KEK
Fillimi / Intervista / Albert Z. Zholi: Intervistë me poetin dhe piktorin Faslli Haliti
Faslli Haliti

Albert Z. Zholi: Intervistë me poetin dhe piktorin Faslli Haliti

-Si e nxori jashtë “Profesori” poetin Bardhi se recitoi poezinë e Majakovskit “në çdo zyrë ka nga një burokrat”

— Si e njoha Xhevahir Spahiun me Visar Zhitin dhe i prezantova poezitë e tij

-Visari mbajti mëri më pas pasi mendoi se i thashë Spahiut se Visari “ka biografi të keqe”

– Në viti 1972, Kadareja më përfshiu në Antologjinë që do të botohej në Francë me një cikël me poezi 

– Por cikli im poetik u hoq nga Antologjia, sapo unë shkova me dënim në fshat për riedukim, për gabime  idepolitike në krijimtari

– Visar Zhitit sa e morën vesh që u burgos, ja hoqën ciklin poetik nga revista “Nëntori”

-Një nga poetët që ju flsini me respekt është dhe Fatbardh Rustemi?

Një ditë, aty nga ora 12.30’, shoh në oborrin e gjimnazit poetin e ri, Fatbardh Rustemi. Mësova  se e kishte nxjerë jashtë nga klasa mësuesi ose “profesori” i letërsisë siç e quante ai veten. E  pse, me siguri nga që kishte folur me shokun e bankës, mendova, por jo; “profesori”, mësuesi i letërsisë e kishte ngritur në mësim për të komentuar një poezi të Majakovskit dhe kur nxënësi kishte cituar vargun, ku poeti thoshte se, në çdo zyrë ka nga një burokrat; “jo more”, i  kishte thënë, professor-mësuesi i letësisë, do, që vetë ai dhe gjithë fisi i tij e quanin profesor.

Pse i ke numëruar ti?,

Jo unë, profesor, por Majakovski, i kishte thënë nxënësi,

Jashtë i kishte thënë, mësues-profesori i letërsisë duke bërtitur aq sa gati u thyen edhe xhamat e klasës. Dhe ja tani Bardhi, rrinte jashtë në oborr duke ruajtur qetësinë e tij olimpike.

-Ky mësues “Profesor” kështu sillej me talentet e reja?

Kjo më kujtoi rastin e një krijuesi të ri me talent të veçantë nga zona kodrinore i cili kishte marrë pjesë në mbledhjen e rrethit letrar të gjimnazit, po u tregonte shokëve se si kishte folë ky apo ai anëtar i rrethit letrar. Po kur tha se në fund foli dhe mësues Murati…

Me ta dëgjuar mësues Murati i cili nuk ishte veçse disa hapa larg nxënësve që po diskutonin me zjarr, befas, iu turr krijuesit të ri me talent të veçantë duke i thënë me inat, pse flinë më ke ngrënë ti mua, që më thua Murat dhe mësues dhe jo profesor Murati?

Po ti mësues je zoti mësues. Dhimitër S. Shuteriqi dhe Çabej, ata po, janë Profesorë…!

Ashtu ë ? Dhe mësues Murati  ia veshi aq fort me pëllëmbë krijuesit të ri me talent nga zona kodrinore, sa pesë gishtat e mësues-profesorit mbetën  një javë të nxirë në faqen e krijuesit të ri me talent të veçantë. Atëherë, ai, goditi me pëllëmbë letrarin e ri vetëm pse e quajti mësues si dhe në emër Murat dhe jo me ndajshtimin professor Murati.

Dhe  ja edhe  sot si atëherë, paska nxjerrë nga klasa krijuesin me talent të spikatur, pasionant për kritik letrar. Ja, pikërisht kështu vepronte ai mësues letërsie, nuk i shtonte thëngjitë e ndezur poetikë, që të prushonte vatra poetike e gjimnazit, por i shuante, i flakte tej dhe vatra mbushej me thëngjinj të shuar, të karbonizuar në vend që bubullonte nga prushi i bukur vetues poetik.

 

-Kudo ka xhelozi dhe smirë brenda krijuesve, por atë kohë besoj se zilia vinte më shumë nga ata që nuk e njihnin letërsinë?

Edhe brenda prushit kishte ziliqarë ndaj ndonjërit që botonte pak më shpesh ose vlerësohej pak më shumë. Të kuptueshme këto. Mora vesh të thuhej se unë e kisha tepruar duke quajtur gjeni dikë nga grupi ynë. Isha i bindur se s’kisha quajtur askënd gjeni. Shumë shumë mund të kisha thënë në mënyrë figurative, metaforike, se ky varg apo ky mendim i letrarit të ri i filan poeti të ri, më duket gjenial.

Sipas rastit zili, ambicie, xhelozi shfaqte secili nga ne, në një çast dobësie.

-Si kanë qenë lidhjet tuaja me Visar Zhitin?

Visari, ka qenë disi difident ndaj meje. Rastisi që një ditë erdhi në Lushnjë Xh. Spahiu. I tregova Xhevahirit dy-tre cikle të dy letrarëve të rinj të cilët i kisha në dosjen time. Pasi i kisha përzgjedhur vetë ia dhashë edhe Xhevahirit që ti lexonte për të verifikuar edhe veten. Pas atyre dy cikleve të cilët më kishin pëlqyer, nxora nga dosja dhe ciklin e   midis Visarit të cilin e kisha e mbaja si një cikël brilant. Përzgjedhur midis poezive që më kishte dhënë Visari për t’i lexuar. Xhevahiri, gjithashtu e pëlqeu ciklin dhe u shpreh me entuziazëm për ciklin. M’u bë shumë qejfi që Xhevo u entuziazmua.

Ke poezi të tjera të tjera ?, e pyeti poetin e ri Xhevo. Kam i tha. Të shkoj t’i marr. Visari shkoi në shtëpi, mori poezitë. I dha, Xhevos i cili këtë herë, nuk u tregua dhe aq entuziast si me ciklin e parë. Pas disa ditësh mësova se arsyeja që Xhevo s’e paskësh pëlqyer edhe aq ciklin e dytë, dilte se shkaku kisha qenë se, sikur gjoja unë, kur Visari shkoi të merrte poezitë e tjera, gjatë vajtje – ardhjes për në shtëpi, unë e paskësha vënë në dijeni Xhevon (i cili ishte redaktor në revistën «Nëntori») për biografinë e Visarit. U pikëllova. Kuptova se ai ishte difident ndaj meje. Ja  dhe një rast tjetër:

Në viti 1972, Kadareja më përfshiu në Antologjinë që do të botohej në Francë me një cikël me poezi. Por cikli im poetik u hoq nga Antologjia, sapo unë shkova me dënim në fshat për riedukim, për gabime  idepolitike në krijimtari. U pikëllova, po nuk pyeta se kush e vuri në dijeni botuesin francez që unë isha dënuar. Kjo dihej. Partia e kishte vënë në dijeni. Kështu i ndodhi dhe Visarit me ciklin poetik që i ishte futur për botim në revistën “Nëntori”, se sapo Visari u arrestua, cikli poetik u hoq nga revista. Po nga kush e morën vesh ata të revistës «Nëntori» që Visarin e kishin future në Burg?. Pa dyshim, Partia i kishte vënë në dijeni, kush tjetër. Ende pa gëdhirë, Paria niste komunikatën në çdo institucion; sa kv. pleh u grumbullua, sa kv. Pambuk u vol e, jo më të mos informonte se kush ishte arrestuar e burgosur. Kjo komunikatë shkonte gjithashtu edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve e cila nga ana e saj vinte në dijeni revistën «Nëntori». Të pyesje se si e qysh u muar vesh arrestimi i këtij apo atij poeti, ky është thjesht një obsession, difidence..

Mund të vijoja edhe më tej, por s’dua ta teproj me të tilla imtësira…

***

Një ditë, si mbaroi  ora e gjashtë e mësimit, mora regjistrin në sqetull dhe bëra të dilja, por dy nxënës më bënë të ndalesha e të bisedoja me ta. Ishin dy djem, njëri flokëzi si Majakovski, me emrin kuptimplot Fatbardh dhe,  tjetri bjond  si Esenini, po me emrin, gjithashtu, kuptimplot Visar. Kur mësova se ata shkruanin  poezi i bëra menjëherë shokë. I takoja, gati përditë, mbase më shumë. Bisedonim për letërsinë, sidomos për poezinë, pa politizime, por duke  u rekomanduar si njerit dhe tjetrit vepra të shkrimtarëve të mëdhenj, ndryshe nga mësuesi i letërsisë dhe  poeti beniamini i komitetit të partisë  i cili u thoshte që të lexonim  e të thelloheshin në marksizëm-leninizmin, nëpërmjet leximit të veprat të partisë e të shokut Enver…, nëse donin të shkruanin poezi të bukura, me partishmëri të lartë. Duke qenë më i moshuari midis të treve, më takonte mua që të mos i çoja në ligatinat politike e ideologjike, këta dy krijues të brishtë, por tepër inteligjentë e të talentuar. Sepse e kisha mirë parasysh thënien e Stendalit se Politika në një vepër letrare, ndjehet e vrazhdë si arma që shkrepet në mes të koncertit, si dhe thënien e  Eseninit se ideologjia i ngjante një korbi i cili fluturon, fluturon e ulet diku. Librat që merrja nga Fondi rezerv i Bibliotekës Kombëtare me autorizim të Lidhjes së shkrimtarëve  apo nga Xhevahir Spahiu, Kiço Blushi,  Fatos Arapi etj, ia jepja edhe dy kolegëve të mi, siç nisa t’i konsideroja tashmë,  Visarin dhe Bardhin të cilët, gjithashtu, më jepnin dorëshkrimet e tyre me poezi disa me të cilat më entuziazmonin për këndvështimet dhe gjetjet interesnte e të guximshme, kurse disa të  tjera më entuziazmonin me vargjet e lëmuar si nga dora e një mjeshtri apo si nga një dorë Naimi apo Mjede. Kur pashë se të tre  po e ndihmonim njeri – tjetrin reciprokisht dhe duke parë se ata rriteshin para meje dhe unë thinjesha para tyre, atëherë  botova në revistën “Nëntori” poezinë me një strofë vertikale e me strofën tjetrën horizontale:

 

 

MARRËDHËNIE 

                                        

                                              nxënësve të mi

F

a

t

b                              V

a                               i

r                               s

d             U              a

h             n               r        

 i              ë               i

 

Kështu ne dilnim shëtitje,

Kështu diskutonim të tre,

Renditja ishte thjesht estetike,

Unë qëndroja midis jush

Si me i shkurtër

Dhe jo si mësues.

***

Isha i vetëm në fillim dhe ja u bëmë tre. Ishim tre thëngjij të ndezur dhe u bëmë një prush poetik i cili rritej çdo ditë, javë, muaj e nga viti në vit, me thëngjij të tjerë të ndezur poetikë.  Kuptova se vatra duhej shtuar gjithnjë me prush të ri poetik. Dhe vatra  u zgjerua, prushi poetik prushonte. U bëmë katër. Mes tre poetësh kishim dhe një prozator, me tregime realiste, jetësore. U bëmë pesë, gjashtë shtatë, tetë, nëntë, dhjetë….  e me ne po afroheshin krijues të tjerë të cilët zbrisnin nga kodrat që vinin nga fusha, nga gjithë fshatrat. Meqë unë drejtoja rrethin e pikturës në shtëpinë e kulturës dhe të pionierit, vatrës sonë poetike iu shtuan edhe piktorë, skulptorë, grafistë, akuarelistët, një prej të cilëve u bë i njohur që kur ishte pionier.  Më vonë, ai  ekspozoi akuarele në ekspozitat kombëtare pa mbaruar ende Liceun artistik. Duke parë se nuk mund ta ndiqja më dot e lidha me shokun tim, piktorin e  shquar, me “Piktor e Popullit” S. Kamberi. Kështu që vatra letrare artistike, po zgjerohej më tej, nga viti në vit. Poetët, tregimtarët lushnjarë po botonin me sukses, poezi, tregime, në shtypin qendror letrar, po kështu dhe krijuesit e artit figurativ po ekspozonin me sukses në ekspozitat lokale dhe qendrore. Filluan të dilnin në dritë librat e parë dhe ekspozitat e para personale…Tani qyteti ynë kishte dy vatra poetike: e jona dhe ajo e poetëve beniaminë të komitetit të partisë. Vatra  e treshes sonë poetike prushonte dhe ngrohte, ajo e mediokrëve, shkrumbonte, sidomos talentet  e “mbrapshtë”…

Por ja erdhi viti 1972, vit liberal me një fllad të lehtë demokratik që po i bënte krijuesit të çelnin gëzueshëm. Botohet në këtë atmosfere liberale, poema Dielli dhe rrëkerat. Vatra e  mediokërve, u ndërsye. Mediokrit morën porosinë që  të organizonin një autodafe kundër poemës që nxinte socializmin, jetën e ndritur dhe që bënte thirrje t’i bëheshin krah për ndryshimin e sistemit. Lukunia e krijuesve gardistë të kuq, nuk ishte pa eksperiencë në goditjen krijimeve dhe krijuesve tersë që godisnin vijën e partisë. Ata kishin eksperiencë në këtë aksion, kishin goditur librin Sot, para dy vitesh natyrisht, duke patur ndihmën e komitetit të partisë dhe veçanërisht të sekretarit ideologjik, një ish traktorist i cili njihte disi traktorin, dinte ta zbërthente e ta mbërthente disi traktorin, por jo poezinë, kurrësesi. Beniamini, poet, me sy të hirrtë si të maces së egër të pyllit, mori vlerësime të mëdha nga sekretari, për partishmërinë e lartë që tregoi në goditjen e librit reaksionar «Sot», siç e quajti një militant i ndërsyer të lihte në atë mënyrë. I tillë duhej të tregohej edhe këtë herë, kundër poemës «katran me bojë», siç e cilësoi atë sekretari i parë . Mbledhja autodafe u organizua. Autori i poemës u detyrua të qëndronte 10-12 orë në këmbë që t’u përgjigjej pyetjeve të gardistëve të kuq të gjimnazit dhe disa rrozhgëve që shkruanin bejte. Në mbledhje u vendos që autori i poemës, nga mësues të shkonte 4 vjet në Kooperativën Fier-Shegan që të edukohej nga kooperativistët, aleatët e klasës punëtore.  Prushi poetik i krijuesve të talentuar u godit egërsisht  me shqelma, u shprish, thëngjijtë e ndezur i mbuloi hiri, por nuk i shoi kurrësesi. Erdhi viti ’90 dhe erërat e reja e davaritën hirin dhe u zbulua prushi i krijuar nga treshja së cilës unë i kisha kushtuar poezinë: «Fatbardhi / unë / Visari.Kështu diskutonim të tre,/Renditja ishte thjesht estetike,/Unë qëndroja midis jush/Si më i shkurtër/ Dhe jo si mësues», që gardistët e kuq bolshevikë të gjimnazit këtë poezi në kritikën e tyre aktakuzë e cilësuan këtë poezi gjysmëformaliste.

Edhe treshja jonë poetike u davarit. Autori i poemës Dielli dhe rrëkerat shkoi në kooperativë për të kryer kovaleshencën 10-vjeçare ideologjike e politike 1973-1977,  4 vite në kooerativë dhe 6 vite në komunale, në dekorin e qytetit:1977-1983, i normuar. Visar Zhiti u dënua me 10 vite burg në Spaç, për poezitë e tij moderne, antikomuniste, kundër diktaturës, në vitet 1979 -1989. Kurse Fatbardh Rustemi, u dërgua mësues në Çermë Sektor, atje ku ndodhej i internuar, Pandi Kristo. Fatbardhi nuk u dënua vërtet si unë me dhjetë vjet punë të detyruar, por u dënuan poezitë e tij duke mos u botuar. Fatbardhi nuk u burgos vërtet, siç u burgos Visar Zhiti për poezitë e tij morderniste, kundër diktaturës, por edhe  Fatbardhit, gjithashtu, iu burgosën poezitë në sirtarët e redaksive të cilat nuk botoheshin për këndvështrimin e tyre kritik  dhe për nervin e tyre  kundër padrejtësive dhe të metave uluritëse të asaj kohe, me porosi dhe orientim të komitetit të partisë së qytetit tonë.

Ky ishte fati i Treshes sonë poetike, në diktaturë, megjithatë  Treshja jonë  nuk u dha. Ajo lulëzoi. Secili nga ne të tre, në stinën e re çeli lulet e tij më të bukura e kundërmuese. Sidomos Visar Zhiti harboi në një lulëzim të bukur, gumëzhitës duke fituar kështu kohën e humbur. Dhe e fitoi. Veprat e tij sot nuk i lexojmë vetëm ne, por dhe të tjerë kudo nëpër botë, përmes përkthimeve të librave të tij në Amerikë, Itali, Maqedoni, Greqi, Kinë etj. Pati dhe të burgosur të tjerë politkë që krijonin poezi dhe prozë, por Visar Zhiti bëri emër me një punë dhe talent të jashtëzakonshëm.

