Brickos

Bedri Halimi

Bedri Halimi: “Misioni B” i Jusuf Buxhovit përmes të ashtuquajturit roman “Dosja B”  XVI

Cili është halli i Buxhovit

Të njolloset me çdo kusht kombëtarja sepse Buxhovi ka frikë nga këta, ngase ekziston rreziku që siç thekson “ndonëse me parullat e “Bashkimit Kombëtar” dhe të “Çlirimit Kombëtar”, edhe më tutje kanë mbetur të lidhur me Beogradin, po edhe me Tiranën”… Ekzistimi i kësaj fryme, sado që mundohet ta përbaltë bashkë me Beogradin, e tmerron Buxhovin dhe buxhovanat si ky. Por ç’ti bësh? Kjo frymë do të ekzistojë deri sa të ekzistojnë shqiptarët, në venat e të cilëve rrjedh gjaku i pastër shqiptar.

Buxhovi në këtë “roman” tregohet shumë i etshëm, për të shkruar kundër Shqipërisë, shumë i vullnetshëm sa nuk përjeton orgazëm. Atij i pengon shumë çdo institucion i shtetit shqiptar. Në cilëndo kohë. Prandaj i pengon edhe shërbimi i sigurimit të këtij shteti, sepse këta, sipas tij qenkëshin lidhur me të ‘majtët’ e Kosovës për ta orientuar shtetin e Kosovës nga Moska.

Në funksion të luftimit të veprimtarëve të çështjes kombëtare, luftëtarëve të lirisë – pjesëtarëve të UÇK-së ai konkludon “Me direktiva të bosëve të tyre, sigurimi i shtetit shqiptar, që tashmë me kolegët e tyre të deridjeshëm nga Moska, Bukureshti, Beogradi dhe gjetiu kanë krijuar një rrjet ndërkombëtar të krimit të organizuar, janë përfshirë në klanet e mafisë e drogës, të prostitucionit, të armëve e deri te trafikimi me qenie njerëzore…” pra këtu konkludon sërish njëjtë si Dik Marti, që dihet nga i mori ‘informatat’ – nga Moska e Beogradi, por këtu qëllimisht i përzien kriminelët ordinerë ku ka mundur të ketë ndonjë shqiptar që është marrë me drogë, prostitucion etj., por që këta nuk kanë asgjë të përbashkët me luftën për çlirimin e Kosovës. Prandaj të kota janë përpjekjet e kujtdo qoftë për të lidhur veprimtarinë kombëtare me njerëzit e krimit. Në këtë propagandë, madje thuhet se pjesëtarët e UÇK-së qenkan marrë edhe me biznes me armë, shumë nga të cilat qenkan blerë edhe nga armata jugosllave… këtu edhe propagandën e ndonjë luftëtari të UÇK-së, gjatë luftës, Buxhovi e merr për të mirëqenë, sepse kështu i konvenon. Pra Serbia shet armë te shqiptarët, përkatsisht te pjesëtarët e UÇK-së për ta luftuar vetë Serbinë! Kush e beson një gjë të tillë, pos Buxhovit natyrisht, të cilën edhe pse e shkruan, as vetë nuk e beson.

Më tej si duket kur Buxhovin nuk e zë gjumi pas shkrimeve të shpifjeve të tilla, çohet dhe e vazhdon shkrimin i cili i ngjason bërtimave të ndonjë fanatiku të LDK-së së atëhershme, që çirrej gjatë fushatës elektorale për vrasjen e aktivistëve të saj, duke e fajësuar SHIK-un, duke e identifikuar çdo gjë me SHIK-un (ndërkohë që dihet se SHIK-u nuk ka vepruar jashtë dijes së faktorëve ndërkombëtarë, përderisa udhëheqësi i saj doli publikisht në vitin 2008 për ta shpallur ndërprerjen e aktivitetit dhe shuarjen e këtij institucioni.

Dhe pas zgjedhjeve çdo gjë harrohej për t’u ripërsëritur e njëjta këngë në zgjedhjet e radhës. Ndërkohë, dihet se edhe LDK-ja ishte në bashkëqeverisje me “partinë e SHIK-ut”. Po nuk është çudi nëse Buxhovi i shpall pjesëtarë të SHIK-ut të gjithë ata personalitete të LDK-së që kanë qeverisur me “partinë e SHIK-ut”.

Zhgënjimi përfundimtar i Buxhovit

Buxhovi më në fund nuk e mbyll i gëzuar këtë “roman” përkatësisht këtë pamflet politik, ngase sipas tij, edhe hetuesit e UNMIK-ut si dhe ata të EULEX-it, nuk janë treguar në nivelin e detyrave, dhe si rrjedhojë, personazhi i Buxhovit, demonstrativisht e lëshon Kosovën dhe kthehet në Gjermani.

Në vend të epilogut

 

MESAZHI I LUFTËS SË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS

Një luftë pa mesazh i ngjan një shtëpie pa kulm e cila sado mirë të jetë bërë, po s’iu vu kulmi, me kohë shirat e vjeshtës e dobësojnë, kurse furtunat e dimrit plot borë e acar mund ta marrin atë me vete përgjithmonë. Kështu, për të mos ndodhur kjo, mesazhi që do ta ripotencojmë në vijim, bëhet edhe më kuptimplotë, kur kihet parasysh se tani dy decenie pas ndodhjes së Luftës Çlirimtare të Kosovës të bërë nga UÇK-ja, mbi të, pos lavdisë së merituar, në kundërshtim me realitetin historik, hidhet baltë nga brenda e nga jashtë.

Nga ana tjetër, as konteksti themelor i vetë ndodhjes së Luftës Çlirimtare, ai i të drejtës së Kosovës për Vetëvendosje, në çka u thirr UÇK-ja, po për shkaqe të jashtme e të brendshme, ndonëse gjendet drejtë realizimit, ai ende nuk është realizuar, kurse zhvlerësimi i luftës së bërë, të drejtën e këtillë e dobëson edhe më shumë. Me fjalë të tjera, po të ikë UÇK-ja, siç po punojnë për këtë ditë e natë ca shqiptarë si Buxhovi, ajo nuk ikë vetëm, por bashkë me kërkesën e saj politike, kontekstin historik të pavarësimit të Kosovës, me ç’rast shkaku dhe pasoja do të neutralizonin njëra-tjetrën duke rënë në pikën zero, dhe kjo do të thotë mbetje e Kosovës sërish nën Serbi.

Por edhe sikur të arrihet qëllimi themelor i Luftës Çlirimtare, ai i vetëvendosjes së Kosovës në saje të influencës së ndonjërit nga faktorët e jashtëm të fuqishëm, e të cilit Kosova ta zëmë se për një kohë do t’i duhej si një pikë gjeo-politiko-strategjike për interesat e saj, kjo jo vetëm që praktikisht vështirë mund të ndodhë, por edhe sikur të ndodhë, pasojat e zhvlerësimit të luftës së UÇK-së, edhe në këto rrethana do të ishin të pallogaritshme për kombin shqiptar. Pasojat e këtilla të zhvlerësimit, në kuptimin se “s’ka ç’na duhet UÇK-ja, as në histori, e edhe ashtu ia kam inati”, do të ishin të shumëfishta, por dy-tre prej tyre si shumë të mundshme për të ndodhur, do t’i sillnin kombit shqiptar dëme të pallogaritshme:

E para, zhvlerësimi i këtillë do të mund të çonte për një kohë në një luftë shumë të rrezikshme vëllavrasëse midis shqiptarësh në Kosovë e më gjerë, me ç’rast edhe liria dhe shteti i fituar kësisoj, jo vetëm që do të zhvlerësoheshin, por do të ktheheshin në mallkim, kurse shqiptarët brenda shtetit të Kosovës do të silleshin si shtetshformues;

E dyta, zhvlerësimi i këtillë i UÇK-së, do të krijonte te shqiptarët njëkohësisht edhe mendimin e gabuar (e po aq të rrezikshëm sa edhe lufta vëllavrasëse), sipas të cilit “edhe liria dhe shteti më në fund erdhën vetë”. Kështu, duke pasur parasysh se mendimi i këtillë, do të ishte i barabartë me pikën zero të mendimit politik të një kombi, edhe pasojat që do të dilnin prej tij do të ishin marramendëse, sepse në këto rrethana, me shqiptarët të cilët mohojnë edhe gjakun dhe historinë e tyre, duke u sjellë me ta armiqtë e shumtë që kanë si me një të dehur, do të bënte që e tërë bota të luante me ta, kurse Serbia e cila së pakut edhe një shekull pas shkëputjes definitive të Kosovës prej saj, jo vetëm që do të vazhdojë të ketë iluzione për rikthimin e saj, por herë pas here, duke shfrytëzuar momentin kur interesi gjeo-politiko-strategjik i superfuqisë së imagjinuar të arrijë pikën zero (sepse asnjë interes nuk mbetet i përjetshëm), ajo me të gjitha mjetet do t’i përvishej rikthimit të Kosovës brenda saj.

E treta, zhvlerësimi i luftës së UÇK-së do të ishte një akt i rëndë antihistorik dhe një vetëdënim që një komb i mashtruar për një moment ia shqipton vetës. Siç dihet nga historia, popujt-kombet të cilët për një moment janë sjellë në raport me vetën antihistorikisht, edhe kur kanë pasur shtetin e kanë humbur atë, kurse popujt që s’e kanë shtetin dhe tentojnë ta bëjnë atë, as që kanë shansin ta bëjnë.

