Brickos

Bedri Halimi: DISA FJALË RRETH DISA PASAKTËSIVE TË ANALIZËS SË AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË KOSOVËS

Bedri Halimi: ANTISHQIPTARIZMI I KAPLLAN RESULIT, DHE KTHIMI I AUTORSISË – HAKI LIMANIT SI AUTOR I ROMANIT “TRADHËTIA”

Në opinionin publik të Kosovës dhe të shqiptarëve në hapësirat shqiptare në ish Jugosllavi, në fund të viteve 60-ta u bë i njohur emri i Kapllan Resulit, si autor i një romani me titull “Tradhëtia”. Në qarqet letrare gjatë viteve 50-ta, Kapllan Resuli ka provuar të shkruaj ndonjë tregim, edhe atë në gjuhën serbokroate të cilën ja kanë përkthyer Esad Mekuli.

Mirëpo po të lexosh me vëmendje romanin si dhe du tregimet e tija, që janë botuar në një libër të përbashkët letrar me titull “Shkëndijat e para”, shihet qartë se as për nga struktura e fjalisë, nuk mund të konkludohet se është i njëjti autor i tregimeve dhe i njejti autor i romanit “Tradhëtia”.

Kapllan Resuli, një shqiptar nga Ulqini, i shoqëruar me qarqet letrare të kohës, sidomos në pjesën e Anamoravës, burgoset për motive politike nga pushteti Jugosllav, dënohet me 18 muaj dhe kalon një kohë në burgun e Tetovës e pastaj në burgun e Idrizovës në Maqedoni. Gjatë qëndrimit të tij në këtë burg, siç deklaron më vonë Kapllan Resuli, paskësh konceptuar një roman me titull “Jezu Krishti”, i cili “roman” kurrë nuk u botua, sepse kurrë nuk u shkrua.

Duke u bazuar në librin e të burgosurit politik Rexhep Bunjakut me titull TRADHËTARI I “TRADHËTISË” Polemikë më Kapllan Resul(Begoviq, Buroviq)in, rezulton se Kapllan Resuli jo që nuk ka shkruar në Idrizovë, por as që ka treguar se ka shkruar apo do të shkruaj roman me titullin “Tradhëtia”.

Gjithashtu duke u bazuar në të dhënat e romanit “Tradhëtia”, lexuesi habitet me qasjen e përshkrimit të gjërave në detaje rreth temës që e trajton, rreth zhvillimit të ngjarjeve gjatë Luftës së Dytë Botërore në hapësirën e Kosovës Lindore dhe Karadakut. Prandaj vetvetiu të imponohet pyetja se si është e mundur që një njeri, i cili nuk ka jetuar në atë pjesë, t’i përshkruaj në atë mënyrë zhvillimin e ngjarjeve, sikur të kish qenë edhe vetë pjesë e tyre.

Në qarqet e caktuara kulturore dhe jo vetëm, pas botimit të romanit “Tradhëtia” në Tiranë, dhe depërtimit të këtij romani në Kosovë, ky roman lexohej në mënyrë ilegale. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe, pas botimit të romanit, përflitej se Kapllan Resuli nuk është autor i këtij romani me titullin “Tradhëtia”. Kjo nuk përflitej vetëm në Kosovë, por kishte filluar të përflitej edhe në Tiranë.

Por të shkojmë në mënyrë kronologjike rreth zhvillimit të ngjarjeve të këtij personaliteti kontraverz:

Së pari, siç u tha, Kapllan Resuli burgoset për çështje politike dhe për një kohë qëndron në burgun e Idrizovës. Gjatë qëndrimit të tij në burg, Kapllan Resulin e viziton edhe vëllau i tij Xhevdet Resulbegoviqi, i cili ishte oficer i KOS-it me gradën major (Shërbimi i Kundërzbulimit, që funksiononte në kuadër të APJ-së)…!

Të punoj një anëtar i familjes në Armatën Popullore të Jugosllavisë, dhe aq më tepër të punoj si oficer i shërbimit të kundërzbulimit, e në anën tjetër vëllau i tij të burgoset politikisht për veprimtari armiqësore ndaj shtetit Jugosllav, nuk shkon! Këtu diçka nuk është në rregull, apo jo? Aq më tepër, duke pasur parasysh edhe kohën, që ishte pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Prandaj logjikisht kjo çështje ka mundur të zgjidhet kështu: nëse Kapllan Resuli nuk ka qenë pjesë e shërbimit të UDB-së apo edhe e kundërzbulimit, atëherë kjo punë duhej të përfundonte, duke u bë Kapllan Resuli pjesë e shërbimit, ose vëllau i tij, si oficer i KOS-it, për shkak të biografisë familjare, (për shkak të Kapllanit), ka qenë dashur që të pësoj, duke u larguar gjithsesi nga KOS-i. Por kjo nuk ndodhi. Por ndodhi diçka tjetër! Vëllau i tij më vonë bëhet kolonel në kuadër të KOS-it, kurse Kapllan Resuli pas daljes nga burgu, nuk e bën as një muaj, duke e kaluar kufirin dhe shkon në Shqipëri.

Në Shqipëri pas shumë verifikimesh fillimisht pranohet si mësues, e pastaj i botohet romani “Tradhëtia” në vitin 1965, në 259 faqe. Pra nja 100 faqe materjal nuk i botohet në botimin e parë. Pastaj pas një kohe, me kërkesën e Kapllan Resulit i botohet romani i plotë me 100 faqe të tjera shtesë, dhe atë në 20.000 kopje, nga të cilat 5.000 dedikohen për Kosovë duke hyrë nëpër rrugë ilegale. Botimi i dytë ndodh më 1967, me 392 faqe.

Si duket Kapllan Resuli tashmë i kënaqur shumë me suksesin e tij përmes botimit të romanit, që nuk mbeti pa jehonë edhe në opinionin e Shqipërisë, filloi të krekoset duke e treguar fytyrën e vërtetë, duke e vazhduar kështu ushtrimin e veprimtarisë politike, përmes sjelljeve e deklarimeve të tija në rrethet ku frekuentonte.

Në vitin 1971, Kapllan Resuli arrestohet si agjent i UDB-së, për veprimtari armiqësore kundër shtetit shqiptar dhe denohet me shumë vite burg.

Pasi i ngritet aktakuza, Kapllan Resuli i shkruan letër Enver Hoxhës, duke kërkuar që të mos denohej, por që Enver Hoxha të ndërhynte për ta rishikuar procesin e tij, sepse sipas Kapllan Resulit në këtë punë, pra në arrestimin e tij, dhe propagandën kundër tij, paska gisht UDB-ja Jugosllave. Natyrisht që Enver Hoxha nuk i kthen përgjigje, por një përgjigje e shkruan Hysni Kapo duke e potencuar se në çështjen e Kapllan Resulit, drejtësia le ta thotë fjalën e vetë përmes gjykatës. Kështu Kapllan Resuli denohet dhe mbahet në burg deri në vitin 1990 kur lirohet pas rënies së sistemit monist, si dhe pas lirimit të të burgosurve të tjerë.

Për lirimin e Kapllan Resulit e patën ngritur zërin e protestës edhe disa intelektual nga Kosova si Zekerija Cana, etj., të cilët i patën shkruar një letër Ramiz Alisë, me kërkesën për lirimin e shkrimtarit Kapllan Resuli.

Pas lirimit nga burgu, Kapllan Resuli filloi të jap deklerata e të shkruaj shkrime të ndryshme, por jo letërsi. Për shkrimet e tija kontradiktore, filloj ta lavdroj vetën, duke i vënë vetës epitete të profesorit, studiuesit e deri te akademiku. Kështu, nuk shkoi shumë gjatë dhe Kapllan Resuli e shqeu përfundimisht maskën, duke e hequr edhe atë copëz maske që i kishte mbetur, duke shkruar e duke deklaruar se Kapllan Resuli nuk është shqiptar, pra duke e mohuar vet identitetin e vet, duke deklaruar gjëra anakronike historike sipas të cilit “Shkodra s’ka qenë kurrë e Shqipërisë”, dhe duke shkruar gjëra të cilat as historianët serb nuk kanë ditur t’i shkruajnë kundër shqiptarëve si: Sllavët, kanë ardhur në Ballkan shjetë shekuj para shqiptarëve. Atëbotë në Ballkan s’ka pasur shqiptarë…”, “Shkollat e para shqipe i ka hapur serbi Dosidej Obradoviqi”, “ju (demek shqiptarët) edhe e adhuroni si të shenjtë Jusuf Gërvallën që ka therr fëmijët e serbëve, i ka vënë zjarrin Patriarkanës serbe të Pejës”, “Kriminelët shqiptarë, mbasi kanë torturuar, kanë vrarë dhe mandej i kanë hedhur në furra të gëlqeres shumë serbë të pafajshëm. Nuk dyshoj në këtë tragjedi makabre të kriminelëve shqiptarë të cilët nuk do të ishin kriminelë sikur të mos kishin bërë krime”. “forcajt e NATO-s dhe të Shteteve të Bashkuara Amerikane e kanë okupuar Kosovën e irridentistëve dhe të sparatistëve shqiptarë”. Unë kam qenë, jam e do të jem jo vetëm dashakeq po edhe armik i deklaruar i juaji (pra, i shqiptarëve)”. Dhe jo vetëm kaq, ai e ndërron edhe emrin e vet në Buroviq, e pastaj Resul Resulbegoviq; duke u deklaruar madje se nuk është shqiptarë, duke u deklaruar si jugosllav, serb, hervegovas etj. Së këndejmi edhe fëmijëve të tij me emrat Alban e Albana, ua ndërron emrat dhe ua bën Dushan dhe Dushanka.

