Tema të tjera...
Në Ditën e Dëshmorëve të Kombit, 5 Majin, përkujtohen dhe nderohen me përulje dhe respekt të thellë të gjithë burrat dhe gratë, të rinjtë dhe të rejat që dhanë jetën për vatan, për liri dhe për paqen që gëzojmë sot. Në këtë ditë përkujtimi, edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka kujtuar me nderim të thellë të rënët për atdhe, duke theksuar sakrificën e tyre si themel të lirisë dhe shtetit shqiptar. Ata ishin idealistë të vërtetë, që luftuan deri në sakrificën sublime për të përmbushur ëndrrën e përbashkët të popullit shqiptar. Vepra dhe sakrifica e tyre mbetet një testament i gjallë i atdhedashurisë dhe guximit, që duhet të shërbejë si udhërrëfyes moral për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Kjo sakrificë sublime na kujton detyrimin për të mbrojtur pa hezitim parimet dhe vlerat universale të paqes, drejtësisë dhe demokracisë mbi të cilat ndërtohet shoqëria jonë. Idealizmi i pastër dhe dashuria vetëmohuese për atdheun duhet të na frymëzojnë të gjithëve që ta duam më shumë Shqipërinë, të punojmë me përkushtim për njerëzit dhe vendin, duke qenë të gatshëm për çdo sakrificë në emër të së mirës së përbashkët. Një Shqipëri që zhvillohet dhe ecën përpara në rrugën e bashkimit me familjen evropiane është misioni ynë i përbashkët, nën shembullin e martirëve kombëtarë.
Lavdi përjetë gjakut dhe shpirtit të Dëshmorëve të Kombit!
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
