RTSH

Albert Z. Zholi: Historiku i rrallë i RTSH – së, media e parë vizive në Shqipëri I

Pak histori mbi rrugëtimin e Radios shqiptare
Radio është një media e cila që prej një shekulli ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën e njerëzve. Sot në shumë shtëpi, qendra publike dhe qendra pune vërejmë lloje të ndryshme radiosh. Në vitet 1890, studiuesit bënë përpjekje të shumta për të zbuluar dhe përdorur valët radiofonike. I pari që hodhi idetë për radiovalët ishte Tesla. Në vitin, 1896, Nikola Tesla (kroat) botoi një material ku përshkruante hollësisht në një skemë të gjithë elementët e një transmetuesi radio që më vonë u përdor nga Markon. Duke u bazuar në teorinë e Teslës, inxhinjeri i apasionuar Italian Markon (Marcon) me shumë vështirësi realizoi më në fund shpikjen që bëri bujë dhe që e bëri atë të pavdekshëm, pra radion.. Megjithëse në fillim valët e radios u përdorën për komunikim mes anijeve apo për komunikim në ushtri, në fillim të shek 20-të me ndërtimin e radiostacioneve dhe antenave, radio u bë një media publike për argëtim dhe për transferimin e informacioneve. Radio me shpejtësi hyri nëpër shtëpitë e njerëzve dhe u bë një mjet i rëndësishëm në jetën e tyre.
Aktualisht gjendja e radios ka ndryshuar. Megjithëse kjo media ka bërë përparime të dukshme, ajo po përballet me konkurrentë të rinj dhe të fuqishëm.

Amerika e para në botë
Amerika. Superfuqia e botës. Aty ku janë mbledhur ajka e trurit botëror. Vendi i demokracisë së vërtetë ku shkenca përparon më shpejtë se koha. Në këtë vend të begatë u përdor për herë të parë radioja. Ishte data 15 qershor e vitit 1920. Një aparat radioje dhe një studio e thjeshtë. Lëvizet një çelës i një aparature… Dhe ja…Magjia e pritshme dha frytet e saj. Bota po përjetonte një shpikje të madhe. Nga lëvizja e këtij çelësi, nga aparati i radios, këngëtarja amerikane, Neli Melba, për herë të parë në historinë e njerëzimit, përhapte para mikrofonit të Radio Pitsburgut këngë që, përshkroi hapësira të pamata. Bota po përjetonte një ditë të veçantë. Shkenca dhe bota mbarë ndjenë fillimin e një ere të re. Të erës së bukur të radiofonisë.

Dita e inaugurimit të Radio Tiranës 28 nëntor 1938
Afërsisht 18 vjet më vonë, era e radios mbërriti dhe në Shqipëri. Ndoshta jo me aparaturat më të përparuara të kohës, por sidoqoftë për jetën e shqiptarëve ishte një eveniment. Ishte nisma e Zogut të parë që dhe në Shqipërinë e prapambetur të vinte magjia e radiofonisë, kur në mbarë Evropën radio kishte hyrë në pjesën dërrmuese të popullsisë. Ishte 28 Nëntor 1938…
Gazeta “Drita” e datës 29 nëntor 1938, në artikullin “Si është përbërë stacioni ynë i Radio Tiranës”, midis të tjerash, shkruan: “Naltmadhnia mbreti dhe mbretëresha inauguruan solemnisht Radiostacionin. Në qendrën e Radiostacionit që gjendet në Laprakë, ishin përqendruar autoritetet më të larta civile e ushtarake të vendit”.
Ndërsa një ditë më vonë, pra më datën 30 nëntor “Gazeta e Korçës” shkruante: “Me çeljen e këtijë stacioni u plotësua me sukses një mungesë e dukshme. Shqipëria ishte i vetmi shtet i Evropës pa një stacion të tijën. Është e vërtetë se shërbimin e lajmeve në gjuhën shqipe e kryente me mirëdashje radiostacioni i Barit me shërbimin e tij të përditshëm e gjithashtu me emisione të rralla koncertesh, por këto nuk mjaftonin”.

Agim Pipa
Radiotelevizioni shqiptar, si pjesë e ndërgjegjes së kombit…
RTSH i ka ngjarë një kambane të madhe qiellore, që, përhapte papushim dhe pafundësisht, zëra njerëzore dhe tinguj muzikorë, nga toka jonë e mirë, deri në hapsirat e largëta të globit, atje ku jetojnë mijra njerëz, si pjesë e pandashme e popullit tonë. Sa më shumë afrohesh pranë RTSH, aq më shumë e dashuron atë. Sa më shumë i largohesh, aq më shumë të merr malli për të. Për gjithçka. Nga mëngjesi i butë, kur ti i drejtohesh aparatit të thjeshtë të radios dhe kërkon me intuitë valët e saj, për të dëgjuar zërin e ëmbël të spikeres, që të përshëndet: “Këtu Radio Tirana…me valë të mesme…Ju urojmë një ditë të mbarë të dashur bashkëkombës dhe bashkatdhetarë!”, deri në mbrëmjen e thellë, ku muzika e Zadesë, e Harapit, Gjonit, apo zëri I M.Xhemalit, V.Zelës, i grupeve polifonike apo i rapsodëve të magjishëm të bjeshkëve tona, të përcjellin në gjumin e mirë! Po ashtu ka ndodhur deri dje dhe me televizionin”.
Kujtimet
Po nis kujtimet dhe rrëfimet, për një pjesë të legjendave të mikrofonit të Radios. Mikrofonit, që, sa njerëz patën fatin dhe folën në membranën e tij magjike, u dashuruan me të dhe e quajtën të shenjtë. Ishin ditë vjeshte. Viti 1979. Unë hyra në godinën e bukur, që i ngjante një godine të kristaltë zërash dhe, përballja e parë, ishte zyra e drejtorit të saj. Zotit Klimi Misa. Si bashkëpuntor i afërm i Radios, unë kisha vite që udhëtoja me magnetofonin e rëndë dhe të saktë, “Uher”, që, sapo e vije në sup, të jepte një forcë dhe pothuaj të tjetërsonte. Të bënte pjesë të logjikës dhe arsyes së kombit tënd. Pjesë të kulturës dhe të traditës. Të ritmeve të zhvillimit dhe të kapërcimit të hapsirave, prej Tiranës, deri në Vermoshin e largët në veri dhe Konispolin e bukur, buzë piramidash kufitare, në jug. “Eja, djalosh…Në hekurudhën Fier-Vlorë, duhet të shkosh. Tek aksionistët. Reportazh, mbi punën për ndërtimin e hekurudhës dhe jetën e të rinjve tanë atje…Do të udhëtosh me makina të rastit. Shko në redaksi, tako Pandin e lajmeve, pastaj mer edhe “Uherin” dhe nisu. Tri ditë, mjaftojnë?” U bëra me fletë…Udhëtova me një “Skodë”, që çonte dhe merte puntorë, nga Parku i Mallrave, pranë shkollës së mesme Teknologjike, deri në kampin e aksionistëve, ne Levan…Pas tri ditësh, gjithçka u krye thjesht, mirë, bukur…Ishte kohë e artë…
Fundvitet ‘80
Por, do të vij tani tek fundvitet ’80 dhe fillimvitet ‘90. Kur Radio Tirana, u quajt aorta e madhe e zërave dhe ndërgjegjes kombëtare. E viteve të ndryshimit të madh. Që, po niste e po përgatitej prej vitesh, nëpër studiot dhe redaksitë. Nëpër sheshet e punës, qytetet, fshatrat, shkollat, në Universitet, në uzina dhe punishte, fabrika dhe ferma, nëpër institucione dhe akademi shkencore. Janë të shumtë emrat e gazetarëve, regjisorëve. Të redaktorëve, folësve, shefave të redaksive, të dispeçërve, inxhinjerëve, teknikëve, montazhirëve, shoferëve dhe administratorëve. Prej të cilëve po kujtoj: Agron Cobanin, Kiço Fotiadhin, Timo Luton, Pandeli Shehun, Zamira Kolecin, Korab Hoxhën, Liljana Shanton, Arqile Ndinin, Alfred Kaninin, Xhelil Aliun, Afërdita Selimin, Feruze Bajon, Meropi Matlinë, një prej spikereve brilante të Radios dhe Elsa Xhain, Viron Notin, Agim Xhekën, Atli Dacin, Jani Durin, Vangjo Kozmain, Arjana Qatipin, Shefqet Mekon, Amilda Dymin, Adi Krastën, Valdete Andonin, Frida Shytin, Paulin Shkjezin, e sa e sa gazetarë, redaktorë, regjisorë, folës, dhe bashkëpuntorë të tjerë të redaksive dhe emisioneve të Radio Tiranës. Dhjetori i vitit 1990, ishte koha e provës së madhe. Atëhere, ishdrejtori I Radios, z.Thimi Nika, një gazetar me përvojë nga shtypi i shkruar, e ktheu zyrën e tij në një central, që gjeneronte ide dhe punë gjigande. Po tronditeshin themelet e ishdiktaturës. Dhe hapat duhet të hidheshin me kujdes. Por, duke prurë në mikrofonët e studiove, uraganin e madh të zërave popullorë. Të protestuesve të rrugës së Kavajës fillimisht, në korrik, që shpërthyen muret e ambasadave. Më pas, të studentëve. Të sindikalistëve, të qytetarëve të ngritur në revolucion, për mposhtjen e sistemit të kalbur të diktaturës. Dhe Radio Tirana, e dha provën e saj. Ishte provë zjarri, jo shaka…Ishte kohë, kur në studiot e transmetimit, natën e rënies së bustit të diktatorit, grupe ushtarakësh patrullonin nëpër korridoret e gjatë të Radios dhe jepnin urdhra për transmetimin edhe të antimitingjeve dhe mbledhjeve të byrosë politike të asaj kohe, të kthyer në çerdhe intrigash dhe fantazmash. Që kërkonin kurban koka njerëzish, gazetarësh, teknikësh, folësish, teknikësh…Ishte koha e përplasjes së madhe. Dhe, Radio Tirana, e fitoi betejën. E fitoi sprovën, me kohën…Pas revolucionit, ne ishim të gjithë të lumtur. Me kolegen time Arjana Qatipi, gazetaren deri atëhere të emisioneve për gratë dhe femrat shqiptare, ideuam dhe çelëm një program të drejtpërdrejtë, me problematikë dhe fytyrë sociale. Gjithëpërfshirës. Me tre ore transmetim. Nga edicioni i radhës i lajmeve, marë nga redaksia e informacionit, deri tek rubrikat me debate, intervista, lojëra argëtuese dhe zbavitëse radiofonike, muzika e përzgjedhur…dhe një grup vajzash, studente nga histori-filologjiku, apo maturante në gjimnazet e Tiranës, si bashkëpuntore të këtij programi, që, duke e menduar si një spektakël radiofonik, e quajtëm “Sot. Po nesër?” Për të hapur membranën e mikrofonit të Radios, për ta kthyer atë në një bashkëfolëse gjigande me zërat popullorë, ne hapëm edhe dy linja telefonike, të drejtpërdrejta dhe, më ndihmën edhe të drejtorisë teknike në Radio, përgatitëm një bërthamë të vogël gazetarësh dhe një regjisore, për transmetime të drejtpërdrejta, me një studio lëvizëse modeste. Mbaj mend se, në Kuvendin e parë pluralist shqiptar, atë kohë, miratoheshin ligjet e para me debate të mëdha. Në portin e Durrësit vazhdonin dyndjet e njerëzve të dëshpëruar, që kërkonin të rrëmbenin për herë të dytë anijet, për të shkuar në Tokën e Premtuar për një jetë më të lumtur, ndërsa në rrugët e Tiranës, shiteshin ushqime të ardhura nga ndihmat për popullsinë e mbetur pa punë dhe pa përkrahje sociale. Programi “Sot. Po nesër?” ishte i pari, i drejtpërdrejtë dhe treorësh ku, përmes telefonatash direkte, për herë të parë, hyri zëri i njerëzve të lirë, i pacensuruar, i pakontrolluar nga dora e hekurt e ish-drejtuesve partiakë konservatorë dhe dogmatikë. Sa përmes të ftuarve në studio dhe transmetimeve direkte me studion e vogël lëvizëse, aq edhe përmes telefonatave. Ku do të kujtoj debatin në telefon, ndërmjet gruas së ish-diktatorit, me një vajzë nga Tirana, studente, që fliste nga Universiteti i Torinos. U përplasën dy botë dhe fitoi e reja. Moderatorja e emisionit, Arjana, ndërhynte mençurisht me pyetje të sakta, tek të dy bashkëdialogueset, ndërsa drejtonte debatin, ndërsa vajzat në studio, duartrokisnin bashkëmoshataren e tyre…Po atë ditë, unë dhe kolegia tjetër, Amilda Dymi, transmetonim direkt nga Durrësi, revoltat e qindra njerëzve, që po përplaseshin me ushtrinë në dyert e portit…Ishte gjithçka direkt, për herë të parë. Ndërkaq, pas këtij program vijuan edhe dy të tjerë, në formë ciklesh. Por kulmin transmetimet direkte e arritën me programin “Zemër”, kushtuar emigrantëve shqiptarë…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi E hënë 19 prill, 1999

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi (E hënë 19 prill, 1999)

Sot moti ka filluar të përmirësohet. Qysh në orën 9.00 të mëngjesit janë lëshuar në …