Profesori universitar Bleron Baraliu ka reaguar lidhur me debatin për projektin e gazit amerikan, duke e cilësuar diskursin publik si të dëmshëm dhe larg analizës së bazuar në fakte. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Baraliu tha se çështja e gazit amerikan është shndërruar në një temë destruktive, duke theksuar se vendime të tilla nuk duhet të merren me “pranim çorrazi”, por mbi bazën e fizibilitetit dhe kushteve konkrete. Sipas tij, debati publik ka degraduar në një nivel që ai e përshkroi si “tragjikomik”, ndërsa kritikoi mënyrën se si po trajtohet kjo çështje në skenën politike. Baraliu kritikoi veçanërisht opozitën, për të cilën tha se po ndërton një narrativë të rreme duke e paraqitur projektin si interes strategjik në mënyrë njëdimensionale. “Më së paku të drejtë këtu ka opozita, që po krijon narracion të rrejshëm të interesit ‘strategjik’ njëdimensional”, shkroi ai. Në fund, ai e krahasoi këtë qasje me debate të tjera që, sipas tij, bazohen në interpretime të ekzagjeruara dhe pa peshë reale, duke vlerësuar se diskutimi për gazin duhet të zhvillohet mbi analiza profesionale dhe jo mbi retorikë politike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
