Publicisti Behxhet Shalaka shpërthyer me akuza të ashpra ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla, duke paralajmëruar se në Kosovë po tentohet të krijohet një “sistem paralel politik e institucional” në funksion të pushtetit. Shala e cilëson iniciativën për krijimin e xhandarmërisë së Kosovës si përpjekje për ndërtimin e një “garde pretoriane” të pushtetit, duke pretenduar se struktura e re nuk ka për qëllim vetëm sigurinë, por kontrollin politik dhe presionin ndaj kundërshtarëve. Ai akuzon qeverinë se po përdor institucionet shtetërore dhe buxhetin publik për përfitime elektorale në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit, duke përmendur ndarjen e mjeteve financiare për kategori të ndryshme sociale dhe subvencionimin e ardhjes së diasporës për votim. Sipas Shalës, opozita po dështon të reagojë fuqishëm ndaj, siç i quan ai, “zgjedhjeve të korruptuara”, ndërsa paralajmëron se nëse vazhdon kjo situatë, pasojat politike dhe institucionale për Kosovën do të jenë afatgjata. Në shkrimin e tij ai kritikon edhe raportin e pushtetit me institucionet e drejtësisë, mediat dhe figurat historike të vendit, duke pretenduar se po tentohet të zëvendësohen institucionet ekzistuese me struktura të kontrolluara politikisht. Në fund, Shala ndalet edhe te figura e veprimtarit Adem Demaçi, për të cilin thotë se po harrohet padrejtësisht nga politika dhe institucionet, pavarësisht rolit të tij historik në luftën për liri dhe çështjen kombëtare.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
