Ramush Haradinaj: Më 1 prill 2020, Albin Kurti e hoqi taksën dhe e hapi tregun për mallrat serbe

Ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër pas zhvillimeve të fundit lidhur me refuzimin e Lëvizjes Vetëvendosje për t’iu bashkuar projekteve amerikane të gazit, duke ngritur pyetjen: “Kush është ky njeri?” Haradinaj ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se me vendimet e tij politike dhe ekonomike po favorizon Serbinë, si në tregtinë e mallrave ashtu edhe në sektorin energjetik. “Më 21 nëntor 2018, si Kryeministër i Qeverisë Haradinaj, vendosa taksën 100% ndaj mallrave të Serbisë. Më 1 prill 2020, Albin Kurti e hoqi taksën dhe e hapi tregun për mallrat serbe”, ka shkruar Haradinaj. “Më 20 dhjetor 2017, nënshkrova projektin me ContourGlobal për ta bërë Kosovën të pavarur energjetikisht nga Serbia. Në vitin 2020, Albin Kurti e anuloi këtë projekt, duke i hapur derën importit të rrymës nga mafia energjetike e kontrolluar nga Serbia”, ka deklaruar ai. Haradinaj ka kritikuar edhe refuzimin e projekteve amerikane të gazit gjatë viteve 2021–2022, duke e lidhur këtë me varësinë energjetike të Kosovës. “Tash, kur është riaktualizuar çështja e gazit, njerëzit e tij po përgatiten për protesta kundër gazit amerikan. Kush është ky njeri? A është me të vërtetë kundër gazit apo kundër Amerikës? Tregun e mallrave ia dha Serbisë, ndërsa tregun energjetik po ia garanton”, ka shkruar Haradinaj. Në fund të reagimit të tij, lideri i AAK-së ka shtruar pyetjen: “Çka don ky njeri nga Kosova?”

Kontrolloni gjithashtu

Naser Vrella: Në Stuttgart të Gjermanisë u promovuan veprat e atdhetarit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, profesor Ahmet Qeriqi

Me rastin e 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Kosovës, Instituti i Kulturës së …