Albert Z. ZHOLI: Çelet Panairi i 26 i Librit, në Tiranë

Dje në kryeqytet u çel dje edicioni i 26-të i Panairit të Librit “Tirana 2023”, me pjesëmarrjen e 95 shtëpive botuese.  Nën moton “Libri na bashkon të gjithëve”, panairi u hap me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Gjatë ceremonisë së hapjes përshëndeti kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, botuesi Petrit Ymeri, i cili vuri në dukje kontributin e madh të botuesve në sektorin kulturor, duke e konsideruar panairin tradicional të Tiranës si një mundësi tjetër për të qenë sa më afër lexuesve. Panairi është i hapur për të gjithë që duan të njihen me titujt e rinj, të takojnë autorë, botues, shkrimtarë, përkthyes.

Panairin e përshëndeti Ministrja e Kulturës znj. Elva Margariti, që vuri në dukje dëshirën dhe gatishmërinë e qeverisë për të ndihmuar në kultivimin e dashurisë për librin.

“Një institucion të vërtetë” e quajti Panairin drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha. Dhe një mundësi për gjithë autorët e konsideroi shkrimtari i ri Andreas Dushi në fjalën e tij. Panairi u përshëndet edhe nga nënkryetari i Bashkisë, z. Andi Seferi, qe e quajti një qytet me libra, panairin.

Në Pallatin e Kongreseve

Dje me një frekuentim  të vakët  ka nisur panairi i 26-të i librit. Në këtë Panair ndryshe nga vjet që ishin mbi 100 shtëpi botuese këtë vit në Panair  kishte 95 ekspozues. Si gjithmonë në të 26 panairet dita e parë mblodhi personazhe ‘besnikë’ të kësaj tradite, vizitorë dhe shtëpi botuese nga Kosova që sjellin një model politik për librin. Si çdo vit tashmë e kthyer në traditë, ceremonia çelëse, bëri bashkë në Pallat të Kongreseve edhe ‘kujdestarët’ e politikave të librit dhe bibliotekave.

Traditë në vendosje

Kushdo që ka ndjekur panairet që nga viti 1998 vihet re se shtëpitë e mëdha botuese janë rivendosur si gjithmonë në hapësirat në kat të parë, ku për qiranë u duhet të paguajnë mbi 80 euro për m2 gjatë 5 ditëve Panair. Sipas organizatorëve gjatë 5 ditëve do të ketë një sërë aktivitetesh promovuese deri të dielën, ku vëmendje të veçantë i është lënë letërsisë për fëmijë.

Sa i përket shtëpive botuese nga trevat e tjera shqiptare, mbizotërojnë stendat nga Kosova.

Kosova në fakt vjen me politika më të avancuara për librin, duke lehtësuar çmimet e botimeve për autorët, e njëherazi me një buxhet të lartë krahasuar me 12 milionë lekë që i jepen Qendrës së Librit në Shqipëri.

Mes 95 ekspozuesve janë me botimet e tyre  në Panair edhe institucione akademike dhe fetare nga të gjitha trevat.

Përgjatë ditëve

“Janë 5 ditë të mbushura me promovime, takime e diskutime mbi sfidat, me të cilat përballet libri e leximi”,- theksoi Margariti.

Panairi i librit përgjatë 5 ditëve ku ka mbledhur shtëpitë botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, krijues,  shkrimtarë, poetë, përkthyes dhe lexues, do të njihen me botimet e reja, do diskutojnë mbi problematikat e letërsisë bashkëkohore, përkthimit në gjuhën shqipe dhe shumë aktivitete të tjera me autorë dhe studiues. Risi është se gjatë ditëve të panairit do të jenë të pranishëm jo vetëm shkrimtarë nga Shqipëria, Kosova, por edhe të huaj special që do sjellin një frymë tjetër në panair. Një ndër risitë është se i ftuar do të jetë Lilian Thuram, futbollist i jashtëzakonshëm, por këtë radhë vjen si shkrimtar, si dhe Ilide Carmignani, një personalitet i letërsisë, jo vetëm Italian, por edhe evropian, shkrimtari italian Alessio Puleo, shkrimtarja italiane Viola Ardone, përkthyesja italiane Ilide Carmignani etj. Panairi do të shoqërohet me gjithashtu nga një sërë aktivitetesh promovuese, ndërsa në 18 nëntor do të ndahen edhe 4 çmimet e përvitshme, të përzgjedhura nga juria e kryesuar nga gazetarja Arta Marku.

Si gjithmonë Panairi i Librit “Tirana 2023” do të qëndrojë i hapur 5 ditë deri më 19 nëntor për të gjithë vizitorët në Pallatin e Kongreseve.

Motoja e Panairit “Tirana 2023” është “Libri na bashkon të gjithëve”!.

Shtëpitë Botuese “Bota Shqiptare”, “Morava”, “Argeta LMG” janë ndër botuesit që kanë sjellë më shumë botime të reja në këtë  Panair.

Kontrolloni gjithashtu

Sot u shfaq një film dokumentar dhe u përurua një monografi për arsimuesin, veprimtarin e atdhetarin, Mustafë Bahtiri (1925 – 2007)

Sot, në sallën e Kulturës së Komunës së Shtimes, është shfaqur  premiera e filmit dokumentar, …