Konferenca e përbashkët e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, e organizuar për publikimin e rezultateve të analizave në sektorin e qumështit, është shoqëruar me tensione gjatë sesionit të pyetjeve nga gazetarët. Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, u pyet disa herë nëse produktet e qumështores “Vita” përmbajnë vaj palme, por nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë për këtë çështje. Në vend të kësaj, ai foli për rëndësinë e adresimit të parregullsive të evidentuara në sektorin e qumështit. Gjatë konferencës, përfaqësuesit e institucioneve prezantuan rezultatet e analizave laboratorike dhe masat e ndërmarra pas kontrolleve të kryera në treg. Ndërkohë, drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Bekim Hoxha, bëri të ditur se nga 495 mostra të pranuara, 471 kanë prodhuar rezultate të vlefshme, ndërsa kontrollet kanë evidentuar një numër mospërputhjesh në përbërjen dhe etiketimin e disa produkteve të qumështit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
