Ardian Shtuni: Hezitimi ndaj projektit amerikan të gazit duket më shumë politik sesa ekonomik

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe sigurisë, Ardian Shtuni, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me qëndrimin e institucioneve të Kosovës ndaj projektit amerikan të gazit, duke vlerësuar se hezitimi i treguar nga Qeveria nuk mund të shpjegohet vetëm me argumente ekonomike apo teknike. Shtuni tha se kjo qasje nuk është e re dhe kujtoi një ofertë të mëhershme të MCC për financimin e projekteve energjetike në Kosovë. Ai theksoi se projekte të tilla nuk kanë vetëm dimension ekonomik, por edhe rëndësi të madhe strategjike për Kosovën. “Këtu po flasim për një mundësi strategjike për t’u afruar edhe më tepër me aleatin dhe partnerin strategjik që janë Shtetet e Bashkuara”, u shpreh ai. Sipas Shtunit, është e vështirë të kuptohet kundërshtimi ose mungesa e gatishmërisë për t’iu bashkuar një projekti që, sipas tij, do t’i sillte Kosovës përfitime të shumta. “Unë realisht vazhdoj të mos arrij ta kuptoj hezitimin që po tregohet ndaj një projekti i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm për një vend nevojtar si Kosova. “Mua më duket sikur është diçka më politike, sepse nuk është diçka e izoluar, nuk ndodhi vetëm një herë. Kjo po ndodh në mënyrë të vazhdueshme”, deklaroi eksperti i sigurisë. Aprovimi i këtij projekti do të sillte të mira ekonomike, por edhe strategjike në planin afatgjatë, si për sigurinë kombëtare të Kosovës ashtu edhe për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara”, tha ai. “Pse duhet të hezitohet kur janë të gjitha këto të mira? Kush është ajo frikë ose kush janë ata elementë që e bëjnë këtë kryeministër apo qeverinë e tij të hezitojnë? Pse nuk i artikulon dhe nuk i komunikon qartë se cilat janë shqetësimet e tij në lidhje me këtë projekt?”, pyeti Shtuni.

Kontrolloni gjithashtu

Naser Vrella: Në Stuttgart të Gjermanisë u promovuan veprat e atdhetarit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, profesor Ahmet Qeriqi

Me rastin e 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Kosovës, Instituti i Kulturës së …