Arsim Mehmeti: Letër e hapur drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti

Arsim Mehmeti: Letër e hapur drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti

I nderuar kryeministër i Republikës së Kosovës,

Ju lutem, mos nënshkruani marrëveshje me Serbinë, për pa ia bashkangjitur territorit të saj, tokat etnike shqiptare të pushtuara, Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin!

Ky është BETIMI i të gjithë luftëtarëve të UÇK-së dhe imi personalisht, të dhënë pran Komandantit ILAZ KODRA dhe eprorëve tanë ushtarakë, më 19 Nëntor 1998 në Prelloc, si dhe është BETIMI i luftëtarëve të UÇPMB-së!!!

Kosova gjatë gjithë historisë ka bërë mjaft lëshime e kompromise të dhembshme në dëm të saj e në favor të armiqve fqinjë! Këtë tkurrje drastike të territorit të Dardanisë ilire e ka bërë shkaku i pafuqisë tonë ndaj armiqve gjakatar, të ndihmuar edhe nga presioni i Faktorit Ndërkombëtar!

NË BULLGARI: Traktati i Shën Stefanit, më 3 mars 1878, filloi copëtimi i trojeve shqiptare!

NË GJERMANI: Kongresi i Berlinit, më 13 qershor 1878, rishikoi Traktatin e Shën Stefanit dhe rivendosi në dëm të trojeve shqiptare!

NË ANGLI 1: Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 1912/13, ndau padrejtësisht Kosovën nga trungu i Shqipërisë Natyrale!

NË ANGLI 2: Traktati i Fshehtë i Londrës, më 26 prill 1915, që copëtoi edhe më shumë trojet shqiptare në favor të fqinjëve grabitqar!

NË FRANCË: Traktati i Versajes dhe Konferenca e Paqes në Paris, më 21 tetor 1919 që themeloi Lidhjen e Kombeve, ndërsa vulosi ndarjen e copëtimin e trojeve etnike të Kombit Shqiptar!

I nderuar Kryeministër, Albin Kurti!

Mos u frikësoni dhe as mos u nënshtroni kur t’i shkoni përballë, ish ministrit të kasapit Millosheviç, çetnikut me damkë, Presidentit aktual të Serbisë, Aleksandlr Vuqiçit!

Çetniku me damkë, Vuqiç përfaqëson palën e shtetit fashist dhe kriminel të Serbisë, që ka vrarë, masakruar, dhunuar, dëbuar e shkatërruar popullin tonë, përgjatë një shekulli pushtim të egër të saj, zyrtarisht duke filluar nga qershori 1913, e derisa kapitulloi e u dëbua nga UÇK-ja me ndihmën e NATO-s, në qershor 1999!

Ju Kryeministër, përfaqësoni shqiptarët autokton të Kosovës dardane, që luftoi e sakrifikoi dhe u bekua me gjakun e Komandant Legjendar të UÇK-së, ADEM JASHARI dhe të familjes së tij 20-anëtarëshe prej tre brezash e dy gjinishë, si dhe me gjakun e derdhur lum të bijave e bijëve tanë përgjatë shekullit të XX-të!

Armiqve ndër shekuj, kurrë nuk ia kemi ulur kurrizin që nga pushtimi romak, bizantin, osman e deri tek ky qafiri i fundit që erdhi i leckosur nga Karpatet e ngrira të Rusisë cariste në shekullin VII, që na mbajti në pushtim 100 vite me stupcin mbi krye!

I dashur Albin!

Kur ta ofrojnë miqtë e BE-së, Marrëveshjen Finale me përmbyllë paqen me Serbinë, pashë ZOTIN E MADH, mos ma harro mixhën HASAN MEHMETI, që ende deri më sot nuk ia dijmë varrin që shkoi t’i ndjek me pushkë në dorë çetnikët në Sanxhakun e Pazarit të Ri, më 1945!

Dije mirë Kryeministër, që nuk më flladitet loqka e zemrës t’i themi PO marrëveshjes me shkjaun pa territoret shqiptare që nga “Molla e kuqe”, atje ku i kemi trojet tona etnike shqiptare! Mixhës Hasan në luftën e UÇK-së, më 12 e 17 prill 1999 çetnikët ia vranë tre djemët e mëdhaj!

Si veteran i UÇK-së, kërkoj fuqishëm nga Ju Kryeministër, që kompromisi i fundit për t’i thënë PO Marrëveshjes Finale me Serbinë, të jetë gjithësesi përfshirja e natyrshme e Luginës së Preshevës në territorin e Republikës së Kosovës, pastaj dilni para popullit kokëlartë!

Drenas, 16 maj 2021,

Arsim Mehmeti

Kontrolloni gjithashtu

Ilaz Kodra

Ramush Haradinaj: Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën që u vra Luani e u plagos Rafet Rama

Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën që u vra …