Dhe përsëri jo vetëm kaq! Antishqiptarizmi i Kapllan Resulit shkon deri aty sa që të kryqëzohet në kishën ortodokse serbe si dhe të varroset pas vdekjes së tij me ritet e kishës ortodokse serbe!

Nga kjo kronologji ngjarjesh, shihet qartë se Kapllan Resuli është burgosur fillimisht në Jugosllavi, duke u mbajtur një kohë në burgun e Idrizovës, për tu fryrë biografia e tij me përmbajtje kombëtare shqiptare, ku për shkak të kombëtarizmit të tij qenka detyruar të ikë në Shqipëri. E tëra kjo e planifikuar paraprakisht nga UDB-ja. Fakti se në Shqipëri për një kohë e kanë analizuar figurën e tij, për të cilën gjë Kapllan Resuli shpreh mospajtimin e tij, (sepse sipas tij ka qenë dashur menjëherë t’i japin blanko të gjitha të drejtat), si dhe vetë zhvillimi i ngjarjeve që pasojnë, tregon se Kapllan Resuli ka qenë kuadër i përgatitur nga KOS-i për tu hedhur në Shqipëri me mision. Por shteti shqiptar e ka duruar, duke e vrojtuar së ‘notuari’ Kapllan Resulin dhe duke e përcjellur derisa është zënë ‘me pelë për dore’.

Vlenë për tu përmendur këtu edhe fakti ku në vitin 1987, me rastin e vizitës së Ismail Kadaresë në Majdanpek të Serbisë, me rastin e takimeve të shkrimtarëve ballkanas, Kadare është pyetur nga “gazetarët” së pari se çfarë mendimi ka për shkrimtarët e Kosovës dhe pastaj për ta pyetur konkretisht, se si është puna me Kapllan Resulin, që mbahet i burgosur në Shqipëri? Ndërkaq Kadare, pas përgjigjes së dhënë për shkrimtarët e Kosovës, në pyetjen për Kapllan Resulin potenton ce Kapllan Resuli ka ardhur në kundërshtim me vijën e PPSH-së, dhe nuk e ka punën mirë.

Vlenë për tu përmendur edhe fakti se në Shqipëri nuk ishte vetëm Kapllan Resuli që merrej me shkrime si i ikur nga ish Jugosllavia. Por me shkrime merreshin edhe Sylejman Krasniqi, Agim Gjakova, Adem Istrefi etj., ashtu siç me art merrej edhe Dervish Shaqa etj. Pra që të gjithë këtyre nuk iu mohua e drejta për të shkruar dhe as për të botuar libra, siç kanë vepruar Sylejman Krasniqi, Agim Gjakova, Adem Istrefi etj., dhe nuk janë burgosur fare. Pra nuk qëndron mendimi i ndonjë dashakeqi se kushdo se ka shkuar andej është burgosur, nëse vërtet nuk ka shkuar me mision. Në të kundërtën përse nuk u burgosën Sylejman Krasniqi, Agim Gjakova, Adem Istrefi, Dervish Shaqa etj.?!

