leoni

Bedri Halimi: Lojërat me akuza mistike kundër krerëve të UÇK-së

Bedri Halimi “Misioni B” i Jusuf Buxhovit përmes të ashtuquajturit roman “Dosja B” XV

Buxhovit sërish i dhemb zemra për shtypin ilegal në Gjermani

Rreth botimit të shtypit ilegal në Gjermani, gjatë kohës kur Buxhovi ishte korrespondent i “Rilindjes”, Buxhovi në këtë libër shkruan: “Të alarmuar për një fushatë të tillë që zhvillohej në një shtet demokratik siç ishte Gjermania (pra harron të thotë Gjermania Perëndimore) ku liria e fjalës së lirë mbrohej me ligj, nga Prokuroria Gjermane ishte kërkuar që fletushkës t’i ndalohej shpërndarja në Gjermani, ndërsa ata që qëndronin mbrapa saj të ndiqeshin penalisht”. Për logjikën moniste të Buxhovit janë bërë ankesa edhe në Gjermani që të ndaloheshin botimet e gazetave që ky i quan fletushka, dhe jo vetëm kaq, madje është kërkuar që ndaj atyre që qëndronin prapa gazetës të ndiqen penalisht. Nuk është çudi që Buxhovi këtë çështje e ka bërë me fanatizëm, sepse e para ai ishte korrespondent i besueshëm i “Rilindjes”, anëtar i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, dhe njëri që ka ndjekur veprimtarinë e shqiptarëve nëpër klubet ku rrinin shqiptarët, në mesin e tyre edhe të Jusuf Gërvallës si dhe shokëve të tij. A ka nevojë njeriu me dije modeste mesatare të komentojë thënien e Buxhovit se “Ndeshja e ashpër” e “Rilindjes” me propagandën enveriste dhe telallët e saj në perëndim nuk ishte as e re e as e rastit? Ajo shfaqej nga mesi i viteve 70-ta dhe do të vazhdojë deri në vitin 2000”… Ç’t’i thuhet kësaj? Pra jugosllavizmi përkatësisht Serbia hegjemoniste në kuadër të Jugosllavisë paskësh qenë më e mirë dhe më e drejtë ndaj shqiptarëve të Kosovës sesa propaganda e shtypit ilegal të emigracionit shqiptar! Dhe këtë guxim Buxhovi, si “historian i gjithëdijshëm” merr guxim që në stilin e Sanço Panços, ta thotë edhe për Lëvizjen për Çlirim Kombëtar nga Serbia. Për të gjitha këto, Buxhovi mund të ndjejë dhembje, xhelozi, hatërmbetje, por ç’të bësh kështu e kanë “majtistët” kur nuk e pyesin Buxhovin – instrumentin e politikës jugosllave.

Buxhovi si “luftëtar” i “Rilindjes”, (i paepur natyrisht) veten e paraqet edhe luftëtar, madje luftëtar të vijës së parë, sepse “meqë mbronte kursin e emancipimit dhe brenda federatës jugosllave kurs ky që pas ndryshimeve politike të vitit 1966 dhe atyre kushtetuese në vitin 1974, me barazimin e Kosovës me njësitë e tjera të federatës, atë e nxirrte nga tutela e Serbisë (kështu mendonte edhe Azem Vllasi dhe klasa politike e atëhershme e Kosovës – Vërejtja ime)”, për të vazhduar pastaj me konkludimin se “gjatë këtij zhvillimi të hovshëm ekonomik dhe shoqëror, ndonëse nuk do t’ia dalë që t’i ngushtojë të gjitha dallimet me pjesët tjera të vendit, Kosova krijoi institucionet e saj kombëtare… (duke përmendur çështje të dorës së dytë si suksese të mëdha, por assesi moszhvillimin ekonomik – vërejtja ime).

Buxhovi më tej vazhdon “nga ana tjetër, lëvizja ilegale fillimisht angazhohej për një bashkim revolucionar të shqiptarëve me Shqipërinë, si dhe më vonë transformimi i saj në mbrojtje të republikës shqiptare në përbërje të republikës jugosllave, ishte ideologjik. Kjo lëvizje fund e krye ishte e ndikuar nga enverizmi dhe e lidhur me të në forma të ndryshme…”.

Jo vetëm këtu Buxhovi bën kësi formulimi mish mash, me qëllim, sepse edhe atëherë, edhe sot, por edhe nesër, ideja e bashkimit kombëtar do të ekzistojë. Deshi apo nuk deshi Buxhovi. I pëlqeu apo jo kjo atij. Prandaj përzierja e kohëve në mënyrën qysh i pëlqen Buxhovit është vetëm dhunti e Dobrica Çosiqit dhe e çosiqëve të tjerë si Buxhovi. Por një gjë do e pyesnim Buxhovin, pse gjithë kjo urrejtje kaq e madhe ndaj popullit shqiptar gjatë periudhës së monizmit? E kuptojmë për kohën që i ka shërbyer titizmit, por nuk e kuptojmë në kohën e tashme përpos nëse e ka obligim…, ku detyrat duhet t’i vazhdojë domosdoshmërisht.

Referimi përmes gojës e mendjes halucinante të personazhit “Vrasësi i Penduar”

Buxhovi përmes gojës së personazhit “Vrasësi i Penduar” deklaron se “qërimi i hesapeve me paqësorët”, ishte detyrë parësore, ngaqë ashtu i hapej rruga rezistencës së armatosur”. Cili do që ta ketë thënë këtë thënie, por që Buxhovi e sjell në këtë pamflet të quajtur roman, vetë realiteti praktik i zhvillimit të ngjarjeve i ka demantuar, sepse deshën apo nuk deshën “paqësorët” lufta kishte për të ndodhë, ashtu siç ndodhi sepse në fakt, siç dihet, tri lufta para luftës së Kosovës kishin ndodhur në ish Jugosllavi. Po Buxhovi këtu i përsërit idetë e veta edhe përmes personazhit të quajtur “Vrasësi i Penduar” dhe i cili akoma nuk e ka kryer misonin e tij. Gjithashtu, për ‘misonarin’, Buxhovi, po përmes “Vrasësit të Penduar” “I dyshimt dhe tradhëtar shpallej kushdo që nuk ishte future nëpër burgjet serbe gjatë viteve të 50-ta, 60-ta dhe veçmas gjatë viteve të 70-ta dhe 80-ta…”! Konkludim të tillë nuk mund të bëjë as edhe një njeri me keqdashje të qëllimtë. Por Buxhovi, përmes “Vrasësit të Penduar” e bën këtë përjashtim, ndonëse një konkludim të tillë, një njeri me mendje të shëndoshë nuk mund të bëj. Pra, a duhet komentuar më tej kjo thënie e bluar kaq trashë? Cili njeri, për cilën periudhë e ka thënë një gjë të tillë, se ‘tradhëtarë’ janë të gjithë ata që s’kanë qenë nëpër burgje? Por Buxhovit kjo i duhet. E din Buxhovi pse i duhet! E fatmirësisht ka edhe njerëz të shumtë që tashmë e dinë pse i duhet kaq shumë Buxhovit, dhe çfarë ka Buxhovi që kruhet kaq shumë rreth termit “tradhëti”?

Shpifjet edhe për shkollat gjatë luftës

Buxhovi më tej potencon përmes gojës së po të njëjtit personazh, edhe këtë, për shkollat dhe zhvillimin e mësmit gjatë luftës “Të pa mbyllura kishin mbetë vetëm shkollat që punonin disi, por tashmë nën mbikqyrjen e komisarëve, të cilët kishin marrë me i kontrollue edhe tekstet shkollore si dhe planprogramin. Nëpër disa shkolla “Komisarët politik”, krye në vete ia dolën me i heqë nga programi shumë autorë të njohur dhe vepra të tyre me arsyetimin se “për tradhëtarët dhe titistët nuk duhet me pasë vend nëpër shkolla…”! Pra për logjikën e Buxhovit në kohën kur luftimet zhvlloheshin në Kosovë, paska pasur njeri, të cilit i ka shkuar mendja edhe për zhvillimin e arsimit, përkatësisht funksionimin e shkollave, e madje edhe për t’u marrë me planprograme shkollore, e madje madje edhe me “tradhëtarët dhe titistët”… Po kush ja ha këtë çervish Buxhovit? Buxhovi si titist, as gjatë asaj kohe nuk ka qenë i përfshirë në planprogram shkollor me asnjë vepër të tij. Por në këtë pamflet Buxhovi, “Vrasësin e Penduar” e bën hero, intelektual parekselancë, ndërkohë që dihet që po ky “Vrasësi i Penduar” është në procese gjyqësore si dëshmitar në Hagë. Prandaj, qëllimisht rreth këtij far personazhi nuk po zgjatëm në këtë rast.