Treshja jonë poetike, nuk qe pa telashe. U bënë përpjekje, insinuata për ta përçarë, por nuk ia dolën ta përçanin. Shumë, shumë, na krijuan ndonjë qejfmbetje efemere, por asnjëherë grindje dhe zemërata të gjata, sepse duke dashur krijimtarinë e njeri-tjetrit, duke e vlerësuar me sinqeritet këtë krijimtari, pa lajka, Treshes sonë poetike nuk iu trand kohezioni edhe në situata të vështira gjatë kohës.

E habitshme, por e vërtetë. Në vitin 1996, Visari dhe unë u përballëm  në fushatën zgjedhore si kandidatë për deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Visari kandidonte për të djathtën, unë për të majtën. Përballja jonë si rivalë apo si opozitarë ishte dhe mbeti përballje e dy krijuesve që suksesin e kërkonim në krijimtari e jo në politikë. Ne, u  duheshim të dy krahëve, pa  u merakosur se na donin apo jo. Dhe ne pranuam të kandidonim. Kur duhesh, s’ka sens të mos i përgjigjesh thirrjes për të mirë të vendit. Por zgjedhjet u manipuluan.  E djathta i vodhi votat. E majta u tërhoq nga votimi. Protestoi ashpër.  U fut në grevë urie. M’u desh dhe mua të futem në grevë urie edhe pse  isha 61- vjeçar, mes kanditave 20, 25, 35 – 40-vjeçar të  së majtës. Flitej se grevistët hanim e dendeshim gjatë grevës së urisë. Mbase!. Unë vizatoja grevistët, pa vënë re se hahej apo s’hahej bukë nga grevistët. Pas tre-katër ditësh, mjeku i grevës së urisë që na vizitonte here pas here tensionin, i alarmuar plotësoi raportin që unë të dilja nga greva e urisë urgjentisht se më kishte rënë tensioni nga mungesa e ushqimit. Nuk pranova. Dikur në vitet ’50,  një bujk më kishte vjedhur nuskat më të mira të misrit të arës sime. Më mbeti opsesion kjo vjedhje në kohë të zezë zije buke, e si të pranoja këtë vjedhje vote, këtë copë shpirti duke  dale nga greva e urisë? Kurrë! Atëherë mjeku vendosi të qëndroja në grevë me serum nga goja.

Edhe ky moment paradoksal, nuk na përçau. Unë e mirëkuptova rivalin tim dhe nuk u preka aspak që ai e pranoi mandatin e deputetit, i bindur se ai e kishte fituar pastërtisht mandatin me martirizimin dhe vlerat e tij.

Nëse i njoh një meritë vetes time, është pikërisht, krijimi i vatrës, prushit apo mjedisit krijues, pa krijimin e të cilit, unë vetë do të isha tharë si një fije bari. Një nga krijuesit tanë, tregimtari i famshëm Halil Jaçellari më tha një ditë:

Dëgjo Faslli:

Po të kishim pas kondita më të mira do të kishim bërë edhe më shumë, por pa njeri- tjetrin, nuk do të kishim bërë asgjë, do të ishim si ajo pema që thahet pa lulëzuar, pa lidhur asnjë kokërr.

Kuptova se gjithçka që kishim bërë me Visar Zhitin dhe Fatbardh Rustemin, si dhe me krijues të tjerë të talentuar ose më shumë të talentuar të qytetit tonë duke u dhënë me pasion e punë sistematike, nuk ishte mund i kotë.

Është e vërtetë që Visari, Fatbardhi e  ndonjë krijues tjetër ishin mbase një zbulim imi. Por me këtë s’duhet spekuluar. Edhe Kolombi zbuloi Amerikën, por vetëm e zbuloi. Nuk e bëri. Amerikë ajo, u bë vetë Amerikë.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. Zholi: Intervistë me muzikologun, Naxhi Kasoruho “Mjeshtër i Madh”

Albert Z. Zholi: Intervistë me muzikologun, Naxhi Kasoruho “Mjeshtër i Madh”

– Gjirokastra- thotë Kadareja “Duket sikur ka dalë një natë dimri në anë të udhës si ...