Duke u bazuar në të dhënat e librit të Rexhep Bunjakut me titull “Tradhëtari i ‘tradhëtisë” si dhe në të dhënat e hulumtuesëve të tjerë së fundi nga studiuesi, shkrimtari, publicisti Fehmi Ajvazi botohet libri me titull “Tradhëtia e shumëfishtë” (Dosja”Haki L. & Kapllan R.) ku në mënyrë të thelluar ka bërë analizë të ngjarjeve, rrethanave e proceseve për njerëzit që janë sjellë rreth Kapllan Resulit si dhe për vetë Kapllan Resulin. Nga të gjitha këto të dhëna me të drejtë konkludohet, jo vetëm nga Fehmi Ajvazi, por edhe nga të tjerë, se autori i romanit “Tradhëtia” është Haki Limani, një intelektual i shquar i kohës, i cili ishte njeri i formuar intelektualisht dhe kombëtarisht, dhe i cili kishte arritur të depërtonte deri në nivelet e majave të inteligjencës së atëhershme të kulturës në Kosovë. Kështu duke qenë edhe si punëtor i Entit të Botimit të Teksteve Mësimore, pas punës që kishte bërë në arsim, dhe ku ishte dalluar si punonjës i arsimit në vendlindjen e tij, në komunën e Preshevës, si dhe në Prishtinë, Haki Limani me punën e vet, me sjelljet e veta dhe me veprimtarinë e tij, kishte rënë në sy të UDB-së. Disa shokë të tij të kohës kanë dëshmuar duke përmendur se Haki Limani e ka shkruar romanin “Tradhëtia”. Prandaj këto gjëra nuk kanë mundur të mos i bien në vesh edhe UDB-së. Prandaj UDB-ja vëhet në aksion dhe në vitin 1965 organizon aksionin e likuidimit fizik të Haki Limanit, ku ekzekutimin e bëjnë në mënyrë mjeshtërore, se gjoja rastësisht e ka shkelur një veturë në momentin kur Haki Limani po ecte krah për krah me Azem Shkrelin. Dhembjen e madhe për këtë njeri, si intelektual i shquar i kohës e pati shprehur edhe këngëtari Qamili i Vogël i cili së bashku me këngëtarin Tahir Drenica i kushtuan dhe i kënduan një këngë me titull “Qofsh e zezë moj e diel proma”, në të cilën këngë shprehet dhembja e madhe për këtë humbje jo të vogël për një intelektual të shquar të kohës. Përderisa UDB-ja gjeti metodën se si ta eleminonte fizikisht Haki Limanin, duke mos marrë përgjegjësi, për të lënë për të kuptuar se gjoja ky ishte një rast aksidental, nuk është vështirë për të konkluduar, se UDB-ja paraprakisht ka gjetur metodën se si t’ia merrte dorshkrimin Haki Limanit.

Raste të tilla janë të njohura në praktika të veprimit të shërbimeve të fshehta, prandaj rasti i eleminimit fizik të Haki Limanit nuk është as i pari as i fundit, siç nuk është rast i parë e as i fundit edhe implikimi i UDB-së përmes njerëzve të tipit të Kapllan Resulit në Shqipëri dhe jo vetëm në Shqipëri, por kudo që ka pasur interes UDB-ja.

Prandaj, duke i pasur parasysh të gjitha këto dhe shumëçka që në këtë rast nuk u tha, është e udhës që autorsia e librit “Tradhëtia” t’i kthehet autorit të vërtetë, Haki Limanit dhe jo të lëhet në këtë mënyrë siç është deri më tani, me emrin e tradhëtarit e antishqiptarit të vetdeklaruar Kapllan Resulit. Arsyeja më e fortë për këtë gjë, është në njërën anë përmbajtja e romanit e cila është tërësisht shqiptare, tërësisht kombëtare, dhe në anën tjetër deklarimet e Kapllan Resulit duke ndërruar tërë identitetin e tij, madje edhe në emër dhe në shkrime, duke e bërë të kundërtën e përmbajtjes së romanit “Tradhëtia”. Pra nuk është vështirë për tu kuptuar se kush është tradhëtari këtu, nga se Kapllan Resulbegoviqi si i ashtuquajtur autor i këtij romani, e tradhëtoi jo vetëm emrin edhe mbiemrin si dhe identitetin e vet kombëtar, por ai e tradhëtoi edhe vetë përmbajtjen e romanit të vjedhur.

Cila duhet të jetë arsyeja që institucionet ta lejojnë botimin e këtij romani me emrin e këtij njeriu monstruoz që me deklarimet e tja nuk qëndron hiq më larg se qëndimet e Vasa Qubrilloviqit, Stevan Molleviqit, Drazha Mihajlloviqit, Ivo Andriqit… me një fjalë që nga Garashanini e deri te Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë?!

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Komandanti i ZOD, gjatë luftës, Sami Lushtaku, rrëfen momentet me komandantin. Ilaz Kodra, në 25-vjetorin e rënies së tij

Në 25-vjetorin e rënies së komandantit Ilaz Kodra, bashkëluftëtari i Ilaz Kodrës, Sami Lushtaku, ka …