Nënkryetari i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri, ka deklaruar se procesi për çuarjen e vendit në zgjedhje të reja tashmë vetëm sa ka nisur. Tahiri u shpreh se krizat dhe vonesat aktuale janë pjesë e një strategjie të mirëmenduar nga Lëvizja Vetëvendosje, me qëllim që ta detyrojë opozitën ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. “Procedura e dërgimit të Kosovës edhe një herë në zgjedhje vetëm ka nisë… Gjithçka që ndodh është një strategji e Lëvizjes Vetëvendosje që opozita me e dërguar rastin në Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykata Kushtetuese me marrë një vendim. Gjykata Kushtetuese nuk mundet me dalë prej këtij interpretimi,” tha ai. Po ashtu, Tahiri ngriti shqetësimin se shkeljet që po bëhen do të duhej të alarmonin organet e drejtësisë, duke theksuar se aparati i sundimit të ligjit duhet të fillojë trajtimin e kësaj situate si shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe të betimit të deputetit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
