Të gjithë vodhën, PDK e turpëroi edhe Hajninë!
Që nga zgjedhjet e para në Kosovë, flitet nën zë dhe hapur për kurdisjen e votës. E vërteta e dirigjuar e manipulimit përcakton fytyrën e partive. Dikur, kjo ishte privilegj i liderëve, ndërsa sot është bërë një praktikë e komisionerëve blerë prej funksionarëve të rinj – disa të etur për famë dhe pushtet, të tjerë (ish deputetë e pushtetar) të lidhur ngushtë me dekada privilegjesh dhe fonde të zhvatura.
Kori i korbave, pa dallim pozite–opozitë, duket se ndjek të njëjtin zakon: duar të zgjatura për hajni.
Të jesh hajn i votave të ndihmon të arrish edhe zyrtar i lartë, siç ndodhi në Komunën e Mitrovicës së Jugut, ku kryetari Faton Peci emëroi për nënkryetar Enis Osmanin, i dënuar dy herë për vjedhje votash (2017 dhe 2019) nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.
Sikur gjithë hajnat që sot janë në institucione e pushtet edhe Enisi e vërtetoi besnikërinë me recidivitetin në hajni votash dhe u shpërbly rrast. Por, edhe të vjedhësh vetëm një herë patjetër se të hapë rrugë të paktën për subvencione, tendera ose pozita në jetën publike. Nuk është pak.
Sot, një pjesë e konsiderueshme e të punësuarve në sektorin publik – rreth 91 000 persona, sipas disa vlerësimeve – duket të jetë e lidhur ngushtë me interesat politike, përtej shifrës zyrtare prej 81 000 të punësuarish. Ky “10 000-shi i artë” shpesh funksionon si instrument nën mëngë i pushtetit.
Kur ekonomia private dhe ajo familjare varen nga vullneti i pushtetit, ku ligji shpesh nuk zbatohet për pushtetarët, mund të themi se edhe përtej sektorit publik, interesat e dyshimta mbizotërojnë. Kolegët që vidhen mes vete, e bëjnë këtë edhe nga institucionet sapo u hapet mundësia – si në shpellen e Ali Babës. Kur halldupët drejtojnë partitë: servilët politikë lulëzojnë, partitë shndërrohen në banda dhe shteti jeton nën pushtetin e krimit.
Prova më e qartë se, kpaja e vendit nga halldupët është qëllim në vetvete, është çështja e fletëvotimeve me dhjetë mundësi zgjedhjeje, e cila hap derën për manipulime të mëdha nga hajnat e vegjël në testin e tyre të besnikërisë. Rasti i Mitrovicës së Jugut e ilustron këtë: hajni i vogël recidiv u bë nënkryetar pranë hajnit të madh. Tumirja e hajnisë dhe shpërblimi i saj e bënë hajn vet drejtuesin dhe kjo kthehet në një sistem ku deputetët dhe funksionarët dalin drejtpërdrejt nga vjedhja e votave.
Kështu jemi katandisur me duart tona. Ndaj, për të tillë deputetë, populli im, qajnë kantat e bërllogut.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
