Bardhul Mahmuti

Bardhyl Mahmuti: Memorandum për arrestimin e Ramush Haradinajt

Drejtuar :

 

Presidentit të Republikës së Francës, z. François Hollande,

Qeverisë së Republikës së Francës :

Kryeministrit, z.. Bernard Cazeneuve,

Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Jean-Marc Ayrault,

Ministrit të Drejtësisë, z.  M. Jean-Jacques Urvoas,

Asamblesë nacionale të Republikës së Francës :

Kryetarit të Asamblesë nacionale, z. Claude Bartolone

Kryetares së Komisionit Parlamentare për Marrëdhënie me Jashtë, Zonjës Elisabeth Guigou, Kryetarit të Komisionit Parlamentare për çështje ligjore, z. Dominique Reimbourg

Zoti President, Zotëri Ministra, Zonja dhe Zotërinj deputetë të Asamblesë nacionale të Republikës franceze,

Që nga 4 janari 2017 kur u ndalua Ramush Haradinaj në Aeroportin Bâle-Mulhouse në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia, autoritetet franceze vazhdimisht pohojnë se ky akt nuk ka asnjë dimension politik!

Në vijim të këtij memorandumi do të sjell fakte që dëshmojnë se « Dosja Haradinaj » është dosje e porositur nga strukturat politike të regjimit të Millosheviqit, e sajuar nga Shërbimi Sekret Serb dhe e shpërndarë nga njerëzit e këtij regjimi. Si e tillë, akuza kundër z. Ramush Haradinaj është një akuzë e motivuar politikisht dhe urdhër-arresti i lëshuar nga Serbia është urdhër- arrest i POROSITUR NGA POLITIKA e Beogradit.

Prandaj, në « Rastin Haradinaj » pretendimet për pavarësinë e institucioneve të drejtësisë franceze nga politika duhet të shqyrtohen në raport me origjinën e kësaj dosjeje, sepse njohja e origjinës së këtyre dosjeve do t’i mundësojë drejtësia franceze të shmangë grackën e vendosur nga politika serbe.

Po filloj me gjenezën e përpilimit të dosjeve kundër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

1.

– Në konferencën për shtyp të datës 7 dhjetor 2003, të mbajtur në sallën e Kuvendit të Republikës së Serbisë, në praninë e shumë gazetarëve vendës dhe të huaj, kryeministri i Serbisë, Zoran Živković-i, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri dhe shefi i Qendrës Koordinuese për Serbinë Jugore dhe për Kosovën dhe Metohinë, Nebojša Čović-i, si dhe nga shefi i Shërbimit Sekret Serb (BIA), Miša Milićević-i, njoftuan se kanë publikuar dosjet e përgatitura nga Shërbimi Sekret i Serbisë kundër “terroristëve” shqiptarë të Kosovës.

Udhëheqësit serbë shpjeguan se libri i titulluar «Terrorizmi Shqiptar dhe Kriminaliteti i Organizuar në Kosovë dhe Metohi » si dhe mbi 27 mijë faqe të sistemuara në format të CD-ve ishin përgatitur nga Shërbimi Sekret i Serbisë me qëllim që “të ofrojnë prova për krimet e kryera në Kosovë, prova që mund t’i shërbenin Tribunalit të Hagës”. Të gjitha dosjet e sajuara nga Shërbimi Sekret serb iu dorëzuan Carla Del Ponte-s nga Departamenti i Jurisprudencës së Serbisë.

Po ju rikujtoj se Shefi i Shërbimit Sekret serb që përpiloi dosjet kundër luftëtarëve të UÇK-së ishte Miša Milićević-i, njëri ndër kuadrot më besnikë të Slobodan Milošević-it. Bëhet fjalë për personin që u arrestua për vrasjen e kryeministrit demokrat serb, Zoran Đinđić-it dhe i cili u lirua në “mungesë provash” përderisa 15 anëtarë të këtij shërbimi u dënuan për atentatin kundër kryeministrit serb.

A mund t’u besohet dosjeve të sajuara nga ky shërbim sekret? Dëshmitë e dy personaliteteve serbe që ishin në pozita kyçe në kohën e kryerjes së krimeve mjaftojnë për të krijuar një ide rreth për organizimin dhe kryerjen e krimeve.

Dëshmia e parë vjen nga shkrimtari serb dhe kryetari i Lëvizjes së Ripërtëritjes Serbe Vuk Drašković-i, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte Zëvendës-kryeministër i Jugosllavisë dhe i ngarkuar të udhëhiqte marrëdhëniet me jashtë. I pyetur rreth kësaj çështjeje Vuk Drašković-i deklaroi për gazetën serbe « Kurir »: “U vendos që Shërbimi Sekret serb të kryente një varg sulmesh terroriste kundër civilëve serbë dhe shqiptarë të cilat duhej t’i visheshin UÇK-së. Qëllimi i këtyre sulmeve ishte që UÇK-ja të paraqitej në sytë e bashkësisë ndërkombëtare si organizatë terroriste. Në të njëjtën kohë, përmes këtyre aksioneve do t’u jepej zjarr ndjenjave antishqiptare në Kosovë dhe në tërë Serbinë (…)”. Ndërsa ish-Shefi i Shërbimi Sekret serb, Radomir Marković-i, në letrën e tij drejtuar Presidentit të Serbisë deklaroi:  “nëse e publikoj listën e të gjitha krimeve që janë kryer nga Shërbimi Sekret serb ndaj serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë shteti i Serbisë do të gjunjëzohet”.

2.

– Përveç faktit se Shërbimi Sekret i Serbisë që përgatiti dosjet kundër udhëheqësve të UÇK-së udhëhiqet nga njerëzit e besueshëm të Sllobodan Millosheviqit, është e pakontestueshme se në krye të institucioneve të Serbisë, në të gjitha nivelet, janë nxënës të « Kasapit të Ballkanit ».

Kështu, Lubiša Diković-i, i cili komandoi operacionet e Brigadës së 37 të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave që është përgjegjëse për vrasjen e rreth dy mijë civilëve shqiptarë të Kosovës, pas përfundimit të luftës, më 16 qershor 1999, Slobodan Milošević-i e dekoroi me urdhrin më të lartë: dekoratën Heroi i popullit.

Organizata joqeveritare serbe « Fondi për të Drejtën Humanitare » ngriti padi penale kundër Lubiša Diković-it për përgjegjësitë e tija në krimet e kryera në Kosovë.

Dosja e detajuar rreth krimeve dhe përgjegjësisë së Lubiša Diković-it është e publikuar në faqen e internetit të kësaj organizate.

Gjykata serbe për krime lufte e liroi nga akuza dhe në vend të dënimit si kriminel, u ngjit në karrierën e vet profesionale dhe dymbëdhjetë vjet më vonë « Heroi » i Millosheviqit u emërua Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë serbe.

Avancimi në pozita të larta i kuadrove të shumta ushtarake, policore dhe të shërbimit sekret që kishin krimet më të tmerrshme në Kosovë, shpjegon arsyen pse dosjet e sajuara kundër udhëheqësve të UÇK-së janë ende aktive.

3.

Tomislav Nikolić-i, Presidenti i Serbisë, është përgjegjës i drejtpërdrejtë i krimeve në Kroaci dhe si nënkryetar i Partisë Radikale Serbe të Vojislav Šešel-it ka qenë i implikuar në Krimet në Kosovë. Që nga pavarësia e Kosovës, Tomislav Nikolić-i nuk është duke i ndalur kërcënimet për përdorimin e të gjitha mjeteve për ta kthyer Kosovën nën sovranitetin serb. Për të gjitha qarqet politike të shteteve të BE-së Tomislav Nikolić-i është e njohur si ekstremist dhe nxitës konfliktesh.

 4.

– Kryeministri aktual i Serbisë, Aleksandar Vučić, është njëri nga politikanët më të besueshëm të Sllobodan Millosheviqit. Gjatë luftës në Kosovë, Aleksandar Vučić iu besua të udhëhiqte Ministrinë e Informatave, këtë instrument të propagandës më të ashpër të regjimit të Millosheviqit. Aleksandar Vučići mbeti në postin e ministrit të propagandës deri në momentin rrëzimit të Millosheviqit nga pushteti. Ky ministër mbahet mend për imponimin e Ligjit për informim, mbylljen e të gjitha medieve që nuk i nënshtroheshin diktatit të Millosheviqit dhe dëbimin e gazetarëve të huaj nga Kosova. Kjo politikë synonte ta shndërronte Kosovën në një «Teatër me dyer të mbyllura» ku luhej tragjedia shqiptare në Kosovë.

Shumë vite më, në dhjetor të 2013, Aleksandar Vučići deklaroi në emisionin «Teška reč» në TV Pink se: “Në Serbi pushteti vriste edhe ata që mendonin ndryshe, edhe kundërshtarët e vet. Ky është një problem i tmerrshëm për vendin tonë. Fjala është për pushtetin, pjesë e të cilit kam qenë edhe unë, por në gjëra të tilla nuk kam marrë pjesë (…) Ka shumë gjëra të tmerrshme, me të cilat duhet të ballafaqohemi. Për shembull vrasjen e gjashtë të rinjve serbë në kafenenë «Panda» të Pejës në vitin 1998. Nuk ka fakte se këtë krim e kanë kryer shqiptarët, ashtu siç është besuar”.

Megjithëse Aleksandar Vučić pranoi gabimet e veta politike por mohoi të ketë marrë pjesë drejtpërdrejtë në krime.

 5.

Krahas Aleksandar Vučić, Ivica Dačići shquhet për shkathtësitë e tij në propagandën e luftënxitës të Serbisë. Që nga viti 1992 e deri në rrëzimin e Millosheviqit nga pushteti në vitin 2002 Ivica Dačići ushtroi funksionin e Zëdhënësit të Partisë së Sllobodan Millosheviqit. Si njeriu më besnik i regjimit të moçëm, Ivica Dačići udhëheq partinë e Sllobodan Millosheviqit që nga viti 2006. Ndërsa aktualisht është në dy postet strategjike: Zëvendës Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë.

– Kryetar i Këshillit të Kuvendit të Serbisë për Kosovë është Milovan Drecuni. Ky funksionar i Shërbimit Sekret serb operonte në Kosovë nën maskën e gazetarit për çështje ushtarake në Radio- Televizion e Serbisë. Për kontributin që ka dhënë në Kosovë në përmbushjen e detyrave të caktuara nga regjimi i Millosheviqit, Milovan Drecuni u dekorua nga gjeneralkoloneli famëkeq serb Nebojsha Pavkoviqi me dekoratën më të lartë që ndonjëherë kishte marrë ndonjë gazetar.

Për përgjegjësitë në krimet e kryera në Kosovë, gjeneralkoloneli famëkeq serb Nebojsha Pavkoviqi u dënua nga Gjykata ndërkombëtare e Hagës me 22 vjet burg.

Nebojša Pavković-i kërkohej nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë për katër vepra penale të kryera gjatë luftës në Kosovë: deportime, shpërngulje të dhunshme, vrasje dhe përndjekje. Më 25 prill 2005 ai u dorëzua te autoritetet ndërkombëtare për t’u ballafaquar me drejtësinë. Në shkurt të vitit 2009, gjeneralkoloneli serb, Nebojša Pavković-i, u dënua me 22 vjet burg.

Më 1 korrik 2009, në Gjykatën për Krime Lufte në Serbi, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë dorëzoi padinë kundër gazetarëve të Radio Televizionit të Beogradit, të Radio Televizionit të Novi Sadit si dhe kundër gazetarëve të gazetave Politika, Večernje Novosti dhe të gjithë atyre që gjatë shpërbërjes së Federatës Jugosllave u vunë në shërbim të propagandës luftënxitëse.

Në mesin e gazetarëve që u paditën për manipulime mediatike në funksion të nxitjes së krimeve në Kosovë, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë akuzoi edhe Milovan Dracunin. Në vend të dënimit, ai u avancua në funksione të rëndësishme shtetërore dhe tani  flet në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Kuvendit të Serbisë për Kosovë!

Zoti President, Zotëri Ministra, Zonja dhe Zotërinj deputetë të Asamblesë nacionale të Republikës franceze,

Faktet e lartpërmendura janë vetëm maja e ajsbergut e materialeve që posedoj dhe që dëshmojnë se « Dosja Haradinaj », në të njëjtën masë si edhe dosjet tjera të sajuara kundër udhëheqësve të UÇK-së, është dosje e motivuar politikisht dhe e sajuar nga Shërbimi Sekret i Serbisë.

Mbi bazën e këtyre dosjeve Ramush Haradinaj u ballafaqua me drejtësinë ndërkombëtare në Hagë. Dosja kundër Ramush Haradinajt ishte publikuar nga Shërbimi Sekret serb para se të shndërrohej në aktakuzë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë. Madje, edhe vetë Carla Del Ponte pohoi në librin e vet se “ për aktivitetet kriminale të pjesëtarëve të UÇK-së ishte informuar gjatë vizitave të saja në Beograd”.  Siç e dini, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e shpalli Ramush Haradinajn të pafajshëm në të gjitha akuzat.

Institucionet e drejtësisë serbe janë institucione që funksionojnë nën diktatin politik. Aktivizimi i akuzave të vjetra nga njerëzit e regjimit të vjetër të Millosheviqit që janë aktualisht në krye të shtetit serb kanë vënë në sprovë drejtësinë franceze. Që të shmang grackën e politikës serbe drejtësia franceze duhet ta lirojë menjëherë dhe pa asnjë kusht Ramush Haradinajn. Ky veprim është veprim i vetëm serioz dhe me dinjitet i një drejtësie vërtetë të pavarur.

Zoti President, Zotëri Ministra, Zonja dhe Zotërinj deputetë të Asamblesë nacionale të Republikës franceze,

Në përfundim të këtij memorandumi ju shpreh gatishmërinë time të plotë për çfarëdo informate shtesë lidhur me faktet e lartpërmendura.

Me respekt

Bardhyl Mahmuti

Politolog (ish- Përfaqësues politik i UÇK-së)

Të dhënat për kontakt:

Tel: 0041 79 950 80 23

[email protected]

Passage de la Chocolaterie 2

1800 Vevey, Zvicër

Vevey, më 4 shkurt 2017

 

Kontrolloni gjithashtu

KMDLNJ

KMDLNj; Aktiviteti i shtuar i Gjykatës Speciale po ndërmerret para zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë

Sipas KMDLNj-së, fallangat e Gjykatës Speciale në mëngjesin e së të enjtes, deri në këto …