Asllan Pireva e Naser Hajrizi, dy jetë të martirizuara në lulen e lirisë, për lirinë e Kosovës

Asllan Pireva e Naser Hajrizi, dy jetë të martirizuara në lulen e rinisë, për lirinë e Kosovës

Asllani e Naseri, apo Naser Hajrizi e Asllan Pireva, janë dy ndër dëshmorët e 2 prillit të vitit 1981, të rënë në qendër të Prishtinës, të vrarë mizorisht nga forcat pushtuese jugosllave, në kohën kur në mesin e mijëra të tjerëve po protestonin me grushtin lartë e flamurin  ngritur edhe më lartë, në kohën kur po i brohorisnin lirisë, drejtësisë, barazisë të munguar me shekuj të shqiptarëve, denbabaden banorë të shtypur e të keqtrajtuar, në trojet e tyre.

Të dy ishin maturantë të Shkollës Teknike, në Prishtinë. Në dukje të parë nuk dallonin nga shokët e tyre. Ishin rritur tok me moshatarët e tyre por diçka nga brenda, në qenin  e tyre  i kishte shtyrë përpara, mbase duke i  burrëruar para kohe.

Ata e kishin kuptuar me kohë se Kosova do lirinë, por liria gjithnjë ka kërkuar dhe kërkon heronj. Dhe ata i kishin vënë gjokset e tyre në ballë të demonstruesve, që kërkonin Kosovën Republikë, që kërkonin atë që e gëzonin të tjerët, që kërkonin minimumin e të drejtave, duke qenë pjesëtarë të një kombi të ndarë, të keqtrajtuar, të shfrytëzuar e të katandisur  në disa republika e shtete.

Atë ditë, më 2 prill të vitit 1981, Asllan Pireva dhe Naser Hajrizi ishin zgjuar herët dhe nuk kishin menduar se ishte zgjimi i ditës së fundit në këtë jetë, dhe dita e parë në rrugë drejt përjetësisë. Të dy ishin bashkuar  në qendër të kryeqytetit, në mesin e shokëve e shoqeve të shkollës, në mesin e mijëra liridashësve, duke brohoritur për çlirimin e Kosovës. Po brohoritja, grushti lartë dhe flamuri kombëtar edhe më lartë, i kishte goditur në qenie forcat e territ, të cilat kishin zënë pritë me kohë mbi kokat e tyre, në godinën e lartë përballë,  dhe me vështrimet e tyre tinëzare  nëpër snajperë kishin marrë shenj  për të goditur më të zgjedhurit, më ngulmuesit, më të  paepurit. Dhe i kishin zbuluar. Dhe i kishin goditur, në ballë, në gjoks, në trupat e tyre, por jo në qenen e tyre, jo në   idealet e tyre, sepse ato ideale  nuk ka armë që i vret.

Ranë, Naseri e Asllani, u plagosën disa të tjerë, por Flamuri i kuq me shqiponjë në mes nuk ra për tokë, shokët e tyre nuk e lejuan të bjerë për tokë. Ata e morën dhe e valëvitën gjatë tërë ditës, nëpër barrikadat e Prishtinës, të përgjakura, të përskuqura nga gjaku djaloshar, nga gjaku i Asllanit, Naserit dhe shumë të tjerëve, jo vetëm në Prishtinë, por kudo në Kosovë… 

Muzgu i asaj dite me tym e barot, si lubi e moçme, kishte lëshuar kthetrat mbi Prishtinë dhe kudo mbi Kosovë me ardhmëri të rrethuar. Retë e zeza tashmë kishin dendësuar. Rojet e territ kishin zënë prita nëpër rrugica, nëpër lagje, në sheshe dhe kudo, në tërë vendin ku ishte aplikuar masa ushtarake e shtetrrethimit.  Ata po bëheshin gati për të marrë dhe për të zbatuar urdhra, për të vrarë, për të burgosur, për të rrahur, bastisur, për ta përdhunuar  tërë një popull që kërkonte liri, barazi e drejtësi. 

Agimi i tre Prillit të vitit 1981 Prishtinën e Kosovën i kishte gjetur nën rrethim të hekurt të qindra kordoneve ushtarake e policore,  të ardhura nga të gjitha viset e Jugosllavisë.

Në Morgun e kryeqytetit ndodheshin trupat e Naserit, Asllanit dhe rënëve të tjerë.

Djalëria liridashëse e Kosovës, kishte marrë një goditje, por nuk ishte dhënë. Ajo kishte mobilizuar radhët. Jo vetëm që nuk ishte dorëzuar, por ishte kalitur nëpër barrikada. Emrat e Asllanit, Naserit, Xhelalit, Saliut, Sherifit, Rizait, Ruzhdiut, Salihut, Nesimit, Salihut nga emra të përgjithshëm shqiptarësh, ishin  bërë të përveçëm, emra dëshmorësh, ishin bërë emra frymëzimi për brezat që më në fund, me luftën heroike të UÇK-së, në ballë me legjendarin e legjendave të Shqipërisë, Adem Jashari, e  shkundën letargjinë shekullore dhe Kosovës i sollën lirinë e pavarësinë.

I përjetshëm qoftë kujtimi për ta, për buzëqeshjet e tyre të ngrira, për brohoritjet e tyre: Republikë-kushtetutë, o me hatër, o me luftë! ( Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Albin Kurti nuk e priti në takim Edi Ramën, por shprehet i gatishëm për takim me Vuçiqin

Albin Kurti, dhe Aleksandër Vuçiç, do të zhvillojnë takime të ndara me shefen e re të diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të zhvillojnë takime …