Ajet Cenë Rexhaj (27.11.1967 - 21.5.1999)

Ajet Cenë Rexhaj (27.11.1967 – 21.5.1999)

Prindërit Cenë e Hylë Rexhaj, nga fshati Jabllanicë e Madhe i komunës së Pejës, rritën katër djemë e një vajzë: Mehmetin, Ajetin, Hetemin, Emrushin dhe Hidajeten. Tre djemtë, Mehmetin, Ajetin e Hetemin, atyre ua mori atdheu, liria e tij. Me gjakun e tyre u bënë themelet e kësaj lirie.
Dëshmori Ajet Rexhaj ka lindur më 27 nëntor të vitit 1967. Sikur edhe vetë koincidenca e kësaj datëlindje me datat e rëndësishme të betejave të para e të daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vigjiljen e Ditës së Flamurit, më 1997, do të parathotë kurorëzimin e fatit të tij jetësor, tridhjetë vjet më vonë, me hyrjen në përjetësinë e altarit të atdheut.
Si fëmijë i zhdërvjellët e inteligjent, Ajeti, në Jabllanicë të Vogël kreu shkollimin fillor, kurse shkollimin e mesëm e kreu në Pejë. Meqenëse babai, Cena dhe vëllai më i madh, Mehmeti, punonin punë ndërtimtarie, për të siguruar mjetet e jetesës për familjen, në ndihmë të tyre u vu edhe Ajeti. Ai kishte një talent të lindur, sidomos për gdhendjen dhe punimin e drurit. Këtë talent e shkriu në shumë punime skulpturale me motive kombëtare, siç janë shqiponja, flamuri, ndërtesa e Lidhjes së Prizrenit, figura e Mic Sokolit para grykës së topit e të tjera.
Në vitet ’80, u detyrua t’i përgjigjet ftesës për shërbim ushtarak në armatën jugosllave. Shërbimin në këtë armatë e kreu në Manastir të Maqedonisë.
Në fillim të viteve ’90 bën përpjekje të shkojë në Perëndim, për të punuar, meqenëse në Kosovë po përkeqësoheshin kushtet ekonomike gjithnjë e më tepër, për shkak të ashpërsimit të shtypjes mbi shqiptarët nga pushtuesi serb. Mirëpo, në Suboticë të Vojvodinës, arrestohet nga organet kufitare të policisë së Serbisë dhe pas dy javësh të qëndrimit në arrest, kthehet në Kosovë. Në vitet në vijim vazhdon të punojë me të atin e me vëllezërit punë ndërtimtarie.
Meqenëse së bashku me vëllezërit, Mehmetin e Hetemin, në vitet ’90, nuk kishte qëndruar indiferent përballë dhunës serbe dhe situatës së krijuar, aktiviteti i tyre kishte rënë në sy të pushtuesit. Prandaj në vitin 1994, policia serbe ua bastis shtëpinë në kërkim të armëve, me ç’rast thyen dhe shkel çdo gjë që ua vret sytë, duke përfshirë edhe fotografitë e figurave të ndryshme kombëtare dhe punimet e gdhendura në dru nga Ajeti. Vërtet, Ajeti me vëllezërit, kishte parashikuar se një ditë do të duhej të shkëmbente plumba me armikun që po e terrorizonte vendin dhe popullin e tij, prandaj, që në vitin 1991, kur në Kroaci shpërthen lufta kundër serbëve, kishte siguruar armatim, të cilin do ta përdorë tetë vjet më vonë.
Me fillimin e luftës çlirimtare në Kosovë, e sidomos me organizimin e Brigadës 133 “Adrian Krasniqi” të UÇK-së, Ajeti, sikurse edhe vëllezërit e tij, Mehmeti dhe Hetemi, kyçet në njësitë përkatëse dhe angazhohet në detyra të caktuara ushtarake, përkatësisht ngarkohet me detyra të logjistikës. Ndërkohë në fshat ngrihen pozicionet ushtarake. Ajeti, i armatosur me automatik, e me bomba dore, angazhohet në pozicionet te Lugu i Gjatë, te Vreshtat e të tjera. Ai ishte në kontakt me eprorë dhe ushtarë të tjerë të Brigadës 133, siç janë, Naim Gjuraj, Binak Muçaj, Azem Veselaj, Muhamet Demaj e të tjerë.
Në fundin e muajit mars e në fillim të prillit të vitit 1999, sikurse tërë popullata e Zonës Operative të Dukagjinit, edhe familja e dëshmorit Ajet Rexhaj, detyrohet ta lë shtëpinë e të strehohet në male, ku do të ketë edhe mbrojtjen nga UÇK-ja. Ajo u vendos në vendin e quajtur Fusha e Madhe në bjeshkën e Sejnovës. Ajeti përkujdeset për furnizimin e familjes së vet por edhe të popullatës tjetër të zhvendosur, me miell e me gjëra të tjera ushqimore.
Njëkohësisht, Ajeti me vëllezërit e me bashkëluftëtarë të tjerë angazhohet për bartjen e armatimit nga territori i Rozhajës, për të cilin armatim kishte nevojë Brigada 133. Në këtë detyrë, ai, Mehmeti, Hetemi dhe djali i xhaxhait, Arbeni, ishin edhe më 21 maj të vitit 1999. Ata duhej të merrnin armët e blera, në fshatin Bullatiq të Rozhajës. Mirëpo, në kufirin me Malin e Zi, forcat serbe, të cilat ishin të vendosura në Sanino Vodë mbi Jabllanicë të Madhe dhe ato të ardhura nga pasbjeshka e të vendosura në harkun e bjeshkëve nga Kulla e deri te Maja e Madhe dhe Mokna, në verilindje, organizojnë pritën dhe sulmojnë në befasi. Në këtë pritë te vendi i quajtur “Maja e Zezë”, bien Ajeti dhe dy vëllezërit e tij, Mehmeti dhe Hetemi. Në atë rast shpëton vetëm Arbeni, djali i xhaxhait të tyre.
Rivarrimi i dëshmorëve Ajet, Mehmet e Hetem Rexhaj bëhet në varrezat e fshatit të tyre të lindjes, në Jabllanicë të Madhe, në qershor të vitit 1999, pas pushimit të luftës. Atyre u është ngritur përmendorja e përbashkët në qendrën e fshatit, para së cilës përulen të gjithë kalimtarët dhe ata që çmojnë gjakun e lirisë.
Familja e dëshmorëve Ajet, Mehmet dhe Hetem Rexhaj, sot janë të nderuara e të respektuara nga mbar kombi shqiptar për sakrificën e bijve të tyre dhe për çuarjen në vend të idealeve shekullore të brezave të tij.
Dëshmori Ajet Rexhaj ka lënë bashkëshorten, Feriden dhe fëmijët binjakë, Arianin e Albionin, të cilët rriten me krenarinë e babait dëshmor. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Bajram Hetem Sylejmani (3.12.1965 - 28.9.1998)

Bajram Hetem Sylejmani (3.12.1965 – 28.9.1998)

Dëshmori Bajram Sylejmani ka lindur më 3 dhjetor të vitit 1965, në fshatin Sadovinë të …