Aida Dërguti bën thirrje për protesta para vendimit në Hagë: Të ushtrohet presion për një vendim të drejtë

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti, ka bërë thirrje për organizimin e protestave para shpalljes së aktgjykimit në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë. Dërguti tha se qytetarët duhet të mobilizohen dhe të shprehin qëndrimin e tyre përmes protestave, me qëllim që, sipas saj, të mbështetet një vendim i drejtë në këtë proces. Ajo kërkoi mobilizim të gjerë të shqiptarëve, pavarësisht dallimeve politike apo ideologjike. “Prej sot duhet të ketë mobilizim mbarëkombëtar të të gjithë shqiptarëve, pavarësisht bindjeve ideologjike, që duhet të angazhohen dhe madje edhe të dalin në sheshe me protesta për marrjen e vendimit të drejtë”, deklaroi Dërguti. “Unë mendoj që duhet të ketë protesta para 16 shtatorit që t’u tregohet se këtu njerëzit nuk e pranojnë një vendim të padrejtë”, u shpreh ish-deputetja. Gjykata speciale në Hagë ka caktuar 16 shtatorin 2026 si datën e shpalljes së aktgjykimit në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katër i kanë mohuar akuzat që rëndojnë mbi ta.

Kontrolloni gjithashtu

OVL-UÇK i përgjigjet BE-së: Amendamentet për Dhomat e Specializuara nuk shkelin detyrimet ndërkombëtare

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ndaj qëndrimeve të partnerëve ndërkombëtarë lidhur …