Bardhyl Mahmuti: Maqedonia po kryen krim kundër njerëzimit në Tetovë!

Po rikujtoj se me qëllim të krijimit të një instrumenti që do të kishte në kompetenca të veta krimet më serioze që e preokupojnë bashkësinë ndërkombëtare u themelua Gjykata Ndërkombëtare Penale. Statuti i Romës, që përbën juridiksionin dhe bazën mbi të cilën mbështetet funksionimi i kësaj gjykate, plotësoi juridiksionet penale të secilit shtet dhe pikërisht për këtë arsye shtetet morën përsipër që të nënshkruajnë dhe miratojnë këtë statut.

 

Më 7 tetor 1998 Maqedonia nënshkroi Statutin e Romës ndërsa më 6 mars 2002 e shtroi për miratim.

 

Në këtë shkrim nuk do t’i trajtoj të gjitha krimet që shqetësojnë bashkësinë ndërkombëtare por do të kufizohem vetëm në një krim që hyn në kategorinë e KRIMIT KUNDËR NJERËZIMIT. 

 

Në nenin 7 paragrafi (k) të Statutit të Romës në kategorinë penale KRIMET KUNDËR NJERËZIMIT hyjnë aktet johumane që shkaktojnë dëmtime serioze të shëndetit fizik ose mendor. Pra, imponimi i kushteve të jetesës në të cilat cenohet shëndeti i popullsisë konsiderohet krim kundër njerëzimit.

 

Qe disa vite me radhë qytetarët e Tetovës dhe rrethinës së saj u janë nënshtruar kushteve tejet të rrezikshme të jetesës për shkak të ndotjes ekstreme të ambientit. Në shtete të ndryshme të botës, ku ndotja e ambientit është shumë më e vogël se ajo me të cilën përballen tetovarët, intelektualët e fushave të ndryshme dhe sidomos mjekët janë mobilizuar që të denoncojnë cenimin e shëndetit të njeriut nga ndotja si krim kundër njerëzimit.

 

Në Konferencën Ndërkombëtare të organizuar vitin e kaluar (nëntor 2014) në kuadër të UNESCO-s ekspert të fushave të ndryshme në mesin e të cilëve edhe nobelistë të mjekësisë vunë theksin në dëmet e mëdha shëndetësore që shkakton ndotja e ambientit. Kanceri i mushkërive, astma dhe sëmundje të ndryshme janë pasojë e drejtpërdrejtë e ndotjes së ambientit. Përmes Deklaratës ndërkombëtare lidhur me rrezikun shëndetësor nga ndotja këta intelektual kërkojnë nga shtetet që të ndërmarrin të gjitha masat për parandalimin e këtij krimi

 

Tetova dhe rrethina e saj janë vendi më i ndotur në botë. Këtë fakt nuk e mohon as Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë. Përpjekjet e organizatës joqeveritare ECO Guerilla për të sensibilizuar institucionet shtetërore për rrezikun ekstrem që i kanoset shëndetit të popullsisë nga helmet e JUGOKROMIT fatkeqësisht kanë hasur në vesh të shurdhët.

 

Qe disa vite me radhë qytetarët e Tetovës dhe rrethinës së saj u janë nënshtruar kushteve tejet të rrezikshme të jetesës për shkak të ndotjes ekstreme të ambientit. Mosveprimi përballë kësaj situate dramatike dhe tejet të rrezikshme dhe imponimi që popullsia e Tetovës me rrethinë të jetojnë në kushteve të jetesës në të cilat cenohet shëndeti i  tyre është në kundërshtim me angazhimet që shteti i Maqedonisë ka marrë me ratifikimin e Statutit të Romës.

 

Kjo heshtje i bën institucionet e të gjitha niveleve në Maqedoni përgjegjëse për krimin kundër njerëzimit që po kryhet në Tetovë dhe rrethinën e saj.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Kultura e tolerancës fetare të shqiptarëve është një fenomen “sui generis” në historinë e qytetërimit

Toleranca dhe kultura fetare shqiptare, nuk kanë  të bëjnë me “harmoninë” mes feve, sepse fetë …