leoni

Ahmet Qeriqi: Vazhdon ofensiva e përgjithshme serbe. Rezistenca e luftëtarëve tanë gjithnjë e më e fortë (E diel 6 qershor, 1999)

Ahmet Qeriqi: Vazhdon ofensiva e përgjithshme serbe. Rezistenca e luftëtarëve tanë gjithnjë e më e fortë (E diel 6 qershor, 1999)

Dita e shtatë e ofensivës së përgjithshme kundër Rrafshnaltës po vazhdon me intensitet. Në orët e para ditës kishte vetëm goditje taktike por në mesditë është intensifikuar sulmi raketor i armikut. Kështjella jonë çlirimtare te Shkëmbi i Gradinës sot në të njëjtën kohë është goditur nga të tri anë. Nga baza raketore serbe në Komaran, nga baza po ashtu raketore në Gjergjicë dhe nga baza ushtarake përballë Gradinës së Llapushnik. Herë-herë shpërthimet ishin aq të fuqishme sa dukej sikur edhe gurët do të shkuleshin.

Luftëtarët tanë në raste të tilla strukën nëpër istikame dhe në bunkerë, duke pritur deri sa të kalojë rrebeshi i raketave. Vetëm kur fillon depërtimi i këmbësorisë ata i dalin përballë forcave armike.

Tri raketa tokë-tokë e kanë goditur edhe ballin e Pallanikut afër bunkerit ushtarak dyqind metra larg vend-transmetimit.

Këto sulme të pareshtura sidomos gjatë javës së fundit  detyrimisht shtrojnë pyetjen sa kohë mund të qëndrojmë në këso rrethana. Goditja me raketa ka efekt psikologjik tejet negativ te popullata e zhvendosur.

Armiku po e demonstron fuqinë shkatërrimtare të armës, mirëpo nuk po arrin të avansojë në pozicionet tokësore. Asnjë pikë e luftimeve deri sot nuk ka rënë në duar të armikut. Ky fakt është shumë shpresëdhënës. Pikërisht këtij fakti po i shërbejmë edhe ne me informim për të forcuar moralin e popullatës së zhvendosur e cila edhe pse në kushte tejet të rënda, e rrezikuar edhe nga uria po e përballon rrethimin. Por sa kohë do ta përballojë, nëse nuk lëvizin gjërat?

Rreth orës 14,00 në vendqëndrimin tonë në tendë, Te rrezja e Baliqit në Berishë, kanë ardhur bija ime Arbana dhe Epiri. Ata, edhe pse nëpër rrugë të gjatë nëpër male dhe lugina, na kanë sjellë ushqim dhe rroba të pastra. Meqë nuk kam shkuar në Grykë prej fillimit të ofensivës, janë shqetësuar dhe kanë ardhur për të na parë.

Pas dy orë qëndrimi, Arbana dhe Epiri janë nisur në drejtim të Grykës së Gashit, meqë rrugë e shkurtë nëpër Rrafshnaltë është rrezikuar tejmase nga  goditja e raketave të armikut. Nëpër dhiaret malore ata duhet të rrugëtojnë katër pesë orë këmbë deri në Grykën e Shpëtimit, në Krojmir.

Programin ditor e kemi transmetuar me kohë.

Në mbrëmje këtu zakonisht kthen edhe një bari i fshatit i quajtur Jahir. Është një njeri i vuajtur që ka punuar shumë vjet në kurbet  dhe se si më përkujton Quazimodon e Hygosë. Sa herë vjen nxjerrë nga strajca një copë bukë dhe e han, thatë. Ka sens për humor dhe gjithnjë është i qeshur..

Në mbrëmje kur po binte qetësia e natës  raketat armike sërish kanë goditur në drejtim të Berishës.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Heset Sahiti me gjithë vështirësitë i ka konsoliduar radhët në Shalë. (E diel 29 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Heset Sahiti me gjithë vështirësitë i ka konsoliduar radhët në Shalë. (E diel 29 nëntor, 1998)

Në mëngjes kam biseduar me Myrvete Hotin, motrën e magjistër Ukshin Hotit i cili po …