Kosove - Shba

Avdi Smajljaj: Anti-amerikanizmi si vetëvrasje shtetërore: Kosova dhe Amerika në sistemin anarkik ndërkombëtar

Një krahasim i tillë në titullin e kësaj eseje duket iracional, por deri diku mund të arsyetohet me përpjekjen që ka eseja, për aq sa lejon hapësira në një gazetë ditore, për të kuptuar pozitën dhe përshtatjen, ndër të tjera të të dyja këtyre shteteve, brenda sistemit ndërkombëtar ku edhe e bëjnë jetën e tyre si shtete. Kjo duket më se e nevojshme sidomos për të reflektuar në retorikën aktuale politike në Kosovë.

Kohëve të fundit në lëmshin e panevojshëm dhe artificial të krijuar në aspektin institucional e politik, në retorikën politike zyrtare ka filluar të zë vend edhe një lloj qasje anti-amerikaniste, më shumë e specifikuar drejt shtëpisë së bardhë, pra adminisitratës së SHBA, ekzekutivit të politikave, në këtë rast edhe politikës së jashtme. Përderisa shtëpia e bardhë përfaqëson qëndrimin zyrtarë të SHBA-së, atëherë pozicionimi kundër shtëpisë së bardhë nënkupton edhe pozicionimin kundër politikës zyrtare të Washingtonit. Shtëpia e bardhë është adresa përmes së cilës SHBA komunikon me botën.

Një retorikë e tillë, përveçse mund të ketë synim rritjen e ca votave, është shumë e dëmshme për orientimin strategjik dhe për vetë ekzistencën e shtetit të Kosovës. Një qasje e tillë, për nga shtytja mund të kategorizohet në dy lloje: ideologjike, ose amatoreske në politik e ndërtuar mbi bazën e naivitetit. E para mund të jetë më sfiduese dhe më e qëndrueshme, që kërkon kohë dhe investim për të ndryshuar, e dyta është më pak e dëmshme dhe mund të përmirësohet me kohë. Se cila po e ushqen anti-amerikanizmin aktual në Kosovë, mbetet të shihet, por si do që të jetë një qasje e tillë nuk i shkon politikës zyrtare të një shteti, i cili nuk do të mund të krijohej e madje as të mbijetoj pa mbështetjen e vetë SHBA-së.

Pluralizmi shoqëror e demokratik, të cilin e sjelli SHBA në Kosovë e në tërë rajonin, duron dhe madje stimulon lloj lloj idesh e qendrimesh, por një qëndrim i tillë në politikën zyrtare në Kosovë është përtej absurditetit.

Shteti i Kosovës është krijuar në rrethana dhe në zhvillime të një sistemi ndërkombëtar, ku SHBA si fuqi botërore e mbështetur edhe nga aleatët e saj, me përgjegjësi morale e politike për paqe e siguri në botë, ka përmbushur obligimin e saj moral, fillimisht për të parandalur gjenocidin e spastrimin etnik në Kosovë, e pastaj edhe duke u përpjekur që të krijohjen mundësi për liri e demokraci edhe në këtë pjesë të botës, duke mbështetur të drejtën demokratike të qytetarëve për të pasur shtetin e tyre ku mund të gëzojnë lirinë.

Lirisht mund të themi se jemi populli më me fat në historinë moderne, që në kupolën e strukturës së sistemit ndërkombëtar të sigurisë ka qëllur të jetë SHBA, ndër demokracitë e para dhe mbështetësja më e madhe e lirisë e demokratizimit në botë, vlera këto që kanë determinuar politikën e jashtme të SHBA edhe në rastin e Kosovës, që nga rezistenca paqësore, lufta e UÇK, e deri te krijimi i shtetit dhe njohja ndërkombëtare e Kosovës.

Kështu, Kosovës i është krijuar gradualisht mundësia, kryesisht nga SHBA duke mos mohuar kontributin e të tjerëve, që të jetë pjesë e sistemit ndërkombëtar, edhe pse procesi nuk ka përfunduar ende dhe është në zhvillim e sipër, dhe brenda këtij sistemi, siç bën secili shtet, të përpiqet të adaptohet dhe të gjejë vetëveten. Hyrja e Kosovës në këtë sistem, me krijimin si shtet, dhe qëndrimi brenda këtij sistemi, është i institucionalizuar në mirëmbajtjen e vazhdueshme të aleancës me SHBA. Asnjë shtet tjetër, asnjë fuqi tjetër nuk e siguron ekzistencën e shtetit të Kosovës brenda sistemit ndërkombëtar. Madje as BE-ja, marr për bazë kapacitetet që ka, ose më mirë të thuhet që nuk i ka, dhe vullnetet e ndryshme brenda saj sa i përket shtetësisë së Kosovës.

Për të ilustruar më tutje një relacion të tillë në mes Kosovës dhe SHBA, dhe për të kuptuar se si e sa është e dëmshme retorika zyrtare anti-amerikaniste e Kosovës,  është e rëndësishme ti bëhet një vështrim sistemit ndërkombëtar, pozitës dhe rolit që kanë fuqitë në këtë sistem, nga i cili mund të nxirret edhe një reflektim i qartë për pozitën që ka shteti i Kosovës në këtë sistem, mbi bazën e së cilës so të duhej të mirëmbahej vazhdimisht, jo vetem aleanca me SHBA, por do te duhej të ndërtohej komplet politika e jashtme e brendshme e Kosovës.

Paqja dhe siguria kanë qenë vazhdimisht objektiva në sistemin ndëkombëtar, rreth së cilave edhe janë organizuar dhe organizohen marrëdhëniet dhe politikat ndërkombëtare. Një prej merkanizmave primar në përmbushjen e ketyre objektivave është konsideruar balancimi i fuqive, rrezikimi ose mungesa e të cilit çdo herë ka prodhuar konflikte duke e bërë paqen dhe sigurinë të pa qëndrueshme. Krahas kësaj, me inciaitivën e ish Prersidentit Amerikan, Wilson, kombet krijuan organizatën e parë ndërkombëtare, për të zëvendësuar mekanizmin e balancimit të fuqive në arritjen e paqes dhe sigurisë, gjë që edhe kishte dështuar me fillimin e luftës së parë botërore. Kjo organizatë, Lidhja e Kombeve, u mandatua me përgjegjësinë e ruajtjes së paqes dhe sigurisë në botë, duke shpresuar se mund të jetë një mekanizëm më efiçient.

Megjithatë, edhe Lidhja e Kombeve, e më pas edhe pasuesja e saj, Organizata e Kombeve të Bashkuara, dështuan në përmbushjen e këtyre objektivave, duke e kthyer prapë orientimin drejt nevojës për balancim të fuqive. Ndër arsyet kryesore të dështimit të të dy organizatave, krahas mënyrës së funksionimit dhe vendim-marrjes së tyre të brendshme, është konstanta e sistemit ndërkombëtar, anarkia ose anarkia e rregulluar. Në sistemin ndërkombëtar anarkik ose anarkik të rregulluar, shtetet si subjekte dhe aktere primare në politikën botërore i përshtaten konditave të anarkisë, në përpjekjen e tyre të vazhdueshme për mbijetesë politike, ekonomike, e madje edhe legale. Sa të rrezikuara janë shtetet në këtë strukturë anarkike, varet nga kapacitetet që kanë ato, si: fuqia ekonomike, ushtarake, politike, fuqia e ndikimit, etj. Në këtë anarki, secili shtet përpiqet të gjejë vetëveten, dhe të ndjek objektivat e tij brenda resurseve të kufizuara që ka.

Në prezencë të impotencës së OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare, si dhe nevojës së domosdoeshme për paqe dhe siguri, gjë që është e lidhur direkt me ekzistencën e shteteve, përgjegjësia morale e politike për paqe e siguri bie mbi fuqitë e mëdha. Atyre u njihet statusi si fuqi, nga shtetet tjera, pikërisht për shkak të kapaciteteve vendimtare që kanë në arritjen dhe ruajtjen e paqës dhe sigurisë në botë. E njetja vlen edhe për fuqitë regjionale, edhe pse veprimi i këtyre fuqive është paraprakisht i varur në fuqitë botërore.

Në sistemin ndërkombëtar gjatë shek. 20 dhe atë aktual, SHBA ka qenë dhe është një prej akterëve kryesor dhe determinues në arrtijen e paqes dhe sigurisë botërore. Roli i saj në përfundimin e luftës së parë botërore dhe krijimi e mekanizmave ndërkombtarë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në botë është vendmitar dhe i pa kontestueshëm. Gjithashtu, intervenimi i SHBA-së në luftën e dytë botërore për të mundur boshtin e së keqes, dhe nazi-fashizmin ishte vendimtar. Imagjino botën se si do të dukej, sikur mos të ndërhynte SHBA në luftën kundër Nazizmit. Krahas çlirimit të Evropës nga nazi-fashizmi, SHBA e çliroi edhe botën nga boshti i së keqës, dhe hapi mundësitë për demokraci e liri në nivel global. Ndër të tjera, është e rëndësishme të përmendet edhe demokratizimi i Evropës, veçanërisht demokratizimi dhe denazifikimi i Gjermanisë, dhe ofrimi i sigurisë ndaj kërcënimit sovjetik. Është pikërisht SHBA, ose NATO, por NATO nuk do të kishte kuptim pa SHBA, që krijuan një ambient të sigurt brenda të cilit ofrohej siguria nga kërcënimi komunisto-sovjektik, dhe ku Evropa perëndimore mund të fillonte e vazhdonte sukseshëm më projektin e integrimit Evropian. Për më tepër, plani Marshall dhe hapja e tregjeve të SHBA për produkte Evropiane mundësuan edhe rimëkëmbjen e këtyre ekonomive.

Imagjino se si do të dukej Evropa karshi kërcënimit komunisto-sovjetik dhe kontributit të tyre kundër Nazizmit që i kushtoj shumë Evropës lindore e një numri vendeve tjera në botë, sikur SHBA të vendoste të kthehej në politikën e saj të jashtme të izolimit, siç ndodhi pas luftës së parë botërore, dhe ti lë duart e lira Stalinit në përpjekjet e tyre tradicionalisht ekspanzioniste, nga familja Moskovite që shtrihej në rrethin e Moskës në shek. 14, duke u zgjëruar vazhdimisht në një sipërfaqe aktuale prej rreth 9 milion km katror.

Në anën tjetër të botës, SHBA mbikëqyri procesin e demokratizimit dhe demilitarizimit të Japonisë, duke u përpjekur që edhe në këtë pjesë të botës të ofrohen mundësitë për demokraci, liri, e zhvillim ekonomik. Gjë që edhe ndodhi. Kjo mbikëqyrje u dëshmua shumë fitimprurëse për Japoninë. Doktrina Yoshida, e cila një prej elementeve të saj kishte besimin e çështjes së sigurisë së Japonisë tek SHBA, u tregua shumë e sukseshme. Shumë shpejt Japonia, në fund viteve të 60, edhe pse e kapituluar nga lufta, arriti të bëhet ekonomia e dytë në botë, fal qasjes së privilegjuar në tregjet dhe resurset Amerikane. Kjo mbikëqyrje, kishte edhe kufizime për Japoninë, të cilat në fund të ditës rezultuan të jenë të frytshme. Ishte në interesin e Japonisë të harminozoj qëndrimet e saja në politikn e jashtme me SHBA, si p.sh. duke mos normalizuar marrëdhëniet diplomatike me Kinën komuniste deri në vitin 1972, edhe pse Kina ishte partneri kryesor ekonomik para luftës dhe Japonia kishte nevoj për resurset e saj. Edhe sot SHBA vazhdon të garantuesi kryesor i sigurisë, jo vetëm për Japoninë, por tërë rajonin e Azisë lindore e juglindore karshi kërcënimit të vazhdueshëm nga Kina në rritje.

Edhepse sot duket sikur kanë filluar të zhvendoset një pjesë e fuqisë tek disa qendra tjera, siç është Kina, Rusia, deri diku BE – e cila herë herë po përpiqet të krijoi një lloj subjektiviteti të saj në familjen e fuqive të mëdha, SHBA vazhdon të ketë primatin në këtë sistem. Madje të tri këto qendra tjera, janë shumë të varuara direkt nga SHBA, Kina e Rusia në aspektin ekonomik, ndërsa BE në aspektin ekonomik e atë të sigurisë. Nevoja për siguri të SHBA shkon përtej BE-së në Evropë. Sa për ilustrim, si do të rrjedhnin gjërat në vitet 98/99 në Kosovë pa intervenimin e NATO, e NATO në të shumtën nënkupton SHBA-në. Kush do të ndalte spastrimin etnik e gjenocidin Serb e Jugosllav kundër shqiptarëve të Kosovës. E lëre më të flasim për mundësitë e krijimit të shtetit të Kosovës pa SHBA-në.

Paqja dhe siguria në nivel global vazhdojnë të mbesin të varuara direkt në SHBA. Imagjino lindjen e mesme sot pa angazhimin e SHBA-së. Shumë lehtë mund të përfundonte në konflikte me përmasa globale, në përpjekjet e gardës revolucionare Iraniane, për të eksportuar regjimin e vet totalitar e autoritar në tërë vendet e rajonit e edhe më tutje, si pjesë e objektivave politike të ndërtuara duke instrumentalizuar e përdorur religjionin për qëllime politike.

Gjithashtu, siguria e BE-së dhe Evropës në përgjithësi vazhdon të mbetet e varur në mbështetjen e SHBA-së. Pa një zotim të SHBA-së, çështja e Ukrainës do të ishte harruar tani, e Rusia do të kishte përfshi ish republikat tjera sovjetike, si shtetet baltike, duke e rritur presionin e kërcënimin edhe ndaj shteteve tjera anëtare të BE-së.

Bota pa anagazhimin e SHBA-së do të ishte më e pasigurtë, më autoritare e diktatoriale, e shumë më pak demokratike.

Në bazë të kësaj që u tha më lartë, mund të konkludojmë se parimi i kartës së OKB-së se shetet janë të barabartë, është parimi më naiv, mbi të cilin mund të prodhohen vetëm politika naive, që mund të sjellin në pikëpyetje edhe vetë ekzistencën e atyre shteteve që presin nga ky parim. Në konstantën e akarkisë së sistemit ndërkombëtar piramidal të stratifikuar në bazë të fuqisë që kanë shtetet, shtetet e vogla siç jemi ne të cilat popullojnë fundin e hierarkisë së sistemit, të vetmën zgjidhje e kanë aleancën (bandwagoing) dhe mbështetjen te fuqitë e mëdha, për të kompenzuar pafuqinë e tyre.

Çdo ndërrim i këtij kursi është një avanturë e rrezikshme me kosto të ekzistencës për shtetin e Kosovës.

 

 

Dr. Avdi Smajljaj ka përfunduar studimet e Doktoratës (PhD in Political Sciences) në Fushën e Shkencave Politike në Universitetin Duisburg-Essen në Gjermani. Ai është ligjërues i Shkencave Politike.

 

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …