Bedri Islami

Bedri Islami: Aktgjykimi ndaj krerëve të UÇK-së është i papranueshëm, Shqipëria duhet të angazhohet më fuqishëm

Ish-kryetari i Lëvizjes Popullore të Kosovës, Bedri Islami, e ka cilësuar të rëndë, disproporcional dhe të papranueshëm aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Në një intervistë për “Euronews Albania”, Islami tha se vendimi ka krijuar, sipas tij, një precedent shqetësues dhe kundërshtoi pretendimin se katër ish-drejtuesit e UÇK-së kishin kontroll absolut mbi të gjitha strukturat dhe veprimet në terren. Ai argumentoi se UÇK-ja ishte një formacion gueril që u zhvillua në rrethana lufte dhe se një kontroll i plotë hierarkik i çdo njësie nuk mund të merrej si i mirëqenë. Islami, i cili tha se i njeh nga afër të katër të dënuarit dhe ka bashkëpunuar me ta gjatë luftës, deklaroi se ata kishin ndërhyrë kur kishin marrë informacion për ndalime të paligjshme apo trajtime jonjerëzore të të ndaluarve. Duke folur për fazën e ardhshme të procesit, ai e konsideroi apelin si betejën kryesore për kundërshtimin e aktgjykimit dhe përmendi raste të mëparshme të drejtësisë ndërkombëtare, përfshirë atë të gjeneralit kroat Ante Gotovina, ku vendimi i shkallës së parë ishte ndryshuar në apel. Islami kërkoi gjithashtu një angazhim më të madh institucional dhe diplomatik nga Kosova dhe Shqipëria, duke theksuar se Shqipëria duhet të angazhohet më fuqishëm në çështjet që lidhen me procesin. Sipas tij, institucionet shqiptare duhet të japin kontribut konkret në analizimin e aktgjykimit dhe në mbështetjen e ekipeve mbrojtëse. “Është detyrë e Shqipërisë tani të futet në këtë lojë më fuqishëm, jo vetëm me deklarata politike”, tha Islami, duke kërkuar që angazhimi të jetë konkret dhe institucional. Ai u shpreh gjithashtu optimist për mundësinë e ndryshimit të aktgjykimit në procedurat e apelit.

Kontrolloni gjithashtu

Joaquín Urías, vë në pikëpyetje drejtësinë e Hagës: A u përdor ligji si mbulesë për politikën?

Profesori spanjoll i së Drejtës Kushtetuese, Joaquín Urías, ka ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën …