Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e ish presidentit Trump përsëri në Shtëpinë e Bardhë. Nuk dihet me siguri se cilët janë më të joshur nga fitorja e së martës, republikanët në Amerikë apo opozitarët në Shqipëri.

Socialistët, nga ana tjetër, janë të heshtur, dëshira e tyre e fshehtë apo e hapur, pavarësisht heshtjes së detyruar të shefit të qeverisë, do të ishte që qeveria e tanishme amerikane të vazhdonte të qeveriste.

Vendqëndrimi i politikës, si shenjë që përmes kësaj do të mund të qeverisej më lehtësisht, ndërlidhjet e kaq viteve mes qeverisë së majtë dhe qendrës së vendosjes në SHBA, ishte lehtësisht më i pëlqyer i së majtës, qoftë edhe për faktin se opozita, me padurimin e ankthin e së nesërmes, priste pikërisht ndryshimin e lidershipit amerikan.

Sido që të jetë, festa në godinën kryesore të opozitës është ende në pikun e saj, dhe, si ndodh në këto raste, gjithë shpresat janë mbështetur aty. Koha e mbetur nga tani e deri në zgjedhjet e ardhshme politike në Shqipëri do të jetë e mbushur me ankthin e pritjes së vendimeve mbështetëse. Ngazëllimi se, pas kësaj dite do të mbyllen gjithë proceset gjyqësore, do të shpallen të gjithë opozitarët të pafajshëm, se mund të ketë një amnisti për gjithë çka ndodhur, që nga Gërdeci, 21 janari, abuzimet, krijimin e një linje të furishme antiamerikane në jetën politike të opozitës, të gjitha këto, në pak ditë, do të jenë në harresën e viteve dhe se, sistemi i drejtësisë do të bjerë si një grumbull kashte, që, edhe potë digjet kjo kashtë, askush nuk do të mund të ngrohë as duart.

Opozita ka pritur këtë ditë. Më shumë se sa vetë republikanët amerikanë. Të duket sikur atyre iu është afruar vetë Shtëpia e Bardhë dhe jo, ajo që mund të jetë  e pritshme në më realistët, krijimin e një lidhje më të arsyeshme me Departamentin Amerikan të Shtetit.

Në fakt, janë në të drejtën e tyre. Prej gati 12 viteve në opozitë, me goditje të një pas njëshme, më shumë politike, se sa ligjore, të bindur se kanë krijuar më në fund një fond politik ku mund të mbështeten, kanë pritur këtë rikthim sie vetmja shpresë që gjithçka mund të ndryshojë, dhe, duke marrë përsipër shembullin amerikan, edhe njeriu i tyre, një ditë ose një tjetër, mund të kthehet përsëri në godinën kryeministrore.

Kush nusërojë një herë, mund të nusërojë përsëri, mendohet në kampin e pozitës, të cilët, si në dëlir kanë nisur të hedhin fishekzjarrët e fitores në oborrin e tyre , të sjellin deklarata që më shumë u ngjajnë gëzimit të atyre që mendojnë se kanë në duar një karamele, dhe, më në fund, kanë gjetur shansin për të mbajtur veten në lojën e vështirë të politikës.

Të gjithë krahasimet çalojnë, thonë gjermanët, dhe nuk e kam ndër mend të prish gëzimin e opozitarëve dhe as që e kam këtë mundësi.

Dëshira e opozitës për të njësuar në një figurën e presidentit të tanishëm Trump dhe të liderit të tyre, Berishës, aq sa është e ligjshme, sepse 12 vite në opozitë janë shumë për këdo që është mësuar të rikthehet herë pas here në pushtet, por, po aq, në mos më shumë, mund të jetë edhe zhgënjimi që sjell disfata e mundshme.

Në Shtetet e Bashkuara u arrit një kthesë e pa dëgjuar më parë, njeriu i një mijë e një mëkateve, nga më të rëndat deri në banalet, që për shumë kënd mund të ishte i dënuari më i famshëm i botës , do të jetë përsëri Ai që do të udhëheqë një pjesë të rëndësishme të botës, në sfidat e panumërta të saj, ku ai mund të sjellë befasi që do të kishin tronditur botën.

Sidoqoftë, ajo që tërhoqi njerëzit rreth tij nuk ishte thjeshtë figura e një biznesmeni kontradiktor, por e kundërta e tij – njeriu që deri dje ishte në Shtëpinë e Bardhë , presidenti aktual Biden, rrënoi gjithë atë staturë që kishin ngritur figura të mëdha të demokratëve amerikanë.

Nuk ishte mosha që vendosi, por rëndesa e njërit dhe vrulli i tjetrit, që, kur i pari u ndërrua me ndihmësen e tij më të afërt, në demokratët ndërroi karroca, por jo kuajt që do e tërhiqnin atë drejt fitores.

Në Shqipëri, megjithëse opozita tani është mbledhur rreth një figure politike, në të cilën besojnë se është e vetmja që mund të rrëzojë nga pushteti të majtën, hesapet janë të mangëta dhe , zëri i mjaft figurave mediale rreh tyre, që duan të sjellin të përbashkëtat, në të vërtetë do të ndikojnë jo pak për të dëmtuar edhe më tej opozitën, që, edhe kështu, është e rrënuar, e pa ngritur nga dëmtimi i vetë vetes, dhe mbi të gjitha, në pritje për të marrë një sinjal të domosdoshëm nga Departamenti Amerikan i Shtetit, heqjen e “ non gratave” të familjes së ish kryeministrit. Ky është shansi i fundit i ish kryeministrit dhe familjes së tij. Sinjalet që janë dhënë para zgjedhjeve, nga funksionarë të rëndësishëm të stafit të presidentit të tanishëm, që edhe mund të drejtojnë pjesë të ndryshme të shtetit, mund të kenë ngjallur shpresa, që mund të kthehen në zhgënjime marrëzie.

Gjithçka mund të ndodhë, por, sado të ketë lëvizje të ndryshme politike apo pezullim të vendimeve, gjërat që kanë ndodhur nuk harrohen në mjedisin shqiptar, krijimi i klimës anti perëndimore do të vazhdojë të ndikojë, proceset e mëdha do të vazhdojnë, në mos në sistemin e drejtësisë, në memorien qytetare, të vrarët nuk do  të ri ngrihen, bëmat nuk do të kalojnë në harresë.

Kushdo të jetë në Shtëpinë e Bardhë, boshti i së vërtetës është e vështirë të ndryshojë. Ata që mendojnë kq lehtësisht se, pas kësaj dite, çdo gjë në Shqipëri do të ndryshojë, mund të jenë aq të gabuar, sa që , kur të vijnë në vete, do të jetë  e vështirë të marrin veten.

Vendimi i qytetarëve amerikanë për të ia besuar edhe një herë drejtimin e shtetit të tyre, në mënyrë të papritur për shumë kënd, edhe për analistët më seriozë dhe media të njohura, nuk është se nuk do të ndikojë në jetën politike shqiptare. Duam apo nuk duam, e mohojmë apo jo, e fshehim apo nuk e shohim, politika shqiptare është e lidhur, në një masë të konsiderueshme nga ndërlidhjet me shtetet vendos, aq më tepër me Shtetet e Bashkuara. Presidenti Trump në janar do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Opozitës i duket sikur do të kthehet së bashku.( DITA)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …