Bahri Bivolaku

Bahri Bivolaku: A ngjason politika e Kosovës me trurin e papërdorur?

Politika në Kosovë e vitit 2017, nëse e do vazhdimësinë e ekzistencës, duhet të shënojë fillimin e realizimit të vizionit për të ardhmen e vendit, ndryshe humbet kuptimin. Njëri dëshiron ta blejë një tru dhe ta vendos në kokë të vet sepse i veti nuk i duket i mirë. Në spital i thonë se kanë vetëm dy palë tru, atë të politikanit dhe atë të një shahisti. I pari kushton 5000 dollarë, ndërsa i dyti 50 dollarë. Njeriu befasohet dhe e pyet se mos vallë truri i politikanit qenka shumë më i mirë se i shahistit. Po ata në spital ia kthejnë se ky tru kushton aq shtrenjtë se është absolutisht i papërdorur.

Kjo barcoletë e lexuar dekada më parë më reflekton me nevojën që politika e Kosovës në vitin 2017 ta përdorë më shumë trurin sesa zhurmën. Udhëheqësit politikë duhet të qartësojnë vizionet e tyre për të ardhmen e vendit. Ky mision na frymëzon neve për të punuar në arritjen e tij, pasi aty edhe e gjejmë veten tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Vizioni se si të arrijmë shkallët e zhvillimit ekonomik, ta zbusim papunësinë, rrisim prodhimin, zvogëlojmë korrupsionin, vizioni për qëllimet e të rinjve e të rejave të këtij vendi, gratë etj. Vizioni i tillë duhet të jetë real dhe i kapshëm e jo abstrakt e i përgjithësuar. Politika në Kosovë e vitit 2017, nëse e do vazhdimësinë e ekzistencës, duhet të shënoj fillimin e realizimit të vizionit për të ardhmen e vendit, ndryshe humbet kuptimin.

Të menduarit strategjik është fushë e politikës dhe liderët partiak në këtë fushë duhet ta kenë konsensuesin. Ai arrihet po që se ekziston vizioni për të ardhmen tek ta, e jo prirja për t’u marrë me të kaluarën. Shihja se sa me përkushtim debatohej në Kuvendin e Kosovës në pikën e shpërndarjes së buxhetit të Kosovës, por nuk e kam të qartë se si po me atë përkushtim nuk kërkohet të debatohet se si ai buxhet të dyfishohet së paku. Pra, është e lehtë të debatohet se ku do t’i çojmë paratë tona, por si duket nuk është joshës debati se si të kemi më shumë para për t’i shpërndarë.

Në vitin e kaluar, politika në Kosovë kishte çastin kritik dhe kishte menaxhim jo të duhur karshi saj. Shpeshherë kjo politikë dha shenja të pasigurisë. Pasiguria e bën edhe më të ndërlikuar krizën. Në këto kriza është mirë të ruhet qetësia politike dhe nga to të nxirret përfitimi maksimal për vendin e qytetarët. Problemet e shfaqura politike nuk zgjidhen duke i vendosur nën tepih, por shtruar ato për zgjidhje, duke kryer veprime që eliminojnë faktorët pengues e kufizues lehtësisht. Veprimi i tillë arrihet vetëm duke zhvilluar pandërprerë komunikimin dhe krijuar kushte që të zhvillohen sa më shumë plane për tejkalime të këtyre çasteve të krizës. Politikanët e lirisë gjithsesi që nuk i fshehin apo ikin nga problemet, ata përballën me to. Atyre u japin zgjidhje.

Politika në Kosovë vërtetë për vitin 2017 duhet ta përdorë më shumë trurin dhe qartësoj qëllimin politik, qartësoj programet politike dhe ndërtoj kauzën për to. Mendoj që kjo është rruga e vetme e ekzistencës. Kërkesën e tillë e gjejmë edhe tek të rinjët 17-21 vjeçar nga një hulumtim për matjen e opinionit publik në Kosovë, të realizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, të cilët papunësinë e radhisin si shqetësimin më të rëndësishëm e që pasojnë me zhvillimin ekonomik, luftimin e korrupsionit, shëndetësia, liberalizimi i vizave, arsimi etj.

Kontrolloni gjithashtu

Studimi i së ashtuquajturës ‘Akademi e Studimeve Shqiptare’ në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë, masakron historinë e LANC-it

Historianë dhe studiues gjysmakë,  me prejardhje balliste e profashiste,  në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë …