Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar një sërë parregullsish financiare, administrative dhe të prokurimit publik në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, sipas raportit të auditimit për vitin 2025. Sipas gjetjeve, në ministri janë konstatuar probleme serioze në menaxhimin e pasurive publike, ku regjistri i aseteve rezulton i pasaktë me mbivlerësime që arrijnë mbi 41 milionë euro, si dhe nënvlerësime në qindra mijëra euro. Një pjesë e projekteve infrastrukturore, përfshirë edhe investime që nuk janë në pronësi të ministrisë, janë regjistruar gabimisht si pasuri shtetërore. Raporti ngrit shqetësime edhe për menaxhimin e fondeve publike, ku janë evidentuar pagesa në vlerë prej rreth 469 mijë eurosh për persona të angazhuar në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit, pa dokumentacion të mjaftueshëm për dëshmimin e punës së tyre. Në fushën e prokurimit publik, auditorët kanë konstatuar se disa kontrata milionëshe janë dhënë për operatorë ekonomikë që nuk i kanë plotësuar kriteret e kërkuara në dosjet e tenderëve. Ndër rastet e përmendura janë projekte infrastrukturore me vlerë mbi 15 milionë euro, përfshirë segmente rrugore dhe ndërhyrje në lumenj. Po ashtu, në disa raste kontratat janë nënshkruar pa u pajisur paraprakisht me leje ndërtimore, duke rritur rrezikun për vonesa dhe probleme në realizimin e projekteve. ZKA ka rekomanduar forcimin e kontrollit të brendshëm, përmirësimin e menaxhimit të pasurive publike dhe zbatimin e plotë të ligjit në procedurat e prokurimit dhe shpenzimit të parasë publike. / Gazeta metro/
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
