Azgan Haklaj

Azgan Haklaj: Nëntorët e lirisë flasin me gjuhën e drejtësisë hyjnore!

Nëntorët e lirisë flasin me gjuhën e drejtësisë hyjnore!
Asnjë forcë në botë nuk mund ti zhbëjë nëntorët e lirisë!
Shteti Komb i shqiptarëve imperativ historik panshqiptar!
Nuk besoj se ka një komb tjetër në këtë planet i cili të këtë luftuar më shumë për lirinë e tij, të ketë derdhur më shumë gjak në beteja të pabarabarta me armiqtë që i janë vërsulur nga lindja dhe perëndimi sa Kombi Shqiptar. E në anën tjetër ne kemi qenë objekt i shumë strategjive e projekteve shfarosëse të armiqëve tanë barbar; i tryezave, kongreseve e konferencave diplomatike të fuqive të mëdha, të cilat për të ruajtur statukuonë politike të emruar me cinizëm si “Paqja e Ballkanit”, i kanë sakrifikuar interesat kombëtare të shqiptarëve për t’i bërë kurban për politikën nacional fashiste e pansllaviste rusoserbe e asaj monarkofashiste greke të “Megalidhesë”. Betejat heroike e legjendare të shqiptarëve për të mbrojtur lirinë e trojet e tyre etnike, gjuhën, historinë, të drejtën zakonore e menyrën e jetesës janë identifikuar së paku gjashtë shekujt e fundit me nëntorët e lirisë të cilët paraardhësit tanë e emërtuan me termin autentik e domëthënës arbëror si vjeshta e tretë.
I pari nëntor i lirisë, ai i vitit 1443 zën’ pa më të voglin diskutim kryet e vendit në panteonin e përjetshëm të lavdisë së Kombit tonë. Me dt 28-të nëntor 1443 kryetrimi i Shqipërisë Gjergj Kastrioti shpalosi mbi bedenat e Kalasë së Krujës Flamurin Kuqezi të Kastriotëve duke i hapur rrugën çlirimit të trojeve arbërore dhe epopesë së tij të lavdishme 25 vjeçare. Flamuri i Heroit tonë Kombëtar i mbuluar me lavdi në betejat me Perandorinë Osmane u bë natyrshëm e me plot meritë flamuri i të gjithë shqiptarëve dhe simbol krenarie e testament i shenjtë për shqiptarët brez pas brezi. 28-të nëntori i vitit 1443 kryefjala e memories tonë historike u kthye kështu në një simbol të ditës së lirisë e të Flamurit Kuqezi. Simbolika e kësaj date të shenjtë i frymëzoj Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin dhe etërit e tjerë të pavarësisë që pikërisht në këtë ditë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës të shpallnin Shqipërinë të lirë dhe të mos varme. Konferenca e Londrës ja preu krahët shqiponjës së Gjergj Kastriotit sepse la jashtë kufirit Kosovën, Çamërinë e viset e tjera autoktone shqiptare në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, pra më shumë se gjysmën e trojeve etnike në Ballkan duke ndarë përgjysmë endrrën e rilindasve dhe të nacionalistëve e patriotëve shqiptarë, projekti i të cilëve i ideuar nga kolosi i pavarësisë kombëtare Hasan Prishtina ishte qysh në fillim të betejave të mëdha antiturke të viteve 1910-1912-të bashkimi i 4 vilajeteve shqiptare në një shtet, gjuhë e flamur të vetëm atë të Heroit tonë Kombëtar.
Ngjarjet që pasuan nga Konferenca e Londrës, luftërat ballkanike dhe dy luftërat botërore të cilat e patën zanafillën në gadishullin Ilirik “Ballkanin” e trazuar nga politikat pansllaviste rusosllave, okupimi i Kosovës nga armata serbe dhe genocidi e terrori mbi popullsinë e pambrojtur civile ju treguan shqiptarëve se misioni i nëntorit 1912-të duhej mbrojtur tashmë me beteja e sakrifica mbinjerëzore nga një komb të cilin hanxhari i pamëshirshëm i diplomacisë së fuqive të mëdha e ndau mizorisht në pesë- pjesë duke ja kaluar kështu edhe brutalitetit të ushtarëve të legjioneve romake të cilët i ndanë rrobat e përgjakura të Krishtit të kryqëzuar në katër pjesë. Për një paradoks të fatit Shqipëria u çlirua nga gjermanët pikërisht me dt 28-të nëntor 1944, ndërkohë që kryeqyteti i saj Tirana ishte çliruar 11-të ditë përpara pikërisht me dt 17-të nëntor. Falangat terroriste të Enver Hoxhës, Koçi Xoxes, Mehmet Shehut e kapove të tjerë e përgjakën dhe poshtëruan si askush tjetër në histori 28-të nëntorin e shenjtë të Gjergj Kastriotit, Ismail Qemalit e Isa Boletinit. Jam thellësisht i bindur kur them e përgjakën sepse jo vetëm vranë e prenë, pushkatuan pa gjyq dhjetëra intelektualë e patriotë të shquar duke shkaktuar kudo ku kolonin tmerr, vdekje, shtëpi të djegura e shkatërrim barbarësh. “Çlirimtarët” nën dirigjimin e padronëve jugosllavë Miladinit, Stojniçit e të tjerë, pikërisht të nesërmen e ditës së flamurit në Shkodër, në kryeqendrën historike shqiptare me mijëra flamuj trekolorësh jugosllavë organizuan paradën e fitores (mbi shqiptarët kuptohet).
Atë ditë Shkodra e lashtë iliro- arbërore e të nesërmen mbarë Shqipëria ra nën robërinë e sundimin gjakatar të një junte banditësh, të cilët në emër të pushtetit të premtuar ja kishin shitur shpirtin satanait të zi sllavo- ortodoks. Kaq e vertetë është kjo dhe me kaq zell e mbronin këta jeniçerë të kuq bolshevizmin e “Baba” Stalinin sa që populli shqiptar i quante me neveri e përbuzje “këlyshë” të Rusisë. Mosnjohja e 28-të nëntorit si data reale e faktike e çlirimit të Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore dhe vendosja e yllit komunist në Flamurin Kombëtar janë dy akte të shëmtuara e flagrante të regjimit stalinist shqiptar dhe historiografisë vënë në sherbim të saj. Diktatura komuniste shqiptare e kmerëve të kuq me dhunën dhe terrorin që ushtruan për afër pesë dekada ndaj popullit të vet ishte më e egër se ajo e mesjetës e Car Dushanit e pushtuesve osmanë. Armatat italiane e gjermane që kaluan nëpër Shqipëri ju dukeshin tashmë shqiptarëve ushtri engjujsh krahasuar me tmerrim që po kalonin nga regjimi barbar komunist i instaluar me dhunë. Komunizmi shqiptar i tradhëtoj idealet e nëntorit të lirisë dhe gjakun e sakrificat e patriotëve të të gjitha kohërave në emër të vëllezërve jugosllavë, rusë e më vonë kinezë.
Do të duhej Epopeja e lavdishme e UÇK- së, trimëria e lufta heroike e bijëve të Kosovës martire, pra epopeja e katërt shqiptare për t’i dhënë 28-të nëntorit ditës së shenjtë të flamurit legjitimitetin e mohuar nga armiqtë e Atdheut e shqipfolësit që kane punuar kunder tij në dy anët e kufirit. Kjo ditëlindje e lirisë shqiptare përkon me ditëlindjen e komandantit legjendar tê UÇK- së së lavdishme Adam Jashari. Eshtë momenti që çdonjëri që ndihet me të vërtetë shqiptar, me gjak e me gjuhë, prejardhje e histori të gdhendë në zemrën e tij vargjet hyjnore të himnit të Flamurit Kuqezi. “Rreth flamurit të përbashkuar Me një deshirë e një qëllim Të gjithë atje duke u betuar Ta lidhim besën për shpetim”. E kjo sepse është koha dhe zëri i Atdheut e Flamuri Kuqezi që na thërrasin për t’u bashkuar në një besëlidhje të re. Asnjë forcë në botë nuk duhet ta lejojmë të na i dhunojë dhe zhbëjë nëntorët e lirisë. E theksoj këtë fakt se në këtë 28-të nëntor të lirisë qarqet antishqiptare dhe sherbëtorët e tyre shqipfolës mendojnë se shqiptarëve kudo në trojet e tyre etnike në Ballkan do t’u ngrijë buzëqeshja e do tu zvetënohet krenaria për faktin se gati krejt zixhiri komandues i UÇK- së është akoma I mbyllur në qelitë e Hagës.
Jo gospodarë të Kremlinit e Beogradit, asnjë burg në botë s’mund ti nxjejë luftëtarët e lirisë dhe askush s’mund të përbaltë Flamurin tonë Kombëtar, himni i të cilit këndohet me krenari nga dhjetë milionë shqiptarë të Gadishullit Ilirik “Ballkanit”. Sot është mileniumi i ri i shqiptarëve. Sot është shekulli i zenitit të shqiptarëve. Asgjë nuk mund ta ndalojë ëndrrën tonë. Një komb- një histori! Një komb një shtet. Shqiptarët do të realizojnë bashkimin kombëtar që kombet tjera e kanë kryer me kohë. Nuk ka forcë nëntoksore as mbitokësore që mund të ndalë bashkimin tonë. Nëntorët e lirisë flasin me gjuhën e drehtësisë hyjnore. Vetë Zoti po flet shqip! Zoti ka bekuar bashkimin tonë kombëtar. Një komb-një atdhe! Një komb një shtet!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …