Albert Z. ZHOLI: Shqipëria po plaket me shpejtësi të moshuarit në Shqipëri, 13% e popullsisë

Albert Z. ZHOLI: Shqipëria po plaket me shpejtësi të moshuarit në Shqipëri, 13% e popullsisë

1 tetori Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve

Me qëllim të sensibilizimit të opinionit ndërkombëtar për rritjen e pjesëmarrjes së grupmoshave të vjetra (moshuara) në popullsinë e përgjithshme dhe pasojave nga një zhvillim i tillë ,me qëllim të zhvillimit të një shoqërie për të gjitha moshat, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 14 dhjetor 1990 vendosi 1 tetorin si Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve, si vazhdimësi e planeve dhe nismave, siç ishte Plani Ndërkombëtar i Veprimit për Moshimin, i cili u miratua në vitin 1982 në Vjenë. Shënimi i parë i kësaj dite fillon nga 1 tetori i vitit 1991, viti në të cilin Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Parimet e Kombeve të Bashkuara për të Moshuarit, ndërsa në vitin 2002, në Madrid u miratua Plani (II) Ndërkombëtar i Veprimit për Moshimin në kërkim të mundësive për përgjigje të këtyre sfidave.

Asambleja e Dytë Botërore

Asambleja e Dytë Botërore mbi Moshën shënoi një kthesë të rëndësishme si bota duhet të përballet me sfidën më të madhe, që është ndërtimi i një shoqërie për të gjitha moshat dhe propozoi një orientim të ri e mjaft ambicioz për problemet e moshimit. Ky orientim ka nxitur edhe aktorë të ndryshëm në Shqipëri të bëjnë një rivlerësim të aftësisë të moshuarve, duke përcaktuar që kjo grupmoshë duhet të jetë aktive në komunitetin e saj për të përballuar me dinjitet sfidën që sjell realiteti demografik në mënyrën reale e të qëndrueshme për të gjitha brezat, por për moshën e tretë në veçanti. Aktualisht kërkohet që gruaja në moshë të ketë standarde më të larta në mënyrën e jetesës dhe të ndryshojë konceptin për jetën. Diskutimet rreth moshës së tretë synojnë të nxisin e të inkurajojnë politikëbërësit për ta parë konkretisht dhe për t’i dhënë vlerën e duhur dhe zgjidhjen e duhur problemeve të tyre. Ofrimi i një perspektive më të gjerë për kontributin e potencialin e njerëzve të moshuar jep një orientim të ri, një burim frymëzimi për të gjithë aktorët në rrugën drejt përmirësimit të perceptimit rreth çështjeve të personave të moshuar, të marrëdhënieve që duhet të vendosim me ta e ndihmën që ata duhet të marrin. Gjithashtu ndihmuese është trajtimi i temave që ekzistojnë në jetën e përditshme, historitë njerëzore dhe problemet e ndryshme që ekzistojnë në shoqërinë shqiptare. Media është padyshim zëri dhe shpirti ku mund të gjenden edhe art-kulturë-ngrohtësi-dashuri, për t’u qetësuar dhe argëtuar në mënyrë të kulturuar dhe bashkëkohore. “Moshimi Aktiv” trajton në vazhdimësi çështje dhe tema që kanë lidhje, jo vetëm me aspektin ekonomik, por edhe jetësor-socialo-kulturor, duke promovuar solidaritetin ndërbreznor, jetën aktive dhe pjesëmarrjen më të gjerë në shoqërinë shqiptare. Komuniteti duhet të ketë një reagim dhe mbështetje ndaj moshës së tretë.

Një nga problemet shëndetësore që hasen më shpesh tek të moshuarit

Të moshuar konsiderohen njerëzit që bëjnë pjesë në grup-moshën 60+ vjeç. Numri i të moshuarve po rritet shumë në mjaft popullsi kështu: në SHBA aktualisht 15% e popullsisë janë të moshuar, por kjo parashikohet të arrijë 22% të popullsisë në vitin 2030; në Shqipëri ka një rritje të ndjeshme të numrit dhe të përqindjes së të moshuarve, veçanërisht të personave mbi 80 vjeç, numri i të cilëve do të dyfishohet në vitin 2021. Të moshuarit janë të rrezikuar më tepër sesa të rinjtë ndaj sëmundjeve, prandaj ata duhet të kenë kujdes e njohuri në lidhje me problemet e rëndësishme shëndetësore që shfaqen në këtë moshë. Duke i njohur këto probleme dhe duke marrë masa parandaluese, rrjedhimisht ata do të gëzojnë një shëndet më të mirë. Problemet shëndetësore që hasen më shpesh tek të moshuarit janë: 1. Rrëzimet dhe dëmtimet që i pasojnë. 2. Ulja e mprehtësisë së shikimit dhe aftësisë së dëgjimit. 3. Efektet anësore të medikamenteve, ndërveprimi dhe mbidozimi. 4. Aktiviteti fizik dhe tonusi muskulor. 5. Kequshqyerja dhe humbja në peshë.

Efektet e moshës

Si një nga vendet e fundit në Europë, Shqipëria po fillon të përjetojë efektet e moshimit të popullsisë – procesi sipas të cilit të moshuarit zënë një përqindje proporcionalisht më të madhe të të gjithë popullsisë. Në dy dekadat e fundit, ka ndodhur një transformim demografik i veçantë, ndërsa rritja e përqindjes së personave të moshuar – 65 vjeç e lart – shoqërohet me ulje të përqindjes së fëmijëve dhe të të rinjve. Politikëbërësit duhet të përgatiten që forca e plotë e këtij procesi transformimi të ndihet në dy dekadat e ardhshme dhe të prekë të gjitha sferat e jetës: ekonomike, sociale dhe politike. Asambleja e Dytë Botërore për Moshimin në prill 20021 trajtoi sfidat që paraqet ky proces i moshimit të popullsisë pothuajse për të gjitha vendet e botës. Këto sfida përfshijnë nevojën për të transformuar sistemin ekzistues të pensioneve dhe për të plotësuar kërkesat gjithnjë e në rritje për shërbime shëndetësore dhe shpenzime mjekësore, ndërsa të moshuarit janë më të rrezikuar nga sëmundjet kronike. Në zonën ekonomike, moshimi i popullsisë ka ndikim në zhvillimin ekonomik, kursime, investime, konsum, tregje pune, tatime dhe transferime ndërmjet brezave. Në sferën sociale, ndikon në përbërjen familjare dhe jetesën dhe kërkesat për strehim. Në fushën politike, moshimi i popullsisë mund t’i japë trajtë modeleve të votimit dhe përfaqësimit politik (Organizata e Kombeve të Bashkuara, 2009). Plani i Veprimit që u miratua në Asamblenë Botërore 2002 u fokusua në tre fusha prioritare, që orientojnë politikëbërësit të trajtojnë moshimin e popullsisë dhe mirëqenien e të moshuarve: (a) personat e moshuar dhe zhvillimi; (b) përmirësimi i shëndetit dhe mirëqenies në moshën e vjetër; dhe (c) sigurimi i mjediseve mbështetëse dhe mundësuese (Organizata e Kombeve të Bashkuara, 2002). Plani synon të garantojë që të moshuarit të kuptojnë plotësisht të drejtat e njeriut, të kenë moshimin e sigurt dhe larg varfërisë, të marrin pjesë plotësisht në jetën ekonomike, politike dhe sociale dhe të kenë mundësi për zhvillim në periudhat e tjera të jetës. Gjithashtu fokusohet në eliminimin e dhunës dhe diskriminimit kundër personave më të moshuar, barazinë gjinore, rëndësinë e familjeve, kujdesin shëndetësor dhe mbrojtjen sociale për personat më të moshuar. Ky raport prodhohet nga INSTAT në emër të UNFPA si input në diskutime për moshimin e popullsisë në Shqipëri, pasojat e tij dhe nevojat e politikave që lidhen me të. Censusi i Popullsisë dhe Banesave 2011 përbën shtyllën e analizës. Kur është e mundur, rezultatet e censusit të vitit 2011 krahasohen me rezultatet e censuseve të mëparshme për të përcaktuar tendencat e treguesve përkatës. Të dhënat administrative si edhe të dhëna nga anketime të ndryshme plotësuese dhe që japin më shumë detaje për informacionin e censusit. Për tema të ndryshme, informacioni i saktë i përditësuar është i pakët. Kjo ndihet veçanërisht në fushën e shëndetit dhe pjesëmarrjes në shoqëri.

Shqipëria po plaket me shpejtësi

Të moshuarit në Shqipëri, 13% e popullsisë.

Shqipëria është një ndër shtetet e fundit në Europë që po përballon efektet e moshimit. Mosha mbi 65 vjeç përben 13% të popullsisë, ndërkohë që rreth 92 mijë persona të kësaj grupmoshe jetojnë të vetmuar. Rreth 50% e të moshuarve vuajnë nga sëmundje kronike, ndërkohë që 25% nuk kanë mundësi financiare të blejnë ilaçe.Popullsia në Shqipëri po plaket me shpejtësi dhe vendi ka nisur të përjetojë efektet e moshimit. Nëse në vitet ’90 mosha mbi 65 vjeç përbënte rreth 3.5% të popullsisë, sot ka arritur në 13% e saj. Ndërkohë që sipas Rrjetit Shqiptar te Moshimit 1/3 e të moshuarve e konsiderojnë veten të varfër. Mbi 15% nuk kanë mundësi të shkojnë tek mjeku dhe rreth 25% nuk përballojnë dot financiarisht blerjen e ilaçeve, megjithëse 50% e të moshuarve vuajnë nga sëmundje kronike.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …