Kantonit të Luzernit

Albert Z. Zholi: Pse po bie interesi për shkollën?!

                              Shkolla jo gjithmonë jep njohuri, shpesh vetëm një diplomë

Lumturia e njeriut përbëhet nga arsimi dhe edukimi, jo nga pasuria që fati i jep dhe i merr. Më mirë të bëhesh nxënës në pleqëri sesa të largohesh nga kjo botë i paditur. Sistemi më i mirë arsimor nuk sjell gjë të re nëse njeriu nuk ndryshon, nëse nuk arsimohet moralisht dhe shpirtërisht. Sepse njeriu është gjenerator i posaçëm i të gjithave ndryshimeve të vazhdueshme jetësore. Pa ndërrimin e njeriut të gjitha reformat ekonomike, politike, financiare, kulturore, arsimore etj., janë të pamundura të realizohen për krijimin e një jete më të mirë. Sepse në zemrën e njeriut vihen themelet e reformave dhe strukturave të reja. Edhe ligji më i mirë në dorën e njeriut të paedukuar, pra të njeriut apo të shoqërisë së pamoralshme dhe të keqe, nuk mund të jetë funksional. Është e njohur thënia se askush nuk mund ta ndërrojë gjendjen e një populli, derisa ata të ndërrojnë vetveten. Po deshe të jesh i mënçur, mësohu të pyesësh me mend, të dëgjosh me vëmëndje, të përgjigjesh i qetë dhe të pushosh së foluri, kur nuk ke ç’të thuash më,- ka thënë Fonten (Francë). Por mënçuria është e lidhur pazgjidhshmërisht me librin, pra me shkollën. Realiteti i sotëm tregon se, një nga problemet e mijëvjeçarit të tretë është dhe rënia në mënyrë të ndjeshme nga ana e fëmijëve e interesit për të (shkollën). Jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë globin kjo sindromë e padëshirueshme po merr përmasa alarmante. Në mbarë botën sipas një sondazhi dhe statistikave të publikuara nga “Blagg” (Institut për problemet e arsimit), rreth 11,3 % e fëmijëve janë analfabetë. Nga shumë psikologë mësues dhe sociologë është nxjerrë përfundimi se, dy janë arsyet (proceset) që karakterizojnë sjelljen refuzuese të fëmijës ndaj shkollës. 1- “Mohimi”, i cili nënkupton mosdëshirën për të vajtur në shkollë dhe për t’u marrë me gjëra të tjera, që i pëlqejnë fëmijëve jashtë dëshirave dhe kërkesave të prindërve (ku shumë herë prindërit duan t’i detyrojnë fëmijët për preferencat e veta). 2-Frika ndaj shkollës, e cila përmban në vetvete dimensione psikologjike (disiplinë, kërkesë llogarie, frenim për lojrat, kufizim kohe). Ndonëse specialistët nuk bëjnë shumë dallim midis këtyre dy arsyeve (proceseve) duhet pranuar se rasti i dytë është shumë serioz dhe shpesh kërkon ndërhyrjen apo punën e vazhdueshme me psikologun. Ç’farë presupozon apo nënkupton “Mohimi” për shkuarjen në shkollë? Në ç’moshë shfaqet ky mohim? Sot pohohet nga shumë prindër se fëmijët shfaqin frikë për shkollën qysh në momentin kur atyre u thuhet apo u bëhet prezente një diçka e tillë. Lidhur me moshën në të cilën një fëmijë mund të shfaqë frikë shkollore, specialistët theksojnë se është më e mundëshme që kjo frikë të shfaqet në nxënës të moshës 10-12 vjeçarë dhe arrin deri te të 14-tat. Ndërsa nga ana tjetër shkolla amerikane (më vete), mbështet idenë se mosha më kritike për të shfaqur frikë shkollore është midis pesë dhe dhjetë vjetëve. Në vija të përgjithshme fëmijët me frikë shkollore paraqesin zakonisht dobësi serioze në marrjen e inisiativës, tregojnë më të madh se mosha e tyre, vuajnë nga ndonjë pikëllim dhe mbajnë një qëndrim pa shprehje. I bezdis prania e librave, nuk janë sistematikë në përgatitjen e mësimeve dhe në vendosjen e librave.

Faktorët shkaktarë?

