Bedri Islami: Vjehrra e Sali Berishës, UDB-ashi Mehmet Loci dhe këshilltarët e Edi Ramës

Gazetari, Mero Baze, në një emision televiziv, pohoi se vjehrra e kreut të Foltores, Sali  Berisha, ishte bashkëpunëtore e shërbimit të fshehtë serb, dhe se, në shumë vite ajo është ndjekur si e tillë.

Të dhëna, të sjellë nga burime të tjera dëshmojnë se të afërmit e saj në mbetjen Jugosllave, e më pas në Serbi, kanë pasur funksione të rëndësishme në aparatin e Millosheviqit, dhe se, të tjerë, nga e njëjta familje në Malin e Zi, do të ishin kumbarët e një lidhje mes shtetit shqiptar të periudhës presidenciale të Berishës dhe makinerisë vrastare të Millosheviqit.

Baze, për shumë vite, si askush tjetër më parë e më pas, ishte njeriu në hije i ish kryeministrit apo ish presidentit Berisha, që kishte autoritet më shumë se secili ministër pranë tij, përvijonte vijën politike që duhej ndjekur dhe, për shumë kënd, ai trajtohej si porta hyrëse në zyrën e ish presidentit. Pra, është njeriu që më shumë se kushdo, edhe se familjarët e tij, di për të fshehtat dhe enigmat që përvëlojnë kreun e Foltores.

Dyshimet për të dhënën e sjellë nga Baze kanë qenë të hershme. Shpesh herë pranë Berishës, por edhe shefave të tjerë qeveritarë, janë shfaqur jo rastësisht dhe jo befasisht, figura kontrakditore, të përfolura në lidhjet e tyre me shërbimin e fshehtë serb, e, më tej se kaq, si njerëz që kanë depërtuar në Shqipëri pikërisht përmes këtij shërbimi.

Rrallë herë, në institucionet shqiptare, janë afruar, si një politikë e mirë dhe domethënëse, figura të njohura në përkushtimin e tyre ndaj shtetit shqiptar. Në shumë raste kjo ka qenë vija zyrtare: përjashtimi nga jeta politike , e jo vetëm nga jeta politike, i atyre që janë njohur si mos përkrahës të berishizmit apo rrymave të tjera në Shqipëri, deri në hartimin e një liste me 175 emra, të figurave të lëvizjes çlirimtare, që kërkonin ndryshimin e pozicionit politik të Kosovës, qoftë edhe përmes një rrjedhe ndryshe, të padëshiruar, por të domosdoshme, luftës.

Njeriu i parë që erdhi nga shërbimi i fshehtë serb ( BIA ) ishte pikërisht i lidhur me familjen, që shumë shpejt do të bëhej familja presidenciale. Në janarin e vitit 1991, përmes shërbimit të brendshëm të LDK-së, dhe njeriut të saj, Ibush Kllokoçi, që vazhdonte të ishte shefi i UDB në Prishtinë, emisari i posaçëm i qeverisë së Millosheviqit u takua në Tiranë me Azem Hajdarin, solli financimet e para dhe udhëzimet për të vepruar më tej. Për takimin e tyre dhe qenien e tij në Tiranë, ai vazhdoi të vinte herë pas here dhe zotëronte një banesë komode deri në vitin 1997. Ishte informuar edhe presidenti i kohës, Ramiz Alia, që synoi të bënte izolimin e tij, por pa dobi.

Duke pasur drojën se bashkëpunëtorët e tyre do të mund të dekonspiroheshin nga ish të burgosurit politikë, të cilët ishin torturuar prej tyre kudo në burgjet e Kosovës, shërbimi i fshehtë serb shkëputi nga Bosnja një grup shqiptarësh, bashkëpunëtorë aktivë dhe i solli në Tiranë. Disa prej tyre: Shaban A. – i njohur si “ Bora”, Qaush K.- “Bashkimi”, Skender A. – “Besa”, Myrteza K. – “Toplica”, Lutfi S. – “Safiri”, Hilmi P. – “Azami”, Hivzi M. – “ Tir”, etj. Këta morën kontaktet e para me ish të burgosurit në Shqipëri, të dënuar si bashkëpunëtorë të shërbimit të fshehtë jugosllav.

Pas marsit 1992 u rrit niveli i të dërguarve. Gjërat nuk po bëheshin më fshetas, por përmes një linje, që quhej “zyrtare”, nga seksionet e fshehta të krijuara në Kosovë, ku ishte depërtuar në strukturat e larta të partive politike shqiptare të sapo krijuara, deri në shërbimin informativ të shtetit shqiptar.

Nuk e kam kuptuar kurrë dhe vazhdoj të mos e kuptoj, se si, kaq haptas dhe pa e ndjerë në vete mëkatin politik, që në disa raste nuk është vetëm i tillë, njerëzit e politikës sonë, kur ka qenë fjala për lidhjet me Kosovën dhe ndërthurjen e mendimit të përbashkët, më lehtë e kanë gjetur të bashkëpunojnë me njerëz të cilët, kanë qenë figura të rëndësishme, të shërbimit të fshehtë serb.

Megjithëse aty ka pasur intelektualë të klasit të parë dhe atdhetarë përtej çdo niveli, e, megjithëse përsëri ka të tillë, politika shqiptare në Tiranën zyrtare e ka pasur më të lehtë, apo është detyruar, të zgjedhë dhe të afrojë “mëkatarët” shqiptarë të Kosovës.

Jam i bindur se shumë njerëz mund ta quajnë këtë si një paranojë e kotë, që nuk ka edhe aq lidhje me të vërtetën dhe që sillet si një fantazmë mbi politikën e Tiranës zyrtare.

Le ta shohim:

Në vitin 1990, sapo u krijua Lidhja Demokratike e Kosovës, ajo, menjëherë krijoi edhe shërbimin e saj të fshehtë informativ. Në krye të këtij shërbimi u vendos Mehmet Loci, njëra ndër figurat më të njohura të shërbimit informativ serb, drejtues i këtij shërbimi në Pejë.

Rreth vetes dhe në bashkëpunim me dy figura politike të LDK-së, me Rexhep Gjergjin dhe Anton Kolën, ata krijuan një grupim të rrezikshëm me figura të njohura udbashe si Ibush Kllokoqi, shefi i shërbimit të fshehtë serb në Prishtinë, Ejup Bajgora, Selim Brosha, Lutfi Ajvazi, Fadil Kajtazi, të cilët, gjatë luftës, duke u prirë nga nënkryetari i LDK-së, Eqrem Kryeziu i Prizrenit, krijuan grupin për hetimin e “krimeve” të luftëtarëve të UÇK-së, dokumentimin e tyre dhe, të dhënat e tyre i përcollën drejt dosjeve të tashme serbe në Gjykatën Speciale.

Mehmet Loci, nga një prej të burgosurve politikë, të torturuar prej tij, është portretizuar si “spiun i frikshëm, i fortë, shtazë e uritur, i pangopshëm, që kishte Serbinë atdhe. Ai njihej edhe si “Hitleri prej Peje”.

Mehmet Loci do të bëhej shumë shpejt, pas majit të vitit 1992, njëra ndër figurat lidhëse mes bashkëpunimit të heshtur, por efektiv, mes Shërbimit Informativ të shtetit Shqiptar dhe atij të krijuar nga LDK-ja, e që në fakt ishte një zgjatim i forcës serbe në Prishtinë, që po zgjatej edhe drejt Tiranës.

Në fillimin e vitit 1992, menjëherë pas ardhjes në pushtet të PD-së dhe ngritjes së strukturave të para të shërbimit të ri inteligjent, i cili iu besua një njeriu të afërt me Berishën, por që më pas ishte i përfshirë edhe në afera të tjera; në Tiranë, gjithnjë e më afër qeverisë, sidomos Gazidedes, u shfaq një shqiptaro-maqedonas, me emrin Petrit Ame.

Për pak kohë ai u shndërrua në një mik të afërt të Gazidedes, dhe u bë “eminenca gri” e tij. Shteti shqiptar, edhe pas informacioneve që mori, se ky njeri, i burgosur më parë në Belgjikë, për trafik droge dhe pjesë e grupimeve mafioze, ishte njëkohësisht edhe një ndër miqtë e afërt të Arkanit, Zheljko Raznjatoviç, i njohur si kreu i paraushtarakëve serbë, emrat e të cilëve i gjen në të gjitha krimet serbe të fund shekullit të shkuar, përsëri e bëri njeri të afërt dhe i besoi pjesë të rëndësishme të kontrabandës së karburanteve përmes Malit të Zi, e më pas edhe të trafiqeve të tjera.

Petrit Ame dhe, vëllai i tij, Flamuri, janë dibranë të pjesës së shtetit maqedon. Ame, Petrit, përmes veprimtarive të paligjshme në disa shtete të Evropës, ishte pasuruar, por edhe i mbuluar nga problemet me drejtësinë. Para fillimit të luftës në Kosovë ai ishte gjithnjë i pranishëm në mjedise ku ishin edhe politikanë të lartë shqiptarë dhe, duke patur mbështetjen e Shërbimit Informativ, trafikun e drogës dhe të armëve e bënte përmes doganës së Bllacës.

Në skenën politike e më pak mediale shqiptare emri i Petrit Ames u bë i njohur, kur, jo rastësisht, u bë publik një takim i papërgënjeshtruar kurrë i Arkanit ( Zheljko Raznjatoviç), ish shef i paramilitarëve serbë me ish shefin e Shërbimit Informativ Kombëtar, Gazidede. Ndërmjetësi i këtij takimi jo rastësisht ishte pikërisht Petrit Ame.

Takimi i tyre u bë në një pulari në afërsi të qytetit të Shkodrës. Dy punonjësit e Shërbimit Informativ të kohës, që shoqëruan shefin e tyre në takim, jo shumë kohë më pas, në rrethana ende të pa zbuluara, janë eleminuar.

Petrit Ame dhe Arkan kishin qenë në të njëjtin burg në Belgjikë – Bruksel dhe aty ishin bërë vëllezër gjaku. Pikërisht nga ndikimi dhe këmbëngulja e këtyre strukturave, me influencë në shërbimin shtetëror të Tiranës, dhe posaçërisht prej tyre, u hartua edhe lista e 175 njerëzve, figura të lidhura me lëvizjen çlirimtare të Kosovës, të cilëve, ose nuk do u lejohej hyrja në Shqipëri, ose do të survejoheshin nga shërbimi informativ.

Disa prej këtyre, si do të bëhej e njohur më pas, do të jenë në personalitetet e larta drejtuese të UÇK-së, sot Heroj të Kosovës. Çuditërisht janë ndjekur pikërisht ata që e donin më shumë se gjithçka tjetër Shqipërinë, që donin të bashkërendonin me strukturat e shtetit shqiptar, por që iu dha porosia e qartë ; “Në Shqipëri mund të merreni me çfarë të doni, me tregti, me ndërtim, me blerje e shitje, por vetëm me lëvizje çlirimtare kurrë”.

Fakt i dhimbshëm është se edhe në marsin e vitit 1998, kur sapo lufta kishte filluar dhe po merrte përmasa të jashtëzakonshme, qeveria e kohës kishte ngurrimin të mbështeste këto struktura, dhe, për habi, e gjente më të lehtë dhe më komode të mbështetej në ato struktura ku ishte mbështetur edhe qeveria pararendëse e saj.

Nuk është jashtë reales ajo çka dëshmoi njeriu më i afërt i dikurshëm i Berishës, gazetari i njohur Mero Baze. Sipas saj, edhe në kohën e sundimit autokrat të Berishës, vemendja e tij ishte e kthyer nga Beogradi dhe habitej përse qeveritë greke bëjnë kaq shumë zhurmë.

Për fat të keq vazhdoi thirrja pranë pushtetit e njerëzve që kishin njerën këmbë në linjën serbe. Grupi i njohur si “Grupi i Kosovës” në Partinë Demokratike, i shfaqur befasisht në vitin 2005, menjëherë ose pak para fitores së opozitës, ndërtimit të pushtetit të tyre, kishte në vete edhe njerëz që kishin enigma në ardhjen e tyre.

Basha është njëri nga ata që janë thirrur nga opozita e Berishës, pikërisht kur do të ishte pjesë e pushtetit në vitin e largët 2005. Ishte si një dhuratë qenia e tij në vathën e politikës, që, më shumë se gjithçka tjetër kishte lidhje me tri enigma të mëdha:

Qenia e tij në strukturat që ishin bërë pjesë e hetimit të ngjarjeve të luftës në Kosovë, afërsinë e tij me zonjën Malltezi – Berisha, përmes së cilës erdhi klani i saj nga Kosova në PD, dhe, ajo më e rëndësishme dhe me komplekse qëndron në afërsinë e tij të papritur me biznesmenin serbo – boshnjak, Fazliq, nipi i Stanishiqit, shefit të shërbimit famkeq serb në kohën e luftës në Kosovë, një kriminel lufte.

Këto tri enigma nuk u zbardhën kurrë, por përmes tyre ai u bë pjesë e politikës. Bile pjesë e rëndësishme e saj. Në qeverinë e demokratiskave të vitit 2005 ai mori postet më kryesore: herën e parë atë ku ishin financimet e mëdha, herën e dytë ku do të bëheshin shitjet e mëdha, herën e tretë ku do të ndodhnin vrasjet e mëdha.

Ende pa u diplomuar si duhet, dikush e gjeti si me dorë dhe e dërgoi në zyrat e UNMIK-ut, në Kosovë, bashkë me bijën e Berishës, pikërisht aty ku shumë shpejt do të hetohej mbi të ashtuquajturat krime të ushtarëve të UÇK-së. Ishte në sektorin e hetimeve të UNMIK-ut nga dolën dosje të tëra të Millosheviçit, ato të brendshmet fare. Në gjyqin e tij në Hagë, çuditërisht, ai, kasapi i Ballkanit, ishte një hap para dëshmitarëve të ardhur nga Kosova, të cilëve ua dinte edhe ato që kishin thënë në bisedat e lira me hetuesit e huaj dhe përkthyesit shqiptarë.

Të afrosh pranë vetes, qoftë si këshilltarë politikë apo si drejtues institucionesh figura që, në njërën këmbë a tjetrën, kanë qenë a janë të lidhur me botën e shërbimeve informative të nëntokës serbe, nuk është modernitet dhe as largim i asaj që quhej luftë e klasave. Jo rrallë prej tyre kanë ardhur qëndrime paternaliste të politikës, janë krijuar shtjella të paqëndrueshme dhe ata janë bërë si të domosdoshëm të politikës sonë. Kjo i ndodhi edhe së majtës. (DITA)

Kontrolloni gjithashtu

Ylli Mece

YLLI MEÇE: PËR JU BASTARDË…. JU MALLKOFTË MËMËDHEU NË JETË TË JETËVE!

Për ju a kam bastardët e vendit tim, për ju që ma turpëruat Atdheun tim …