Për këto arsye, zhvlerësimi i luftës së UÇK-së, siç thamë më lartë, shkon me zhvlerësimin e kërkesës së saj politike për krijimin e shtetit të Kosovës, prandaj jo vetëm për hir të së vërtetës historike, por edhe për hir të shtetkrijimit, ne shqiptarët (ata që e kanë bërë këtë luftë, ata që e kanë ndihmuar e bile edhe ata që e kanë penguar atë), duhet ta theksojnë rolin historik të UÇK-së, si dhe ta mbrojmë me krenari e dinjitet Luftën Çlirimtare të Kosovës dhe bartësen e saj legjitime UÇK-në, nga kushdo që nga padija ose nga armiqësia vë dorë mbi të.

Kështu memorimi objektiv i Luftës Çlirimtare në formë librash me karakter historiografik e analitik nga autorë të huaj (mbi tridhjetë tituj në gjuhën gjermane e po aq në atë angleze) ka ndodhur. Në njëfarë mase memorimi i tillë historiko-politik i Luftës Çlirimtare edhe nga autorë shqiptarë ka ndodhur, por jo mjaft sa do të duhej e si do të duhej. Ajo që do të duhej të cekej me forcë dhe që qëndron historikisht kur shkruajmë e flasim për UÇK-në, do të ishte sqarimi i karakterit të pastër nacional-çlirimtar të saj, në mënyrë që mos të lejohet që, inatçorët, antikombëtarët e antishqiptarët e kallëpeve të ndryshëm, karakterin kombëtar e çlirimtar të UÇK-së ta falsifikojnë duke e ndryshuar nga kombëtar në ideologjik, sepse jemi dëshmitarë të përpjekjeve të këtilla.

Dhe jo vetëm kaq!

Thekse nga reagimi i Hysen Gegës ndaj Jusuf Buxhovit më 26 janar 2014

(Reagim ndaj deklaratave antikombëtare dhe antinjerëzore të Jusuf Buxhovit, të dhëna më datën 22 janar 2014, në emisionin “Rubikon” të televizionit KTV)

Pasi e përcolla me vëmendje intervistën e z. Jusuf Buxhovi në emisionin “Rubikon” të telëvizionit KTV më datën 22 janar 2014, kam menduar gjatë nëse do të duhej të reagoja apo jo, pasi Buxhovi sërish u mor me emrin tim, duke gënjyer sikur sa e sa herë të tjera në përpjekjet e tija të dëshpëruara për të shpëlarë diç nga biografia tij e pistë. Në fakt, nuk do të isha ulur për ta shkruar këtë reagim sikur gjatë intervistës Buxhovi të merrej vetëm me emrin tim, dhe vetëm me akuzat të cilat m’i ka bërë tash e më shumë se 20 vjet, por ai bëri edhe disa akuza të tjera të cilat nuk i ka bërë më keq as vet kasapi i Ballkanit, Millosheviqi – gjatë misionit të tij kriminal për t’i shfarosur shqiptarët, dhe para këtyre akuzave të poshtra nuk munda të hesht dot. Në këtë intervistë Buxhovi tha se të gjithë ata që qenë pjesë e organizatave atdhetare, që i organizuan demonstratat gjithëpopullore kundër Jugosllavisë më 1981 dhe e bënë luftën për çlirimin e Kosovës më 1998-99, për të nuk janë gjë tjetër – pos terroristë. Kjo është një akuzë nga më të egrat dhe më antikombëtaret që ka mundur ta bëjë dikush ndonjëherë, dhe për këtë do të duhej të viheshin në lëvizje organet e akuzës.

Po ashtu, në këtë rast Buxhovi bëri dëshmi me gojë të vet se ai ka qenë dhe vazhdon të jetë një pro-serb i hapur, sepse për vrasjen e shokëve tanë të idealit, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, mendon njëjtë sikur ish-nomeklatura titiste dhe udbashe, se vrasja e tyre kishte qenë “qërim hesapesh mes bandash kriminale shqiptare”. Në fakt, ky kishte qenë lajmi zyrtar i TANJUG-ut jugosllav më 18 janar 1982 që e citonte gazeta “Rilindja” (faksimilin e këtij lajmi botuar në gazetën “Rilindja” më 18 janar 1982, e kam lexuar shumë më vonë, sepse në atë kohë nuk kam pasur mundësi ta lexoj, sepse kam qenë në burg).

Pra, për vrasjen e Gërvallajve dhe të Kadri Zekës, Buxhovi ndan sot mendim të njëjtë sikur dikur policia sekrete jugosllave. E, tashti, kush mund të më bind mua se këtë lajm dhe këtë komunikatë të policisë sekrete jugosllave nuk e ka shkruar dhe nuk e ka konstruktuar vetë Jusuf Buxhovi? Akuza të kësaj natyre doemos do t’i kenë shkuar për shtati Karla Del Pontes dhe Dik Martit, kur ata i hartuan elaboratet moderne antishqiptare duke e inkriminuar luftën e UÇK-së.
Tashti po dal tek çështja e raporteve të mia me Jusuf Buxhovin, për ta dëshmuar edhe një herë një të vërtetë të madhe të cilën nuk mund ta mohojë për jetë të jetëve ish-polici i UDB-së, Jusuf Buxhovi.
Gjatë hetimeve që janë zhvilluar ndaj meje në zyrat e UDB-së në Prishtinë (pas arrestimit tim më 31 dhjetor 1980), përveç Mehmet Lumit, Lorenc Selmanit, më ka intervistuar edhe Jusuf Buxhovi, të cilin e dija për gazetar që raportonte nga Boni i Gjermanisë. Jusuf Buxhovi, me këtë rast, përveç tjerash, bashkë me inspektorët e tjerë të UDB-së, gjatë gjithë kohës ai i fyente dhe i mallkonte Gërvallajt dhe Ibrahim Kelmendin. I quante armiq të Jugosllavisë dhe bashkëpunëtorë të regjimit të Shqipërisë. Po ashtu, nga kjo bisedë kuptova se Buxhovi kishte qenë i informuar në detaje me aktivitetin e Lëvizjes në Perëndim, duke më thënë se i kishte përcjellë dhe i kishte raportuar lëvizjet dhe punët e mia dhe të shokëve të mi: Jusuf Gëvallës, Bardhosh Gërvallës, Ibrahim Kelmendit dhe të tjerëve.

Me anë të këtij reagimi publik, për hir të së vërtetës historike, edhe një herë dua të dëshmoj publikisht se, kontaktin tjetër me Jusuf Buxhovin e kam pasur në vitin 1991 pas daljes nga burgu, në një takim ku jam ballafaquar verbalisht me Buxhovin për t’i sqaruar marrëdhëniet tona. Me sa mbaj mend këtë ballafaqim e kishte ideuar Bujar Bukoshi, ndërsa në takim ka qenë Kadri Bala, ish-sekretar i Degës së LDK-së në Suharekë.

Më duhet të them se Buxhovi, si i pafytyrë që është, gënjeu në intervistën tek “Rubikoni”, kur tha se unë kinse u paskësha zënë ngushtë dhe kinse gati sa nuk paskësha qarë (…) Së pari – dua t’i them Buxhovit se unë jam përballur me sfida të rënda njerëzore në jetë, të rrezikshme, me dhunë barbare, me kërcënime, me tyta bajonetash në fyt – por kurrë s’jam dhënë, e aq më pak të zihem ngushtë para një palo-burri siç ishte Buxhovi. Se në atë ballafaqim unë nuk i kam kërkuar falje Buxhovit dhe as që më ka shkuar mendja për një gjë të tillë, unë kam dëshmitar z. Kadri Bala.
Në intervistën tek “Rubikoni”, mes përpëlitjeve të dëshpëruara në të cilat e ka hedhur ky akt qyqar dhe i lig, Buxhovi ndryshoi deklaratën nga ajo e vitit 1991. Tha se në atë datë kur më kishte intervistuar si hetues, në cilësinë e gazetarit paskësh qenë bashkë me Fadil Hoxhën në një vizitë zyrtare në Afrikë (…), ndërsa në ballafaqimin e vitit 1991 pati thënë se kishte qenë në vizitë zyrtare në Indokinë (…). Dale more burrë, se Afrika është e madhe, në cilin vend konkretisht paske qenë!? Gënjeve më 1991, tani, apo në të dyja rastet?

 

PS

Nga kureshtja, e kërkova këtë emision që ta ridëgjoja edhe unë (Bedri Halimi), por nuk e gjeta, sepse KTV e kishte shlyer. Qëndronte vetëm një lajmërim rreth emisionit dhe asgjë më shumë.

 Fund

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Forcat armike ndërmarrin ofensivë në tërë territorin e Kosovë të përfshirë në luftime. Në mbrojtje të pozicioneve tona në Gradinë bien pesë dëshmorë. Forcat serbe nuk arrijnë të depërtojnë në Rrafshnaltë. (E diel 18 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Forcat armike ndërmarrin ofensivë në tërë territorin e Kosovë të përfshirë në luftime. Në mbrojtje të pozicioneve tona në Gradinë bien pesë dëshmorë. Forcat serbe nuk arrijnë të depërtojnë në Rrafshnaltë. (E diel 18 prill, 1999)

Herët në mëngjes jemi zgjuar në befasi nga breshëria tejet e akorduar dhe e gjith …