Ankaraja e gatshme për bashkëpunime kulturore me Kosovën

Komuna e Ankarasë ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Kosovën ne fushat e kulturës, rinisë, sportit e më gjerë, si dhe ka ofruar përkrahje për zhvillimin e komunave të Kosovës.

Në një takim në Ankara që pati zëvendësministri i MKRS-së, Rexhep Hoti me nënkryetarin e kësaj komune, Ali Gökşin u diskutua për mundësitë e lidhjes së bashkëpunimit në fusha konkrete në kulturë, rini, sport, por edhe në fusha tjera të rëndësishme.

Gökşin, pas pritjes që i bëri zëvendësministrit Hoti tha se janë të gatshëm në çdo kohë ta ndihmojnë Kosovën dhe të kontribuojnë në zhvillimin e çdo komune të saj.

Ai u shpreh i interesuar të mësojë më shumë rreth kulturës në Kosovë dhe ofroi gatishmërinë e Ankarasë për të lidhur ura bashkëpunimi.

Ndërkaq,  zëvendësministri Hoti falënderoi Gökşin për pritjen dhe siguroi se Qeveria e Kosovës është shumë e interesuar për të forcuar lidhjet me Ankaranë.

Ai tha se ndër pikat ku do të mund të bashkëpunohej janë trashëgimia kulturore, rinia e sporti por edhe fusha tjera.

Ai shprehi edhe idenë e organizimit të përbashkët të seminareve, konferencave e simpoziumeve të ndryshme.

Hoti dhe Gökşin u pajtuan që në një të ardhmen të afërt, të shihet mundësia e konkretizimit  të hapave bashkëpunues për çështjet të cilat u diskutuan në takim.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti reagon ashpër ndaj ndaljeve të shpeshta të energjisë elektrike dhe furnizimit jo stabil

Pas pranimit të shqetësimeve të shumta nga qytetarët rreth furnizimit jo të rregullt me energji …