të plagosur, ndërsa nga ana jonë nuk ka humbje.

Me të gjitha zhvillimet e papritura e kam njoftuar Jakup Krasniqin, i cili këto dhe informata të tjera i ka përcjellë përmes telefonit satelitor.

Gjatë tërë natës  po bjen shi pa pushuar. Janë të shumta familjet  që këtë natë po e kalojnë në qiell të hapur në rimorkio traktorësh të mbuluar me batanije apo me najlon.

Të dyja sulmet e sotshme kanë ndodhur të papritura. Ka rrezik që nesër qysh në mëngjes forcat serbe t`i drejtojnë sërish minahedhësit në drejtim të fshatrave. Ushtarët tanë në të gjitha vendluftimet, në pozicionet e tanishme i kanë përforcuar dhe dyfishuar radhët.

Nuk ka të dhëna për grumbullim të forcave të këmbësorisë, ndërsa sulmi nga distanca është fare i mundshëm.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Monotoninë e ditës së vjeshtës e thyejnë vajtje ardhjet e të njohurve. (E shtunë 7 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Monotoninë e ditës së vjeshtës e thyejnë vajtje ardhjet e të njohurve. (E shtunë 7 nëntor, 1998)

Sot ishte një ditë tipike e vjeshtës. Një ditë e zymtë, monotone dhe me shi. …