Dëshmitari, Bardhyl Mahmuti, gjatë paraqitjes së tij para trupit gjykues në gjykimin kundër krerëve të UÇK-së, në Hagë, ka mohuar autorësinë e komunikatës së 59-të të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në të cilën ishte shpallur tradhtar Gani Geci pas vrasjes së Abedin Rexhës. Mahmuti ka thënë se komunikata ka qenë kërkesë e NATO-s dhe SHBA-së dhe se ai e ka diktuar te njerëzit që të publikohet nga Kosova por se nuk është autor i atij dokumenti. Këtë deklaratë Mahmuti, në cilësinë e dëshmitarit, e ka dhënë dje në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, në Hagë. Ai ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk ka vrarë civilë. Këtë konstatim, Mahmuti e ka dhënë duke iu përgjigjur në kundër-pyetjet e prokurorit të specializuar Filippo De Miniçis.
