Bedri Islami

Bedri Islami: “Revolucioni demokratik” i shpallur me aq bujë nga Sali Berisha tani është veçse një foshnje e vdekur

Protesta e së shtunës e opozitës, megjithëse e pompuar si më e madhja në histori, në të vërtetë ishte e vakët, ndër më të voglat e deritanishme dhe nuk konfirmoi asgjë tjetër, veçse asaj që pritej: atyre që u ka humbur rruga në derën e shtëpisë së tyre, nuk mund të ndërtojnë shtëpi për të tjerët. “Revolucioni demokratik” i shpallur me aq bujë nga Berisha tani është veçse një foshnje e vdekur, e cila nuk mund të ringjallej as pas shëtitjeve të një grupi opozitar rreth katër institucioneve të vendit, shëtitje, e cila, nuk vuri vetullat që priteshin, për më tepër as u përpoq të mbulonte atë që kishte ndodhur vetëm disa minuta më parë: pamjen e një turme të heshtur, që nuk kishte në vete as entuziazmin për të nesërmen dhe as vullnetin për të tashmen; hovin e munguar politik, pasi vetë ardhja e tyre nuk kishte pasur një objekt të caktuar, veç asaj që përsëritet sa herë që kjo opozitë ka humbur pushtetin – (kësaj here “Rama ik!”) – mbi të gjitha nuk ngjante as me protestat e zhvilluara nga pasardhësi  i Berishës, Basha. Përse dështoi një protestë, e cila pritej të ishte ndryshe nga herë të tjera? Çfarë ndodhi që, edhe pse ishin betuar dhe hedhur ide se nuk do të shkuleshin nga sheshi para Kryeministrisë, apo nuk do të lejonin punën e zakonshme të një shefi qeverie, përsëri, pasi mrizuan dy orë, duke dëgjuar të njëjtët, siç ka ndodhur në këto 32 vite, njerëzit u larguan, duke u kujtuar se diku më tej, i pritnin autobusët me të cilët kishin ardhur?

Përse u thirr kjo protestë?

A ishte dështimi i saj një kronikë e paralajmëruar dhe a e dinin vetë organizatorët se gjithçka do të ishte e njëjtë, e zhurmshme, por e pavlerë? Ka disa shkaqe përse nuk ngjizi te njerëzit protesta e së shtunës:

Pseudo kauza

Qeveria Rama në dhjetë vitet e pushtetit të saj, ka lënë pas vetes skandale, ndaj të cilave ia vlen të protestohet dhe të ngulmohet çdo ditë. Që nga harbutëria e pushtetmbajtësve, të cilët pak ose aspak lidhje kanë me të majtën, deri te kthimi i pushtetit në njërin ndër mjetet e vazhdueshme të pasurimit.

Asnjë nga hallet e përditshme, të prekshme, reale, jetësore të njerëzve nuk i ka bërë kauzë të saj opozita e tanishme. Dhe nuk mund t’i bëjë. Pjesa drejtuese e opozitës, me përjashtime të pakta, nuk është asgjë tjetër veçse vazhdim, tejzgjatje e frymës së Berishës, pasurisë së tij, mendimit të tij mbi politikën e dhunshme dhe mungesën e koherencës në përcaktimet politike.

Në vetëdijen politike të Berishës, sa herë që nuk ka qenë në pushtet, shteti dhe pushteti ka qenë fatalisht një qënie armiqësore dhe përjetësisht e egër dhe e kundërt, ndaj duhet luftuar. E gjithë retorika e para protestës ishte e tillë: e dhunshme, e papërmbajtur, skajore, deri në linçim politik e jo vetëm politik.

Ndër të gjitha kauzat e mundshme për të ngritur një protestë – (për fat të keq ende nuk është kuptuar se protesta nuk mund të mbillet nga kjo lloj politike) – opozita gjeti një kauzë që ende nuk është bërë e tillë dhe që, ndoshta nuk do të jetë kurrë e tillë. Një histori që po luhet në një skenë tjetër, ku ende nuk është ngritur as perdja. Ajo mund të sherbejë për vendimmarrjen se cili do të jetë Njëshi, edhe de jure, i kësaj opozite, por nuk mund të rrëmbejë frytin e protestës.

Liderët e protestës që nuk besojnë as njëri-tjetrin

Protesta kishte dy fytyra: njërën dominuese dhe tjetrën në njërën qoshe të saj. Berisha dhe Meta. Të dy kërkojnë “të nusërojnë” edhe një herë. Janë provuar në më shumë se tri dekada dhe, me përjashtim të momenteve jetë shkurtëra në historinë e tyre, gjithë herët e tjera kanë dështuar. Duhet të kesh durim të madh të ruash ende besimin në secilin prej tyre, aq më pak në të dy bashkë.

Berisha është Njëshi, Meta ka frikën se mund të jetë zeroja e pas njëshit, por nuk e di nëse mes tyre do të ketë një presje dhjetore. Berisha është në fakt ajo që ka mbetur nga opozita e para tridhjetë viteve, Metaj është ende enigmë: ishte vërtet i rebeluar me pushtetin, apo ishte i dërguar nga pushteti për të bërë pjesën e të rebeluarit. Dialogjet që kanë shkëmbyer me njëri tjetrin kanë qenë mizore, si askund tjetër.

Asnjëri prej tyre nuk është më i besuar. Të dy bashkë janë më pak se të besuar. Opozita që të ringjallet duhet të heqë nga vetja së pari parazitët politikë që janë mbështetur në trupin e saj.

Është e vështirë të ketë një opozitë solide, të qëndrueshme dhe që i përulet popullit, kur liderët e saj tani janë një tufë bllokmenësh politikë, të ciët nuk kanë asgjë të përbashkët me njerëzit e zakonshëm. Distanca mes tyre është e frikshme. Humnera e pakalueshme. Ky është fakt.

Nuk mund të ngjallësh shpresë për të uriturit, kur je i tejngopur. Vetëm me shpenzimet e bëra nga familja Metaj për shkollimin e fëmijëve të tyre në kolegjet më të shtrenjta londineze mund të dilnin nga skamja më shumë se 1.000 familje të varfra. Vetëm shpenzimet për akomodimin e vilës së tyre në Lalëz janë të njëjta me pagën e bashkëshortëve Metaj për rreth 10 vite.

Vila e familjes Berisha është shumë më luksoze se vila e dikurshme e Enver Hoxhës, pa folur për modernitetin e saj. Shumë nga ata që rrinë rreth e rrotull klanit sundues në opozitë kanë pasuri të mëdha dhe asnjë interes për të luajtur gjërat në nivel sistemor nga vendi.

Fjalimet “euforike” nuk ngjallin shpresë. Ky është paradoksi më i madh i politikës shqiptare, në dy krahët e saj: Njëshat e politikës dhe vasalët e tyre nuk e kanë kuptuar ende se janë një grimcë e historisë dhe nuk kanë tagër mbi historinë. Por, mjerisht, kanë tagër mbi jetën e bashkëudhëtarëve të tyre.

Shembulli i opozitës, që mbështetet ende tek ide të hershme, pa sjellur frymë të re, krijon atë që quhet mungesë e njerëzve të dëshpëruar. Opozita nuk i sjell dot, sepse nuk ka shembullin për t’i sjellë.

Humbja e udhës në pragun e shtëpisë

Protesta e së shtunës, si asnjëherë tjetër, përshfaqi zemërimin e drejtuesit të saj. Si nuk kishte ndodhur kurrë, edhe kur ka shpallur lanet dhe ka linçuar politikisht shumë të tjerë, si Azem Hajdarin, Neritan Cekën, Preç Zogajn, Arben Imamin, Genc Rulin apo Genc Pollon, nuk ishte dëgjuar që t’u ndalohej pjesëmarrja në protestë e dy figurave të njohur në PD e shumë viteve, për më tepër beniaminë të tij, zbulime familjare, Bashës dhe Alibeajt, të ishin pjesë e protestës.

Dy më shumë a dy më pak nuk prish punë. Aty munguan rreth 95 mijë vetë nga sa ishin thirrur. Por koncepti i politikës si domen i Njëshit, duke përjashtuar të tjerët, tregoi se politika rebeluese e opozitës nuk është reformuar, përkundrazi mbetet e deformuar.

Ajo, para se të bëjë ftesën për përmbysje, duhet të qytetërohet, duke hequr dorë përgjithmonë nga kanuni primitiv i klanit, i të parit të fisit, i urdhërdhënësit, i partikracisë dhe autoritarizmit idiot në të gjitha kuptimet e semantikat politike, qytetare e humanitare.

Nuk mund të përmbysësh një qeveri, sado e dobët dhe e rënduar nga mëkatet dhjetë vjeçare të jetë ajo, duke lëshuar mëkatet tuaja të dëbimit, të përjashtimit, të dhunës dhe të hamshorizimit të vetë politikës.

Tani është fakt se, opozita e kohës së Bashës është mbështetur në financimet e dyshimta ruse, me ose pa vetëdijen e saj. Këtë e ka dëshmuar vetë shefi i sotëm i Foltores, me ngritjen e një komisioni partiak për të vertetuar jo faktin, por cilët kishin përgjegjësinë për faktin. Lufta e brendshme, sado e padukshme të jetë në momente të veçanta, nuk e bën më të besueshme opozitën, përkundrazi.

Metingjet e protestat e opozitës së kohës së Bashës ishin më të mëdha, më nxitëse dhe më energjike se sa protestat e kohëve të fundit të saj. Berisha frymëzon një turmë të opozitës, më shumë metingashët dhe besikët loajalë, se sa njerëzit e zakonshëm. Thyerja, për të disatën herë e vetë opozitës është shprehur të shtunën. Nuk mund të thyesh gardhin e tjetrit, kur gardhin tënd e ke hedhur për tokë.

Mbështetja ndërkombëtare e opozitës nuk ekziston

Në parathirrjet e protestës Berisha, si njeri i rrahur fort me politikën, bëri kujdes të theksonte se shtetet perëndimore i kishin sytë dhe vëmendjen tek protesta e opozitës, pra te protesta e tij. E përsëriti disa herë, ashtu si kërcënimet e tij. Të dyja e përjashtonin njëra tjetrën, por mbështetja ndërkombëtare, qoftë edhe hipotetike i duhet sot më shumë se kurrë atij.

Nuk e mori. Nuk do e ketë më kurrë. Jo vetëm se është i sanksionuar familjarisht. Kjo është njëra anë, ndoshta më e rëndësishmja, por jo e gjitha. Ai është i pabesueshëm.

Ka vënë në lojë dinjitetin e një shteti të fuqishëm dhe njërës prej strukurave më dinjitoze në botë, si është Departamenti Amerikan i Shtetit. Pasi bëri lojën e një gjyqi në Francë – ku është ai gjyq? – pasi shpalli se e gjitha është lojë e Soros – sikur ky të jetë mbi qeverinë amerikane – tani blofon me autoritetin e një institucioni, sikur ai ka rënë viktimë e një punonjësi të shërbimit special amerikan, apo parave të qeverisë shqiptare. Madje, thotë se po pret edhe t’i kërkojnë falje… Si thonin dikur? Ata nuk të pranojnë në fshat, ti kërkon vajzën e priftit për grua.

Kur mbaroi protesta e së shtunës njerëzit u ndanë në dy grupe: njëra palë, shumë e pakët, ajo drejtuese, hipën në makinat luksoze dhe u nisën drejt resorteve modernë; pjesa tjetër, duke ecur ngadalë, të dëshpëruar, pa e kuptuar pse i kishin thirrur, u drejtuan nga autobuzët, me të cilët i kishin sjellë, duke përtypur kafshatat e fundit të një dite që mbaroi ashtu si kishte nisur. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …