Kryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka marrë pjesë në Kuvendin Zgjedhor të Degës së partisë në Vrapçisht, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të organizimit dhe mobilizimit politik të BDI-së. Ahmeti përgëzoi strukturat e reja të zgjedhura, përfshirë kryetarin e degës, Kryesinë, Këshillin Mbikëqyrës, Komitetin e Veteranëve dhe sekretarët, duke shprehur besimin se me punë, përkushtim dhe afërsi me qytetarët do ta fuqizojnë edhe më tej organizimin e partisë në këtë komunë. Në fjalën e tij, lideri i BDI-së theksoi se partia mbetet forca më e organizuar politike e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ndërsa bëri thirrje për unitet dhe angazhim në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve. “Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për organizim, mençuri dhe vendosmëri. Të bashkuar, me vizion të qartë dhe me përkushtim ndaj interesit qytetar, do t’i përballojmë dhe do t’i ndalim politikat e gabuara që cenojnë të arriturat dhe të drejtat e shqiptarëve”, deklaroi Ahmeti. Në përfundim, ai uroi strukturat e reja të BDI-së në Vrapçisht për sukses në përgjegjësitë e tyre, duke theksuar se organizimi i brendshëm mbetet një nga shtyllat kryesore të veprimit politik të partisë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