Parullat e viteve 80-ta, Buxhovin e pengojnë edhe sot

Mosdurimin e njerëzve që kanë shpërndarë parulla gjatë viteve të 80-ta Buxhovi e shpreh kështu: “… se ata që deri dje shpërndanin parulla marksiste-leniniste jashtë, dhe brenda vendit, tash me parullat gjoja për bashkim kombëtar, kanë nisë luftën vendimtare kundër intelektualëve dhe gjithë atyre që i prijnë lëvizjes kombëtare që nga viti 1980 e deri këtej…” Për Buxhovin siç shihet historia fillon nga koha kur Buxhovi ka hyrë në LDK. Sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo për sa u tha, përpos ideologjisë majtiste, të cilën Buxhovi vazhdimisht e mban në gojë, madje edhe si parullë revolucionare nga pionerët e shokut Tito, gjatë “luftimit” të kësaj farë ideologjie të imagjinuar të tij, si aleat të “natyrshëm” të këtyre të “majtëve”, Buxhovi e përmend edhe faktorin religjioz (islami politik). Edhe Jovan Cvijiqi po të bënte kësi lloj formulimesh nuk do t’ia arrinte kaq mbrapsht dhe kaq mjegullt. Madje as Vasa Çubrilloviqi.

Buxhovi klith duke përsëritur e stërpërseritur gjëra të paqëndrueshme…

Nga shumëçka që u tha deri më tani, shumë gjëra janë të përsëritura, e të stërpërsëritura, herë me gojën e ndonjë personazhi, herë duke u mbështetur në ndonjë personazh tjetër, e herë duke u thirrur edhe në ndonjë shërbim si BND-ja. Nuk përjashtohet mundësia që edhe nga BND-ja të jetë “bombarduar” me informata nga ndonjë serb, pa çka se ka mundur të mbulohet nën siglën e ndonjë shërbimi. Por është e pamundur për ta besuar se BND-ja paskësh pasur mundësi të besonte se… “në radhët e këtyre aktivistëve (për LPK-në është fjala – vërejtja ime) janë infiltruar edhe militantët e enverizmit si dhe stalinistë të drejtuar nga Moska, e cila ishte e përkushtuar që atje të krijonte rrethana të cilat do t’i shkojnë përshtati, që pas vdekjes së Titos, Jugosllavia dhe Shqipëria të kthehen në sferën sovjetike”…!!! Pra këtu e ka fjalën autori për demonstratat e vitit 1968 dhe vitit 1981 për Kosovën Republikë e që kjo kërkesë qenka komprometuar se “në këtë mënyrë përkonte me politikën serbe të Beogradit ndaj kësaj çështjeje”…! Pra, për Buxhovin Republika e Kosovës paskësh pasur mundësi që ta kthente Jugosllavinë nga Moska! Ndërkohë që rrethanat po shkonin në drejtim të shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik, gjë që ndodhi, ndërsa Serbia shpirtërisht akoma vazhdon të jetë e lidhur me Moskën. Pra, asnjë republikë tjetër ish-jugosllave, nuk u kthye nga Moska.

Cila do të ishte arsyeja sipas Buxhovit që Kosova apo Shqipëria të kthehej nga Moska, kur dihet se Shqipëria nga Moska u nda qysh më 1960. E gjithë kjo propagandë siç është thënë më lartë është përtypur e ripërtypur edhe nga një gazetë në Kosovë, përmes ndonjë kalemgjiu të tipit të Buxhovit. Dhe jo vetëm kaq! Propagandë të tillë paraprakisht bënte UDB-ja, ku në shumë raste pas shkrimeve të gazetave serbe kundër UÇK-së dhe pjesëtarëve të saj, pas disa ditësh, të njëjtat mendime shpreheshin në gjuhën shqipe edhe në këtë gazetë. Dhe tashmë si maja e së keqes në mënyrë të sintetizuar, është munduar dhe stërmunduar Buxhovi ta bëjë këtë pamflet politik, për t’i thënë të njëjtat gjëra, për ta vazhduar misionin e njëjtë, me mjete të ndryshme, për qëllimin e njëjtë.

 

(Vazhdon…)

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Ndihma në artikuj ushqimorë për stafin e Radios-Kosova e Lirë (E hënë 12 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Ndihma në artikuj ushqimorë për stafin e Radios-Kosova e Lirë (E hënë 12 prill, 1999)

Jam zgjuar i lodhur dhe i mërzitur tejmase. Sapo ndahem nga gjumi  dhe kontaktoj me …