Bedri Hamza: PDK-ja hyn në zgjedhje të brendshme, kthimi i Thaçit dhe Veselit do të sillte

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se partinë e presin dy procese të rëndësishme në periudhën e ardhshme: zgjedhjet e brendshme partiake dhe vendimi i pritshëm i Gjykatës Speciale në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një konferencë për media, një ditë pas zgjedhjeve parlamentare, Hamza tha se procesi zgjedhor brenda PDK-së tashmë ka nisur dhe do të zhvillohet në mënyrë serioze në të gjitha nivelet organizative. Ai theksoi se, pavarësisht mandatit të plotë që gëzon si kryetar, gara do të jetë e hapur për të gjitha pozitat, përfshirë edhe postin e kryetarit të partisë. “Gara do të jetë e hapur në të gjitha nivelet, prej nëndegëve, degëve, për Kuvendin, për Këshillin Drejtues dhe për kryetarin”, deklaroi Hamza. Duke folur për procesin në Hagë, ai tha se PDK-ja pret që aktgjykimi ndaj Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së të shpallet brenda pak javësh dhe të jetë vendim lirues. “Presim që të jetë një vendim lirues. Nuk ka asnjë arsye që vendimi të mos jetë lirues”, u shpreh ai. Sipas Hamzës, rikthimi i ish-udhëheqësve të UÇK-së në Kosovë do të kishte ndikim të madh jo vetëm në jetën publike, por edhe në vetë PDK-në. Hamza theksoi se pret një vendim të drejtë nga gjykata, ndërsa shmangu çdo paragjykim lidhur me rolin e ardhshëm politik të ish-krerëve të UÇK-së.

Kontrolloni gjithashtu

FSK-ja nderon viktimat e 11 Shtatorit, flamujt ulen në gjysmë shtizë në të gjitha kazermat

Forca e Sigurisë së Kosovës ka nderuar viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 …