Faktorët, që çojnë në lindjen e një problemi të tillë janë të shumtë; por nga specialistët më të rëndësishmit janë sidomos ato që kanë të bëjnë me familjen dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë tek të dy grupet e fëmijëve. Eshtë karakteristike studimi i përfunduar nga Blagg në vitin 2008, që lidhet me një nga faktorët familjar, që lidhet me një nga problemet me rëndësi jetike sikurse është niveli i papunësisë së prindërve. Ky studim nxorri në pah dy probleme apo u bazua mbi dy pista. Pra; 1-Fëmijët që kanë `prindër pa punë dhe që kanë frikë nga shkolla. 2- Fëmijë me prindër pa punë dhe që kanë dëshirë apo largohen përfundimisht nga shkolla ku edhe familja në kësi rastesh nuk kundërshton në mënyrë stoike. Studimi i tij tregoi se niveli i papunësisë së prindërve te nxënësit me frikë shkollore llogaritej në rreth 1,8 % , ndërsa përqindja korresponduese për prindërit e fëmijëve, që largohen nga shkolla llogaritej 26,7 %. Gjithashtu, për fëmijët, që paraqesin frikë shkollore është vënë re se përveç faktit, që vijnë nga familje të shtresës mesatare shpesh iu duhet të përballojnë ankth të madh dhe shqetësim kur detyrohen të braktisin shtëpitë dhe prindërit e tyre. Sipas psikologëve është arritur në `përfundimin se, për të shmangur këtë sëmundje tek fëmijët (në të dy rastet edhe frika edhe largimi nga shkolla), rëndësi kryesore dhe peshë transformuese ka familja. Dhe së dyti del në pah edhe roli i shkollës. Konkretisht tek roli i shkollës, si factor, që ndikon shumë herë në krijimin e problemit, studime të shumta kanë treguar se gati 50 % e nxënësve europianë shprehin ankth dhe shqetësim për disa anë të jetesës së tyre në shkollë. Si rezultat i këtyre dy arsyeve vitet e fundit sidomos në Afrikë, Azi, por edhe në Europë dhe Amerikën latine rreth 25, 5 e nxënësve, që hyjnë në kategorinë e dytë largohen përfundimisht nga shkolla. Ata janë kontigjenti i parë i shfrytëzimit për rrjetin e lypësave apo trafikimit të organeve, ndërsa një pjesë janë të detyruar të punojnë qysh në atë moshë për të nxjerrë bukën e gojës. Shumica e tyre që janë ende nën kontrollin e prindërve bëhen zanatçinj apo fillojnë punë në moshë tepër të njomë duke njohur një shfrytëzim barbar (punë në të zezë), apo duke mos marrë fare shpërblim përveç vafteve të ushqimit. Mosshkollimi sjell edhe pengesa dhe probleme të shumta në jetën dhe veprimtarinë e përditëshme të fëmijëve. Të mos lidhurit me shkollën i lidh ata me drogën, me veprime kriminale, prostitucionin, alkoolin etj. Njeriu mëson për jetën duke parë të përparuarën dhe e përparuara nuk mund të merret në një shoqëri jashtë librit, jashtë dëshirës për dituri. Qysh në lashtësi ka pasur përkufizime shumë sinjifikative për diturinë si “ai që nuk di, është si ai që nuk sheh.” Padituria është shoku më i keq. Realisht është vërtetuar se rrënjët e diturisë janë të hidhura, kurse frytet shumë të ëmbla (thotë një fjalë e urtë latine). Kushdo që lë mënjanë mësimin në të rinjtë e tij , humbet të shkuarën dhe është i vdekur në të ardhmen, – ka vulosur rëndësinë e diturisë qysh në lashtësi Euripidi (Greqi).

Më mirë të bëhesh nxënës në pleqëri sesa të largohesh nga kjo botë i paditur.

Box

Shtatë kujdesjet e mësuesit ndaj nxënësve:

1) Mbështetja, 2) Inkurajimi, 3) Dëgjimi 4) Pranimi, 5) Besimi. 6) Respekti, 7) Zgjidhja e mosmarrëveshjeve. Ne mësojmë. . .
10% e asaj që lexojmë
20% e asaj që dëgjojmë
30% e asaj që shohim
50% e asaj që shohim dhe dëgjojmë
70% e atyre që flasim
80% e atyre që përjetojmë
95% e atyre që u mësojmë të tjerëve.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …