Hysni Gucati: OVL-UÇK do të mbështesë protestat paqësore, kërkojmë shfuqizimin e Gjykatës Speciale

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar se OVL-UÇK do të mbështesë çdo iniciativë për protesta popullore, duke theksuar se ato duhet të zhvillohen në mënyrë paqësore dhe pa dhunë. Gucati tha se organizata që ai drejton do ta përkrahë edhe protestën e studentëve, ndërsa bëri të ditur se në mbledhjen e kryesisë do të diskutohet për organizimin e protestave të veteranëve. “Organizatat e dala nga lufta, organizata e veteranëve gjithmonë do të jetë në mbështetje të çdo iniciative të protestës popullore”, tha Gucati, duke theksuar se Kosova nuk duhet të dëmtohet apo të përfshihet në dhunë, pasi, sipas tij, ajo është ndërtuar me gjakun dhe sakrificën e luftëtarëve dhe qytetarëve të saj. Ai paralajmëroi se OVL-UÇK nuk do të ndalet me protesta deri në arritjen e suksesit, siç u shpreh ai. Gucati foli edhe për nismën e Partisë Demokratike të Kosovës për plotësim-ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë, duke e konsideruar atë një hap pozitiv, por tha se qëndrimi i OVL-UÇK-së është më i gjerë dhe synon shfuqizimin e plotë të Gjykatës Speciale. Ai tha se OVL-UÇK tashmë ka paraqitur pesë pikat e saj dhe u bëri thirrje të gjitha partive politike që të bashkohen rreth kësaj kërkese. “Është mirë të gjitha partitë të jenë në unifikim tash, bashkërisht ta shfuqizojnë Gjykatën Speciale”, deklaroi Gucati, duke u bërë thirrje deputetëve që të mos kenë frikë dhe duke shprehur gatishmërinë e veteranëve për t’i mbështetur në këtë nismë.

Kontrolloni gjithashtu

Charles Kupchan: Ideja e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është gjëja e duhur për marrëveshje

Charles Kupchan: Trashëgimia e Thaçit do të lidhet edhe me aktgjykimin e Hagës

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte një prej figurave me të cilat Shtetet e Bashkuara …