Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bekë Berisha, ka thënë se puna e komisionit do të vazhdojë pavarësisht largimit të deputetëve të PDK-së, të cilët kërkuan procedimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Berisha bëri të ditur se mbledhja kishte kuorum, ndërsa theksoi se çështjet e ngritura nuk duhet të trajtohen si shqetësime të një partie të vetme, por si çështje që prekin të gjithë Kuvendin. Ai u bëri thirrje deputetëve të të gjitha subjekteve politike që të angazhohen për funksionalizimin e institucioneve dhe për tejkalimin e ngërçit politik, duke vlerësuar se vendi ka nevojë për komunikim më të drejtpërdrejtë ndërmjet partive. Sipas Berishës, situata politike është veçanërisht e ndërlikuar pas zhvillimeve të 16 shtatorit, ndërsa deputetët, sipas tij, duhet ta marrin përgjegjësinë për gjetjen e një zgjidhjeje institucionale. “Duhet na tash me marrë rolin deputetët e Kuvendit të Kosovës, sepse nuk ka nevojë me ardhur kush. Kjo është gjendje e rëndë”, ka deklaruar Berisha. Ai theksoi se Kosova nuk duhet të presë që zgjidhjet t’i ofrojnë faktorë të jashtëm, duke kërkuar që institucionet vendore të marrin përgjegjësinë për tejkalimin e krizës. Në fund, Berisha u bëri thirrje deputetëve që të komunikojnë ndërmjet vete dhe të tregojnë, siç tha ai, sinqeritet dhe gatishmëri për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. “Kjo është e para, edhe nuk ka problem që nuk mundemi me zgjidhë bashkë”, tha Berisha.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
