PDK-ja procedon në Kuvend projektligjin për Specialen, Hamza: Të përcaktohet qartë juridiksioni i saj

Partia Demokratike e Kosovës ka proceduar sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për gjykatën speciale dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Nisma vjen pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, vendim të cilin PDK-ja e ka kundërshtuar publikisht. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se projektligji nuk synon mbylljen e Dhomave të Specializuara dhe as ndalimin e hetimit të çështjeve për të cilat ato janë krijuar, por përcaktimin më të qartë të mandatit dhe juridiksionit të tyre. Sipas Hamzës, pretendimet për trafikim të organeve njerëzore dhe krimet kundër njerëzimit do të vazhdojnë të jenë pjesë e mandatit të Dhomave, ndërsa nisma synon që akuzat e trajtuara të kenë lidhje konkrete me mandatin për të cilin është krijuar ky mekanizëm. Hamza tha se kjo është edhe çështje e përgjegjësisë ligjvënëse të Kuvendit të Kosovës, duke iu referuar Amendamentit nr. 24 të Kushtetutës dhe Aktgjykimit KO26/15 të Gjykatës Kushtetuese. Në vendimin KO26/15, Gjykata Kushtetuese kishte vlerësuar se struktura, fushëveprimi i juridiksionit dhe funksionimi i Dhomave të Specializuara do të rregulloheshin me ligje të mëtejshme në përputhje me Kushtetutën. PDK-ja ka bërë të ditur se ka kërkuar mbështetjen e subjekteve të tjera parlamentare për këtë nismë, ndërsa Hamza u ka bërë thirrje partive që ta mbështesin projektligjin në procedurat e Kuvendit. Sipas PDK-së, nisma synon që në fazat e mëtejshme të procesit të respektohen standardet e drejtësisë dhe të qartësohen dispozitat ligjore që rregullojnë funksionimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Kontrolloni gjithashtu

Charles Kupchan: Ideja e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është gjëja e duhur për marrëveshje

Charles Kupchan: Trashëgimia e Thaçit do të lidhet edhe me aktgjykimin e Hagës

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte një prej figurave me të cilat Shtetet e Bashkuara …