KEK
Fillimi / Lajmet / Besimi në statistika për të treguar historinë, në Ditën botërore të statistikave, 20 tetor 2020
Besimi në statistika për të treguar historinë, në Ditën botërore të statistikave, 20 tetor 2020

Besimi në statistika për të treguar historinë, në Ditën botërore të statistikave, 20 tetor 2020

Deklarata e Drejtores Ekzekutive të Fondit për Popullsi të Kombeve të Bashkuara (UNFPA) Dr. Natalia Kanem

Statistika nuk është vetëm numër – ajo tregon histori njerëzore. Ajo flet për shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve, problemet dhe parashikimet, si dhe për rrethanat socio-ekonomike. Kur mblidhen dhe analizohen mirë, statistikat mund të avancojnë zhvillimin e qëndrueshëm, duke identifikuar personat që rrezikojnë të mbeten mbrapa.

Ne festojmë Ditën Botërore të Statistikave në momentin kur të dhënat e besueshme dhe në kohë na  nevojiten më shumë se kurrë më parë. Për fat të mirë, teknologjia ka rritur në mënyrë eksponenciale mundësinë e analizës statistikore që na ndihmon të kuptojmë dhe të veprojmë ndaj çështjeve ekzistuese dhe ndaj trendeve në zhvillim e sipër.

Në vitin 2020, përkundër pandemisë COVID-19, shumë shtete po bëjnë regjistrimin 10-vjeçar të popullsisë, dhe shumë shtete të tjera do të mbështeten për herë të parë në të dhëna gjeohapësinore. Një kombinim i informacioneve demografike dhe gjeografike mund të vizualizohet në harta në mënyrë që secili të shohë ku janë duke u plotësuar apo jo nevojat. Hartat mund të tregojnë, për shembull, saktësisht se ku janë më të shpeshta martesat e fëmijëve ose gjymtimi i organeve gjenitale të grave, dhe ku duhet të fokusohen më shumë shërbimet, legjislacioni dhe investimi që të përfitojnë ato.

Pa këtë informacion, grupet e personave të margjinalizuar që ngelin shumë më poshtë se mesatarja e arritjeve nacionale ose rajonale, zakonisht mbeten pa u vënë re dhe të privuara nga shërbimet.

Të dhënat gjeohapësinore janë vetëm një nga disa mjetet e reja të fuqishme statistikore. Por ato nuk vijnë pa rreziqe. Është e mundur që ato të përdoren për të ndihmuar njerëzit të përmirësojnë jetën e tyre dhe të realizojnë të drejtat e tyre. Gjithashtu është e mundur që të merren të dhëna dhe të vihen në shënjestër njerëzit për persekutim. Grupet që kanë histori të gjatë të diskriminimit mund të dëshirojnë të jenë të dukshme, por gjithashtu dhe me të drejtë kanë frikë nga pasojat.

 Ne duhet të jemi në gjendje të besojmë se statistikat na tregojnë të vërtetën. Duhet të ndërmerren hapa për t’u siguruar se të dhënat janë të sakta, të qëndrueshme dhe të plota – duke na dhënë pasqyrën e plotë. Në të njëjtën kohë, ne duhet të jemi në gjendje të besojmë se si përdoren statistikat, dhe se procesi respekton privatësinë dhe parandalon diskriminimin.

Sot është momenti  që t’i bëjmë thirrje statisticientëve, qeverive dhe atyre që udhëheqin inovacionin teknologjik për t’u siguruar se të dhënat që ne krijojmë janë të sakta dhe pasqyrojnë historitë njerëzore që qëndrojnë pas çdo numri. Me të dhëna më të mira, ne do të kuptojmë më mirë sfidat me të cilat përballen njerëzit dhe çfarë progresi po bëjmë në përmirësimin e jetës së tyre dhe në mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Kontrolloni gjithashtu

Naim Fetahu zotohet se qysh në mandatin e parë si kryetar i Besianës do t’u jap përgjigje shqetësimeve kryesore të qytetarëve të kësaj komune

Naim Fetahu zotohet se qysh në mandatin e parë si kryetar i Besianës do t’u jap përgjigje shqetësimeve kryesore të qytetarëve të kësaj komune

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Besianës, Naim Fetahu, ka hapur sot ...