leoni

Ahmet Qeriqi: Vizita të familjarëve të luftëtarëve (E premte 11 shtator, 1998)

Ahmet Qeriqi: Vizita të familjarëve të luftëtarëve (E premte 11 shtator, 1998)

Ka kaluar edhe një natë tjetër me shqetësime e frikë nga ndonjë sulm i bandave serbe. Mëngjesi si zakonisht nis me mjegull e lagështirë vjeshte.

Edhe gjatë ditës së sotme ka pasur ikje të disa familjeve në drejtim të fshatrave të Rrafshit. Ç`është e vërteta banorët e Dukës, të Karaçicës, të Pjetërshticës dhe të disa fshatrave të tjera, edhe po të rrinë, nuk kanë shpresë se mund të kthehen nëpër shtëpi meqë ato tanimë janë rrënuar tërësisht. Gjendjen e bën edhe më të pasigurt mungesa e ndihmave humanitare dhe bllokada e këtyre ndihmave nga persona të caktuar të Nënë Terezës.

Reshati është kthyer nga Shtimja. Ai tregon se ka kontaktuar me Fatmir Xhelilin, i cili i ka dhënë një sasi të konsiderueshme të barërave dhe 4500 Dm. Nga kjo shumë e mjeteve 2200 Dm ia kam dhënë Besim Gashit, të cilit i detyrohemi për artikujt ushqimorë dhe duhan që kemi marrë ndërkohë në shitoren e tij të improvizuar në Grykë. 100 Dm i ka marrë Reshati për nevoja të ekipit të mjekëve, 300 i kemi blerë duhan. Kanë mbetur edhe 1900 Dm.

Kohëve të fundit kemi edhe një fenomen të veçantë të lëvizjeve. Ditën e premte dhe të shtunën pas dite vijnë familjarë të ushtarëve për vizitë. Ata zakonisht qëndrojnë një apo dy net dhe pastaj kthehen. Shumica syresh depërtojnë nëpër Blinajë ilegalisht por ka edhe nga ata që vijnë me autobus të cilët tanimë kanë filluar qarkullimin në relacion Shalë Magurë Lipjan Prishtinë etj. Kemi edhe raste kur ushtarët kërkojnë leje në komandë për të shkuar ilegalisht në vizitë në shtëpi për një apo dy ditë. Në raste të tilla depërtohet pa uniformë por gjithsesi me armë.

Rreth mënyrës së vajtje ardhjes së anëtarëve të familjeve në vizitë, janë hetuar edhe disa veprime të paligjshme të personave të caktuar të cilët familjarëve iu marrin nga 20 Dm për t`iu treguar dhe për t`i përcjellë gjatë rrugës,  nëpër pyjet e Blinajes. Njërin prej tyre ushtarët tanë e kanë zënë në flagrancë dhe e kanë ndëshkuar fizikisht. Ai ka treguar tërë rrjetin e këtyre trafikantëve të panjerëzishëm. Ka rrezik që ndonjëri prej tyre të ketë ndonjë lidhje me policinë serbe dhe mund të na dëmtojë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Tërheqje taktike e disa formacioneve ushtarake e policore serbe. (E shtunë 3 tetor 1998)

Ahmet Qeriqi: Tërheqje taktike e disa formacioneve ushtarake e policore serbe. (E shtunë 3 tetor 1998)

Presioni i faktorit ndërkombëtar kundër kryexhelatit Milosheviq po rritet. Edhe pse ky despot i çmendur …